Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në Festivalin e Inovacionit, të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Bashkia e Tiranës. Në fjalën e tij, Ministri Bushati u ndal tek rëndësia e inovacionit për shoqërinë si një nevojë e domosdoshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Ministri foli për rezistencën e shoqërisë ndaj shërbimeve online dhe sfidat në hapësirën dixhitale, duke sjellë eksperiencën e MEPJ-së me Shërbimin Konsullor Online.

Sipas tij, ndërsa lidershipi i MEPJ vendosi që të sillte shërbimin online apo konsullatën dixhitale për qytetarët, pati jo pak rezistencë nga qytetarët shqiptarë. Rezistenca erdhi kryesisht për shkak të besueshmërisë apo të dhënave sensitive që duheshin hedhur në sistem, apo dhe vetë faktit nëse shqiptarët do ta “përqafonin”, këtë praktikë apo jo. Ministri Bushati u shpreh se u ndoq modeli i shteteve më të zhvilluara, të cilat këtë praktikë e ushtrojnë prej shumë vitesh, si SHBA apo Britania e Madhe. “Të njëjtin model ndoqëm dhe ja ku jemi sot, një pjesë e mirë e këtyre shërbimeve janë të gjitha online, me përjashtim të atyre shërbimeve kur kërkohet domosdoshmërish kontakti dhe prania fizike”, nënvizoi Ministri Bushati.

Po të njëjtën rezistencë ka hasur edhe aplikacioni konsullor, E-Konsullata, përmes të cilit kushdo mund të marrë informacion në kohë për të gjitha vendet e botës, për regjimin që kanë, nëse mund të lëvizin me apo pa viza, për situatën atje, për shërbimet kryesore që mund të ofrohen,për situatën e sigurisë, për turistin shqiptar, qytetarin shqiptar që dëshiron të udhëtojë nëpër këto vende të botës. “Prandaj besojmë fort se pjesë që ka lidhje me transparencën, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin e shoqërisë është edhe zhvillimi teknologjik dhe mbështetja përmes politikave të caktuara që do të na duhet t’i japim këtij zhvillimi”, vijoi ministri më tej.

Ministri solli si shembull sfidat e SHKO dhe E-Konsullata në një format të tillë ku ofrohen ide inovatore të kompanive të reja në një format të vetëm dhe konkurrues, por dhe të investitorëve potencialë që të drejtojnë portofolin e tyre të investimeve drejt projekteve të këtij lloji. Ai përmendi Programin e BE-së “Horizon 2020”, nga i cili kanë përfituar mbështetje financiare 18 kompani apo individë shqiptarë që kanë të bëjnë me minirevolucionin teknologjik që vijnë dhe nga vendet që aspirojnë të jenë anëtare të BE-së. “Mundësitë ekzistojnë krahas fondit që ka qeveria shqiptare, dhe përmes fondeve që ofron vetë BE për të gjitha vendet, por na duhet të jemi sa më shumë inovatorë, konkurrues dhe bashkëpunues”, theksoi Ministri Bushati.