Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të 30-vjetorit të eksodit të shqiptarëve, nëpërmjet një video, ku shpërfaqen disa prej historive të shqiptarëve që emigruan në Itali në vitin ’91, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, shprehu mirënjohje ndaj shtetit italian i cili e ka mbështetur pa kursim rrugëtimin e Shqipërisë deri në proceset integruese euroatlantike. “Këto pamje që tronditën botën mbarë, janë ngulitur fort në kujtesën e të gjithë atyre që i jetuan.

Shumëçka ka ndryshuar nga ajo kohë. Shqipëria nuk është ajo e 30 viteve më parë. Komuniteti shqiptar në Itali është sot një histori suksesi. Por ajo që s’ka ndryshuar është ndjenja e mirënjohjes për Italinë e popullin italian që hapën dyert në orën tonë të dëshpërimit”, shkruan Ministrja Xhaçka në rrjetet sociale.

Me kalimin e viteve, komuniteti shqiptar në Itali është kthyer në një pjesë thelbësore të indit ekonomik, social, kulturor, intelektual dhe shkencor të vendit fqinj, duke ndërtuar një urë të pathyeshme miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.