Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Faleminderit Lori,

Përshëndetje të gjithëve,

E nderuar zonja nënkryetare e Kuvendit, e dashura Vasilikë

Të dashur Brian dhe Duro, të nderuar kolegë deputetë,

Zonja dhe zotërinj ambasadorë,

Të dashur miq,

Ju faleminderit të gjithëve për praninë tuaj këtu, është kënaqësi në fakt për mua që kremtojmë së bashku ditën e OKB-së. Brian e tha në fund, unë dëshiroj ta nis me një falënderim të posaçëm për gratë e burrat e ekipit të OKB në Shqipëri, të cilët me punën e përkushtimin e tyre janë pjesë e pandarë e përpjekjeve tona për ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar dhe më të drejtë. Dëshira për paqe të qëndrueshme ishte forca që themeloi Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ajo lindi mbi rrënojat e luftës më shkatërrimtare në historinë e njerëzimit me shpresën për një botë më të mirë, më të drejtë dhe me premtimin solemn “Kurrë më!”.

Sot, 73 vjet më vonë, “mjedisi i lirisë” siç e përkufizonte me të drejtë Dean Acheson situatën akumulative të krijuar nga rendi i ri ndërkombëtar, është më i sfiduar se kurrë më parë. Po e filloj me atë që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutierrez e quajti çrregullim i deficitit të besimit. Kriza e besimit po shpreh simptomat e saj më së pari, krizën ndaj vetë multilateralizmit që po shoqërohet nga trysnia ndaj vlerave të demokracisë liberale, universalizimi i të drejtave të njeriut, barazia gjinore dhe përpjekjet për zhdukjen e varfërisë ekstreme, u kanë garantuar jetë më të mirë, dinjitet, respekt miliona e miliona njerëzve anembanë globit. E megjithatë sulmet ndaj demokracisë liberale po shtohen. Retorikat populiste në rritje dhe në shoqëri të zhvilluara, banalizimi i gjuhës së urrejtjes, tendencat për tkurrje nacionale na thërrasin për vigjilencë të shtuar dhe imponojnë nevojën për bashkëpunim demokratike në rrafshin ndërkombëtar. Ne besojmë te ky bashkëpunim, sepse ky bashkëpunim që pas rënies së perdes së hekurt, ndryshoi për mirë jetën dhe fatin tonë si komb.

Së dyti, situatat e sigurisë vijon të jetë e brishtë në shumë rajone të botës, saqë është gjithnjë e më e vështirë të planifikosh zgjidhje mbi bazën e përparësive. Për shkak të dobësimit të dimensionit multilateral, duket sikur zgjidhjet e qëndrueshme nuk janë ende në horizont. Ne në Evropën Juglindore jemi ende larg pajtimit të mirëfilltë mes popujve e të menduarit bashkarisht për të ardhmen. E kaluara jo e largët e konflikteve politike, e kombinuar me mungesën e kulturës së shtet ndërtimit demokratik dhe me një hendek të madh zhvillimor nga pjesa tjetër e Europës, vë përballë sfidave të pazakonta, shoqëritë e vendeve tona.

Së treti, po jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme të revolucionit teknologjik ku po përvijëzohen sfida jo thjesht strukturore për shoqërinë, po po vendoset në pikëpyetje vetë natyra e njeriut. Revolucioni i katërt industrial, me shpikje si inteligjenca artificiale, blockchain, sistemet autonome të armëve vdekjeprurëse, media sociale që përdoren si platforma për lajme të rreme, që avancojnë populizmin janë tregues të një bote shumë të ndërlidhur, po paradoksalisht edhe të fragmentarizuar e të polarizuar.

Të rinjtë e kanë të lehtë për të krijuar besim, por edhe më të lehtë për ta humbur atë. Kjo është dhe më e vërtetë në botën e sotme ku populizmat e të gjitha llojeve, dhe tendencat nacionaliste në rritje në Europë e përtej, synojnë të krijojnë mite, me katastrofa në horizont e me heronj shpëtimtarë, por nuk krijojnë dot mundësi për mobilitet, punësim, arsimim më të mirë e përmbushje personale për të rinjtë. Pikërisht, momente të tilla ku mungojnë narrativat frymëzuese dhe besimi në institucione dobësohet, roli i OKB-së duhet të bëhet dhe më i rëndësishëm, pasi kombet sovrane dhe multilateralizmi janë plotësuese dhe jo përjashtuese.

Bota sot është në kërkim të një ekuilibri të ri. OKB duhet të vijojë të ndryshojë e të reformohet në mënyrë që ti paraprijë këtij realiteti. Ndryshimi mbart shpresë, kur ka një orientim të qartë drejt së ardhmes. Mungesë të këtij orientimi, ndryshimi sjell konfuzion, pasiguri dhe konflikt të paevitueshëm. Thënë këtë duhet ta pranojmë se nuk ka forum lokal, apo rajonal që mund të adresojë çështje globale dhe nuk mund të ketë bashkëpunim sado të suksesshëm dypalësh, që të zgjidhë problemet shumëpalëshe. Ndaj na nevojitet një OKB e ripërtërirë, më pak burokratike që i përshtatet nevojave të kohës. Është e qartë se shekulli 21 imponon nevojën për një kreativitet më të madh nga ana e vetë organizatës.

Zonja dhe zotërinj,

Të ndërgjegjshëm si për sfidat, ashtu dhe mundësitë, Shqipëria është e angazhuar në partneritetin global për zhvillim të qëndrueshëm. Para pak muajsh siç u thashë këtu, qeveria shqiptare prezantoi në forumin politik të nivelit të lartë në Nju Jork, raportin vullnetar mbi shkallën e ecurisë së zbatimit të Agjendës 2030 në vendin tonë. Raporti vëren se mbi 80% e synimeve të Agjendës 2013 janë të reflektuara në shtyllat e strategjisë tonë për zhvillim e integrim duke kapitalizuar kësisoj dhe reformat që lidhen me procesin e integrimin europian. Angazhimi formal i Bashkimit Europian për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë, në qershorin e 2019 bazohet pikërisht në përparimin, procesin e reformave për të ardhmen e vendit, dhe do të jetë shtysë e madhe për reforma edhe më të thella e të qëndrueshme. Do të jenë pikërisht 20-25 vjeçarët e sotëm udhëheqësit e nesërm, ata të cilët do të kurorëzojnë plotësisht këtë projekt. Nuk janë vetëm reformat e mëdha apo ndryshimet ligjore, në fakt, që sjellin progres. Shpesh masa praktike e modeste, hapa të vegjël e domethënës bëjnë diferencën. Vendimet që kemi marrë për heqjen nga qarkullimi të qeseve famëkeqe plastike, masat për kudjes në përdorimin e ujit, administrimi i energjisë që fillon me pagesën e faturës, fushatat e herëpashershme për pastrimin e territorit dhe plazheve, Rilindja Urbane në respekt të zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor, shumëfishimi i hapësirave të gjelbra dhe terreneve sportive janë vetëm disa nga hapat e ndërmarrë në një proces ndryshimi mentaliteti në tërësi dhe pjesë e edukimit të brezit të ri në veçanti.

I njëjti sens përgjegjësi e ndërgjegjësimi na udhëheq prej disa dekadash në politikën tonë lidhur me të drejtat e njeriut. Ne besojmë se të drejtat e njeriut janë universale, të pandashme, të ndërvarura e të ndërlidhura. Do inkurajoja veçanërisht të rinjtë që të thellojnë njohuritë dhe të kuptuarit për të drejtat e njeriut, që të shohin nga e kaluara për të parë se ku e kanë çuar njerëzimin urrejtja, diskriminimi, intoleranca e ksenofobia.Me të njëjtin shqetësim i kemi kushtuar rëndësi që në krye të herës luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit përmes politikave dhe programeve të posaçëm. Pas disa viteve punë, Qeveria Shqiptare miratoi Planin e Veprimit në zbatim të Rezolutës 1325, “Gratë, paqja dhe siguria”, duke dëshmuar kështu angazhimin real të Shqipërisë për barazi dhe përfaqësim gjinor në të gjitha fushat, si dhe për përmbushje të detyrimeve shumëpalëshe të ndërmarra në kuadër të OKB-së.
Vizioni i punës sonë në kuadër të disa platformave rajonale e shumëpalëshe me fokus rininë, të drejtat e njeriut dhe sigurinë është një vizion komplimentar e jo përjashtues e as mbivendosës. Për këtë arsye përshëndes dhe shpreh angazhimin në të njëjtën kohë për mbështetjen në vazhdim nga ana e MEPJ të bashkëpunimit më të ngushtë që formalizohet sot këtu mes OKB-së dhe RYCO-s.

Zonja e zotërinj,

Shqipëria ka vënë kandidaturën për kryesinë e OSBE-së për vitin 2020. Ne dëshirojmë të japim kontributin tonë në forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimit në hapësirën e OSBE-së dhe të zgjerojmë angazhimin tonë në çështjet europiane dhe ndërkombëtare.
Një ndër përparësitë tona do të jetë nxitja dhe përfshirja e rinisë në agjendën e sigurisë dhe paqes për të nxjerrë në pah sa më mirë dhe administruar kontributin e tyre në zhvillimin politik, ekonomik e shoqëror. Gjithashtu, ne kemi vënë kandidaturën për një vend anëtar të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për termin 2022-2023, në zgjedhjet që do tw zhvillohen në vitin 2021.Ne besojmë se multilateralizmi është formula më e mirë, e sprovuar, për të ruajtur arritjet dhe për të garantuar të ardhmen, në respekt dhe barazi.

Zonja e zotërinj,

Është e qartë se Organizata jonë Universale ka ende shumë për të bërë për të përmbushur siç duhet mandatin e saj. Bashkarish, nuk duhet të pajtohemi me zgjidhje afatshkurtra në dëm të objektivave dhe përfitimeve afatgjatë.Raporti ynë me historinë na ka mësuar se duhet të çlirohemi nga vargonjtë e saj, që historia të mos shërbejë si burg i mendimeve, por si nxitëse e bashkëpunimit me njëri-tjetrin.Në të gjitha këto aspekte, puna me rininë duke u ngjallur interes e siguruar angazhimin e tyre është investimi më i mirë dhe më i sigurt për të administruar të sotmen duke garantuar suksesin e të ardhmes.Mbështetëse e palëkundur e Agjendës së OKB-së për Rininë, Paqen dhe Sigurinë dhe e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 2250 (2015), Shqipëria beson fort në rolin e brezit të ri në dobi të pajtimit, forcimit të sigurisë, në ndërtimin dhe qëndrueshmërinë e paqes dhe zbatimin e Agjendës 2030. Në mbyllje dëshiroj të theksoj se çdo këndvështrim global duhet të ketë parasysh këndvështrimin personal, të vetë njeriut. Edhe fenomene në dukje globale, i kanë rrënjët te jeta e brendshme e njeriut.

Për shembull, terrorizmi është sa problem politik aq edhe problem psikologjik i brendshëm. Kriza e vlerave të demokracisë liberale, gjithashtu, pavarësisht se shfaqet në kutitë e votimit, është një krizë e brendshme e njeriut.Kjo më shpie të OKB-ja, që është mishërimi i personales nëpërmjet politikës në forumin më të lartë të bashkëpunimit njerëzor. Që të funksionojë mirë kërkon kurajë e kompromis. Kompromis për një të sotme që do të krijojë një të ardhme më të mirë e më të qëndrueshme për brezat që pasojnë.

Gëzuar Ditën e OKB-së!

Ju faleminderit.