Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Dita e Pavarësisë së Shqipërisë
Deklaratë për shtyp e Sekretarit të Shtetit, Antony J. Blinken, 28 nëntor 2021

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Shqipërisë në 109-vjetorin e Pavarësisë. Miqësia jonë e thellë dhe e qëndrueshme daton më shumë se një shekull më parë, që nga koha kur Presidenti Woodrow Wilson mbrojti në mënyrë të prerë pavarësinë e Shqipërisë gjatë Konferencës së Paqes në Paris të vitit 1919.

Që nga ajo kohë, shqiptarët kanë demonstruar forcë dhe qëndrueshmëri të madhe duke hedhur poshtë shtypjen e një diktature komuniste dhe duke ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian. Shqipëria e demonstroi këtë frymë përsëri këtë vit duke hapur dyert e saj për afganët në nevojë, si dhe duke vazhduar të jenë një strehë e sigurt siç bënë për mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe grupe të tjera që ikën nga persekutimi gjatë dekadave të fundit.

Në vitin 2021, ne shënuam 30 vite të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, duke reflektuar mbi gjithçka që amerikanët dhe shqiptarët kanë arritur së bashku që nga viti 1991. Sot ne jemi aleatë në NATO dhe vitin e ardhshëm do të shërbejmë së bashku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ekonomi, si dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian.

Ne presim të thellojmë edhe më tej miqësinë tonë dhe mbetemi krenarë ta quajmë Shqipërinë mik, partner dhe aleat.