Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

10 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, përbën një moment të veçantë reflektimi e ri-angazhimi. Të drejtat e njeriut përbëjnë një gur themeli të politikës sonë të jashtme dhe veprimit tonë diplomatik.

Shqipëria, në kuadër të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, si një vend pilot i zbatimit të Objektivit të 16-të për Paqe, Drejtësi dhe Institucione të Forta, është e angazhuar thellësisht për konsolidimin e shtetit ligjor, si e vetmja garanci që të gjithë qytetarët e këtij vendi, pa asnjë dallim, të gëzojnë të drejtat themelore të njeriut.

Shqipëria i është bashkuar në vazhdimësi familjes së shteteve më të avancuara në fushën e zbatimit të të drejtave të njeriut, kryesisht në zbatimin e akteve ndërkombëtare me objekt të drejtat e grave dhe vajzave, pakicave e grupeve më të disavantazhuara dhe ekstremizmin e dhunshëm. Tregues i kësaj vendosmërie është edhe miratimi këtë vit i Planit të Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për kontributin e vajzave dhe grave në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria është thellësisht e përkushtuar të përmirësojë gëzimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në menyrë efektive, të rrisë aksesin në shërbime publike të të gjithë qytetarëve, sikundër të promovojë e garantojë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut.