Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar z. Ministër,

I dashur Gabrielius,

Është një kënaqësi e veçantë për mua që t’ju mirëpres sot në Tiranë dhe në këtë kontekst dëshiroj t’ju falenderoj për vëmendjen tuaj personale dhe të Lituanisë ndaj Shqipërisë.

Vizita e sotme është vizita juaj e parë në vendin tonë dhe ka një domethënie edhe më të veçantë, pasi realizohet vetëm pak ditë pas kremtimit të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Lituanisë janë shumë të mira dhe miqësore, ndërkohë që ka vullnet reciprok për forcimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Vlerësojmë se, intensifikimi i dialogut politik dypalësh e shumëpalësh mbetet i rëndësishëm. Në këtë kontekst, sot me kolegun Landsbergis nënshkruam një Memorandum Mirëkuptimi për Konsultime Dypalëshe mes dy Ministrive tona të Jashtme, që besojmë se do t’i japë një impuls të ri dialogut tonë politik dhe do të ofrojë mundësi konkrete për shkëmbimin e mendimeve dhe eksperiencave tona më të mira.

Vitet e fundit marrëdhëniet tona kanë njohur zhvillime pozitive dhe premtuese, megjithatë, jemi të mendimit se, mes dy vendeve ka ende potencial të pashfrytëzuar, sidomos në planin ekonomik, ku synojmë të punojmë së bashku për t’u ofruar bizneseve, investitorëve dhe turistëve të të dy vendeve, mundësitë dhe kushtet e nevojshme.

Në bisedën që zhvilluam me kolegun Landsbergis diskutuam, gjithashtu, procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe në këtë kontekst shkëmbyem mendime rreth rëndësisë së këtij procesi, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për të gjithë Unionin. I shpreha kolegut mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur që Lituania i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Urojmë që, BE-ja do të vendosë mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me vendin tonë sa më parë. Gjithsesi, unë e sigurova kolegun Landsbergis se, Shqipëria do të vijojë procesin e reformave.

Një temë me shumë rëndësi, për të cilën shkëmbyem mendime, ishte situata aktuale e sigurisë në Evropë. Këto janë ditë të vështira për të gjithë ne, teksa jemi dëshmitarë të sulmeve makabre të njëpasnjëshme të Rusisë kundrejt Ukrainës. Ne diskutuam mbi sfidat, që kjo situatë po krijon dhe pasojat që mund të ketë për të gjithë. Si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe si bashkëpenëmbajtëse me SHBA për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka qenë aktive dhe vazhdon të lobojë brenda Këshillit të Sigurimit për të siguruar mbështetje sa më të gjerë të mundshme për këtë çështje. Nga ana tjetër, ne jemi krenarë që Shqipëria, edhe pse vend i vogël, mbetet në solidaritet me Vendet Baltike dhe si anëtare e NATO kontribuon me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO, enhanced Forward Presence (eFP), në Adazi të Letonisë.

Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishte gjithashtu pikë e rëndësishme gjatë bisedës sonë. I shpreha kolegut vlerësimin për vëmendjen e tij personale dhe të vendit të tij, ndaj rajonit tonë, dëshmi e së cilës është dhe vizita e tij e sotme në Tiranë, krahas vizitave në vendet e tjera të BP.

Ju faleminderit !