Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Përshëndetje të gjithëve,

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave miratuam në parim protokollet e aderimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë. Pra, dhamë zyrtarisht dakordësinë tonë për zgjerimin e Aleancës dhe përfshirjen në të të këtyre dy vendeve. Këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend dhe kur kjo procedurë ratifikimi të jetë kryer në parlamentet e të 30 vendeve anëtare të NATO, por edhe nga parlamentet e vetë Finlandës dhe Suedisë, do të bëhet i mundur pranimi i tyre de jure në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Hapi final, përpara se të dy vendet të bëhen zyrtarisht anëtare të NATO është depozitimi i instrumentit të anëtarësimit pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në cilësinë e shtetit depozitues të këtij traktati.

Është një zhvillim i rëndësishëm, që forcon akoma më shumë sigurinë në hapësirën euro-atlantike, por që forcon njëkohësisht edhe bashkëpunimin mes NATO dhe Bashkimit Evropian. Është një zhvillim që vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e agresionit rus kundër Ukrainës dhe fakti që dy vende si Finlanda dhe Suedia, me një traditë të gjatë neutraliteti, ndjejnë sot nevojën të anëtarësohen në NATO flet qartë në njërën anë për nivelin e kërcënimit me të cilin përballet sot e gjithë Evropa e në anën tjetër për besimin që gëzon NATO si një organizatë e aftë të garantojë sigurinë kolektive të çdo vendi anëtar edhe përballë një kërcënimi të këtyre përmasave.

Shqipëria e ka mbështetur gjithmonë politikën e Dyerve të Hapura nga ana e NATO, për të gjithë ato vende që plotësojnë kriteret e anëtarësimit. Suedia e Finlanda, janë jo vetëm dy vende me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira, por dhe dy demokraci model dhe dy partnerë të çmuar, që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në operacionet dhe misionet e NATO në rajonin tonë, në Afganistan, Libi e Irak. Nuk ishte pra një vendim i vështirë apo për të cilin kishte hezitim. Por ne shpresojmë që ky moment, zgjerimi do të shërbejë për t’i dhënë një momentum të ri zgjerimit të mëtejshëm të NATO edhe në Ballkanin Perëndimor, e këtu dua të theksoj sidomos rastin e Kosovës, e cila ndan me Aleancën të njëjtat parime e të njëjtat vlera.

Gazetari: Pak ditë më parë ju jeni takuar me Ministrin e Jashtëm grek, Z. Dendias për të diskutuar në fakt disa çështje kryesore duke nisur që nga çështja e detit apo ndoshta dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve përsa i përket pensioneve, por jo vetëm. Unë do të doja të pyesja drejtpërdrejt përsa i përket emigrantëve shqiptarë të cilët ndodhen në Greqi. Keni patur një diskutim në raport me ndonjë mbështetje që qeveria greke duhet ti japi pikërisht përsa i përket aspektit të pajisjes me dokumenta, pasi edhe pas 30 vitesh emigrantet shqiptare ende, ata që punojnë në punë të ndershme nuk kanë dokumenta dhe shihen, si të thuash me një sy tjetër duke rrezikuar, edhe burgun. Nëse është diskutuar dhe nëse jo, a do të ketë në të ardhmen një diskutim për t’i dhënë prioritet?

MEPJ Xhaçka: Tani thuhet që cdo vend ka ligjet dhe rregullat e vete në raport me paisjen me dokumenta të të gjithë atyre që janë emigrantë apo atyre që aspirojnë të jetojnë në atë vend. Ne kemi diksutuar gjerësisht, për hir të së vërtetës, të drejtat e komunitetit shqiptar në Greqi të cilët janë një komunitet që janë integruar shumë mirë, dhe për të cilët edhe vetë shteti grek, flet për mundësi më shumë, edhe për kujdes më shumë. Dhe pikërisht ky lloj kujdesi dhe kjo lloj vëmendje ka qenë pjesë e disuktimeve tona, qoftë për të ofruar lehtësira në shërbimet konsullore, qoftë për të diskutuar për të drejtat e tyre, të drejtat e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë atje për të mësuar gjuhën shqipe, kulturën shqipe në sistemin arsimor publik të Greqisë.

Sikurse kemi folur dhe për shumë cështje të tjera që shpesh janë të ngarkuara edhe emocionalisht edhe politikisht. Gjithmonë në kuadër të zgjidhjeve që duhet të gjenden dhe në kuadër të një bashkëpunimi shumë të mirë që ne kemi sot me Greqinë dhe një vullneti reciprok për të zgjidhur të gjitha ato që janë problematika të së kaluarës por edhe ato që janë gjëra më aktuale sot, për të cilat pa diskutim shteti shqiptar është shumë i interesuar, sepse në Greqi nuk janë pak por është një komunitet, ndoshta me mbi 600 mijë shqiptarë që jetojnë, punojnë dhe janë të integruar atje.

Prandaj interesat dhe aspiratat e tyre janë në vëmendje të MEPJ dhe ne do bëjmë gjithçka në bashkëpunim me partnerët, me fqinjët, për t’i adresuar dhe për t’i lehtësuar.

Gazetarja: Zonja Ministre, çështja e detit do të shkojë në Hagë. A po e bën gati Qeveria shqiptare dosjen apo po prisni që të ndryshohet Presidneti i Republikës që mos t’ju kthehet në pengesë, siç kanë thënë në një moment kur ishte gati që të kishim një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit?

MEPJ Xhaçka: Kjo nuk është një çështje që ka lidhje vetëm me Presidentin e Republikës. Kjo çështje ka të bëjë me përgatitjet reciproke të të dyja vendeve përpara se të ulen bashkarisht për të gjendur atë që do të jetë kompromisi që do të shkojë pastaj në Gjykatë. Apo ato që janë mosdakortësitë mes nesh të cilat do të duhet pastaj të shkojnë në Gjykatë. Kështu që në atë fazë jemi, edhe kur koha të vijë dhe kur të vijë momenti që ne do të jemi gati do të ulemi për të dakortësuar një kompromis të tillë sipas të gjitha detyrimeve ligjore që kërkon edhe Gjykata ku do ta cojmë çështjen.