Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Z. Kryetar, të nderuar kolegë,

Ne e dinim se do të ndodhte dhe megjithatë fillimi i sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës sot ishte një surprizë për shumë njerëz. Sepse, megjithëse e dinim, ende shpresonim që udhëheqja ruse në momentin e fundit do arsyetonte, në momentin e fundit do të përmbahej nga ndërmarrja e një hapi kaq tragjik, kaq të tmerrshëm. Ne e dënojmë këtë sulm me shumë forcë, por për fat të keq fjalët nuk arrijnë të përcjellin thellësisht shqetësimin, zemërimin dhe dhimbjen tonë.

Por ajo që fjalët gjithashtu nuk arrijnë të përcjellin është forca e angazhimit tonë, sa e bashkuar është sot e gjithë Evropa dhe e gjithë bota kundër këtij sulmi të paligjshëm ndaj një shteti sovran në zemër të Evropës.

Dhe mos bëni gabim, ky nuk është vetëm një sulm ndaj Ukrainës, ky është një sulm ndaj sigurisë së Evropës, ndaj rendit të bazuar në rregulla ndërkombëtare. I njëjti rend i cili është themeli i bashkëjetesës për paqe në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Që nga fundi i një lufte tjetër që shkaktoi dhimbje dhe vuajtje të patregueshme, e inicuar nga një diktator tjetër, i vendosur për të kthyer ankesat historike të perceptuara dhe për t’i rikthyer lavdinë e dikurshme perandorisë së tij të shembur.

Bota sot qëndron pikërisht në një moment të tillë. Por jam e lumtur të shoh se ndryshe nga atëherë, këtë herë nuk është momenti Mynihut dhe bota demokratike është e bashkuar në një kundër këtij akti të paligjshëm agresioni, kundër një vendi sovran të pavarur, të bazuar në pretendime të rreme gjenocidi. Pretendime të rreme siç tregohen nga Misioni Special i Monitorimit, gjetjet e të cilit janë hedhur poshtë nga Rusia sot, jo sepse ka ndonjë argument apo fakt për të ofruar, por thjesht bazuar në lajme dhe pretendime të rreme.

Përgjegjësia për këtë tragjedi që shpaloset para syve tanë bie mbi udhëheqësit e Rusisë, por fatkeqësisht pasojat do të ndikojnë në jetën e miliona njerëzve të pafajshëm në Rusi dhe Ukrainë.
Liderët rus duhet të ndalojnë një moment për të parë terrorin në sytë e qytetarëve të zakonshëm që struken në stacionet e metrosë, në sytë e fëmijëve ukrainas të cilin të vetmin faj që kanë është që kanë lindur në një vend ekzistencën e të cilit lidershipi rus nuk mund ta kapërdijë dhe aty të përpiqen të kuptojnë pasojat e tmerrshme të veprimeve të tyre të paligjshme.

Sulmi ndaj Ukrainës është krim. Nuk ka fjalë tjetër për të. Pikë.

Prandaj, përgjigja e shteteve pjesë e OSBE-së dhe e komunitetit ndërkombëtar në tërësi, duhet të jetë e prerë, e koordinuar dhe me efekte të menjëhershme. Ne nuk mundemi, nuk duhet dhe nuk do t’i shpëtojmë kësaj përgjegjësie ndërkombëtare.

Përpjekjet tona kryesore, në këtë moment, duhet të jenë për të mbrojtur e jetët e njerëzve. Mendimet tona janë me popullin e Ukrainës, duke përfshirë dhe stafin e OSBE-së.
Shqipëria rithekson mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, duke përfshirë Krimenë dhe ujërat territoriale.
Në këtë moment kritik, në koordinim me partnerët tanë, ne do të ndërmarrim të gjitha aktet e nevojshme dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën, popullin dhe qeverinë e saj, në OSBE, në Bashkimin Evropian, në NATO, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në të gjitha forumet e tjera ndërkombëtare.

Kërkoj që kjo deklaratë t’i bashkëngjitet fletores zyrtare të këtij takimi.

Faleminderit!