Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, ka argumentuar në një komunikim publik me gazetarët përfundimet e Këshillit Evropian lidhur me mos çeljen e negociatave.

Në konferencën për shtyp të mbajtur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Cakaj nënvizoj qartazi se vendimi i BE-së për mos çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk lidhet me mos plotësimin e kushteve të vendosura për dy vendet por se lidhet me situatën politike në të cilën BE ndodhet sot.

“Shqipëria ashtu siç dhe Maqedonia e Veriut u trajtuan njëlloj për shkak se dyja vendet kanë plotësuar kushtet e nevojshme për çeljen e negociatave, ndaj shtyrja e vendimit nuk ka të bëjë me plotësimin e kushteve nga dy vendet por lidhet me faktorë të tjerë rrethanor që lidhen drejtpërsëdrejti me reformimin e Bashkimit Evropian.”- tha në fjalën e tij Ministri Cakaj.

Sipas tij, nëse e ardhmja e BE është në pikëpyetje, Shqipëria nuk mund të ofrojë një përgjigje.

“Bashkimi Evropian, do t’i nënshtrohet një reformimi të vetvetes, në aspektin e tij të brendshëm funksional dhe institucional”- nënvizoj ai ndërkohë që u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar kushtet në thellimin e rezultateve të vetingut, ngritjen e trupave gjyqësore si dhe luftën kundër krimit t ë organizuar dhe korrupsionit.
Ndërkohë ai konfirmoi zotimin e tij personal dhe institucional se procesi i integrimit është i pakthyeshëm.

“Shqipëria është model shembullor i reformave në rajon, duke u angazhuar aktivisht të jetësojë Evropën dhe idealet e saj në Shqipëri”- përfundoj fjalën e tij ministri Cakaj.