Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Gjatë qëndrimit në Berlin, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, zhvilloi takime edhe me Anëtarin e Komisionit për Punët e Jashtme, njëkohësisht Raportuesi i CDU/CSU për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm, Christian Schmidt, si dhe Raportuesin për Shqipërinë në Komisionin për Çështjet Evropiane në Bundestag, Manuel Sarrazin.

“Me të dy vlerësuam përparimin e madh që ka bërë Shqipëria në plotësimin e detyrimeve kryesore për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, nga reforma zgjedhore deri te lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.” – u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook lidhur me takimet e zhvilluara.

Gjithashtu, gjatë takimeve u vlerësua pozitivisht puna e bërë në përmbushje të të gjitha detyrimeve në rrugën evropiane dhe u sigurua së kjo punë do të vazhdojë me ritëm të shtuar. Shqipëria, siç thekson në postim Kryediplomati Cakaj, tashmë gëzon të gjithë kapacitetin teknik, institucional e politik për të avancuar më tej në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

“Falënderues ndaj Gjermanisë për angazhimin e vazhdueshëm për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë në çdo rrethanë.” – përfundoi reagimin Cakaj.