Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Sot është zhvilluar në Tiranë Takimi i Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatike (A5). Në takim morrën pjesë vendet anëtare dhe vëzhguese.

Ky takim u kryesua nga Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në cilësinë e vendit kryesues të Kartës së Adriatikut përgjatë këtij viti.

Në fjalën e tij, ministri Cakaj theksoi domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në përballimin e sfidave aktuale për sigurinë e rajonit si dhe vuri në dukje kontributin e Shqipërisë në përballimin e tyre.

Ministri e vuri theksin gjithashtu mbi domosdoshmërinë e zgjerimit të Kartës me vende të tjera të rajonit si Kosova, duke argumentuar se kjo do të kontribuojë jo vetëm në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal për përballimin e sfidave por edhe në integrimin e plotë euro-atlantik të tij. Sipas ministrit, Karta SHBA-Adriatike, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmë të integrimit Euro-Atlantik të vendeve tona, duke e shndërruar rajonin në një prodhues të sigurisë.

Nga ana e tyre, vendet pjesmarrëse, pasi vlerësuan lart fokusin e Shqipërisë në kryesimin e Kartës SHBA-Adriatike përgjatë këtij viti, mbështetën domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal për përballimin sa më efektiv të sfidave dhe kërcënimeve aktuale për sigurinë rajonale e më gjerë.

Takimi i shërbeu ilustrimit të aktiviteteve të Kryesisë shqiptare që në përputhje me fokusin e vënë gjatë kryesimit të kësaj nisme, u fokusua në forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A-5, në funksion të përballimit të sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe kryesisht, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Po ashtu, takimi i kushtoi vëmendje përpjekjeve për integrimin europian atlantik të rajonit si dhe domosdoshmërisë së zgjerimit të Kartës SHBA-Adriatike me Kosovën.

Ky takim shënoi edhe fundin e kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike pas së cilës, zyrtarisht, kryesinë e merr Bosnjë-Hercegovina.

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT

Takimi i Kryesisë së Shqipërisë 2019 i Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut – SHBA

13 Dhjetor 2019, Tiranë

1. Ne, Ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Republikës së Kroacisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u mblodhëm në Tiranë, më 13 dhjetor 2019, nën Kryesinë e Shqipërisë, të Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut – SHBA.

2. Ne i shprehim ngushëllimet tona të përzemërta Shqipërisë për viktimat e shkaktuara nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit dhe përcjellim solidaritetin tonë të plotë për popullin shqiptar, në këto momente të vështira. Anëtarët e Kartës dhe vendet vëzhguese kanë kontribuar me zell, në dhënien e ndihmës emergjente dhe në adresimin e pasojave të një katastrofe kaq të rëndë natyrore. Kjo është një shenjë e solidaritetit dhe e angazhimeve tona të përbashkëta, për të zhvilluar dhe ndërtuar aftësi të përbashkëta, për t’iu përgjigjur katastrofave të tilla natyrore.

3. Forcimi i mëtejshëm i vlerave demokratike dhe lirive themelore, respektimi i të drejtave të njeriut dhe përforcimi i sundimit të ligjit, janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm në proceset e integrimit europian dhe euro-atlantik, që është i rëndësishëm për qendrueshmërinë e përgjithshme dhe begatinë e rajonit.

4. Karta SHBA- Adriatike (A5), që nga nënshkrimi i saj, në 2003, në Tiranë, ka luajtur një rol të rëndësishëm për të ndihmuar vendet anëtare dhe vëzhguese të përparojnë drejt integrimit euro-atlantik dhe në rritjen e sigurisë rajonale. Ne i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme dhe rolin konstruktiv në rajon, siç dëshmohet nga përkushtimi i tyre i fortë ndaj kësaj Karte.

5. Ne mbështesim perspektivën europiane për të gjithë rajonin, që mbetet thelbësore për qendrueshmërinë dhe begatinë e rajonit. Prandaj, shprehim keqardhjen që nuk u arrit konsensusi për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përveç kësaj, ne theksojmë rëndësinë për një integrim më të gjerë për Bosnjë dhe Hercegovinën, si dhe liberalizimin e vizave të BE-së për Kosovën , sa më shpejt që të jetë e mundur.

6. Ne presim me padurim anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut si aleate e 30të e NATO-s, anëtarësim ky që do të kontribuojë ndjeshëm në sigurinë dhe qendrueshmërinë rajonale. Ne inkurajojmë përfundimin e shpejtë të procesit të ratifikimit të Protokollit të Aderimit, nga të gjithë Aleatët e NATO-s.

7. Ne mirëpresim vendimin e 19 nëntorit, nga Presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës, për të paraqitur një Program Reformash në NATO. Ne, gjithashtu, mirëpresim emërimin e Kryetarit të ri të Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës nga Presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe konfirmimin e tij nga Asambleja Parlamentare e Bosnjës dhe Hercegovinës, më 4 dhjetor 2019. Vendet anëtare të NATO-s në A5 janë të angazhuara për të dhënë mbështetje politike dhe ndihmë praktike për Bosnjën dhe Hercegovinën, në frymën e Kartës A5.

8. Prania 20-vjeçare e NATO-s në Kosovë, vijon t’i shërbejë qendrueshmërisë në rajon. Ne i përshëndesim zgjedhjet e mbajtura në mënyrë demokratike, në tetor në Kosovë, të cilat u vlerësuan si të drejta dhe transparente, megjithë shqetësimet në disa fusha për frikësim dhe mungesë të pluralizmit politik. Rezultatet u pranuan nga të gjitha partitë, duke përgatitur kalimin paqësor të qeverisjes.

9. Ne, gjithashtu, mbështesim partneritetin aktiv të Serbisë me NATO-n për çështje me interes të përbashkët, me një fokus të rëndësishëm në mbështetjen për reformat demokratike, institucionale dhe të Mbrojtjes.

10. Ne theksojmë nevojën që Prishtina dhe Beogradi të rinisin bisedimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi, sa më shpejt të jetë e mundur. Normalizimi është thelbësor për të dyja palët, për të ecur përpara në rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së dhe i natyrshëm për qendrueshmërinë në të gjithë rajonin.

11. Ne riafirmojmë angazhimin tonë të fortë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe angazhohemi të forcojmë më tej kontributet tona kombëtare dhe të përbashkëta në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS-in. Kontributet e përbashkëta për angazhimet e udhëhequra prej Aleancës, nga anëtarët e A5, janë një kontribut i matshëm në përpjekjet e Koalicionit. Mbështetur në përvojën tonë të suksesshme të përbashkët në Misionin Resolute Support, ne miratojmë në parim propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për një kontribut të përbashkët në misionin e NATO-s në Irak, në vitin 2020.

12. Ne riafirmojmë angazhimin tonë për politikën e Dyerve të Hapura të Kartës sonë për vendet e Europës Juglindore. Në këtë kontekst, ne mirëpresim ngrohtësisht pjesëmarrjen e vendeve vëzhguese: Kosovës, Sllovenisë dhe Serbisë. Kontributet e tyre i japin këtij forumi një përmasë të vërtetë rajonale. Tre vende anëtare të A5 dhe një vend vëzhgues janë tashmë anëtarë të NATO-s dhe një tjetër është në proces të bëhet anëtari i 30të. Kjo është dëshmi se A5 po jep dhe po përmbush me sukses misionin për të cilin u krijua 16 vite më parë. Ne mbështesim fuqimisht zgjerimin e Kartës, në mënyrë që të vazhdojmë me misionin tonë dhe t’iu lejojmë të tjerëve në rajon të përfitojnë plotësisht nga kjo nismë. Për këtë qëllim, zgjidhja e çështjes në pritje, e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në A5 është shumë e vonuar dhe duhet të zgjidhet në 12 muajt e ardhshëm.

13. Ne rreshtohemi me përfundimet e Takimit të Ministrave të Mbrojtjes së Kartës SHBA Adriatike që u mbajt në datat 10 – 11 dhjetor 2019, në Tiranë, Shqipëri, dhe angazhimin e përtërirë për sigurinë rajonale dhe atë trans-atlantike.

14. Ne i paraqesim mirënjohjen tonë Shqipërisë për Kryesinë e saj aktive dhe të suksesshme të Kartës, gjatë vitit 2019. Ne vlerësojmë në veçanti fokusimin e saj në shpeshtimin e përpjekjeve tona për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, në mënyrë aktive dhe të efektshme.

15. Ne i shprehim urimin tonë Bosnjë-Hercegovinës për një kryesim të suksesshëm gjatë vitit 2020.