Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti në takim  Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Miro Cerar, në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë. Bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet miqësore, tradicionalisht shumë të mira dhe me ecuri pozitive ndër vite mes vendeve. Ministri Bushati vlerësoi qëndrimin mbështetës të Sllovenisë për hapjen e negociatave me BE, në muajin qershor 2019, mbështetje e cila vjen si rezultat i leximit të rezultateve konkrete në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Po ashtu, Ministri Bushati nënvizoi se një rol proaktiv dhe lobues i Sllovenisë, ashtu siç ka qenë për marrjen e statusit të vendit kandidat, do të ishte më se i mirëpritur edhe për hapjen e negociatave në qershor 2019. Ministri Bushati falënderoi homologun slloven për mbështetjen e Shqipërisë për Kryesinë e OSBE-së për vitin 2020 dhe u shpreh optimist për rakordimin e veprimeve të përbashkëta për sigurimin e vendit të anëtarit të përkohshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë të OKB për periudhën, 2022-2023.

Gjatë bisedimeve konstruktive dhe miqësore u theksua se rajoni i Ballkanit Perëndimor, duhet të ketë një të ardhme të qartë në Bashkimin Evropian dhe po aq i rëndësishëm mbetet edhe integrimi dhe bashkëpunimi midis vetë këtyre vendeve. Po ashtu, bashkëbiseduesit vunë në dukje rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në drejtim të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë bisedës, u nënvizua nevoja për një rritje cilësore dhe impulse të reja në thellimin e bashkëpunimit ekonomik për ta ngritur këtë në nivelin e bashkëpunimit politik. Në këtë kuadër, dy ministrat përshëndetën Forumin e Biznesit shqiptaro-slloven, duke vlerësuar interesin e dyanshëm dhe potencialin real të pashfrytëzur deri tani duke theksuar se bashkëpunimi ekonomik, do të jetë një prioritet për dy ministritë e Jashtme dhe diplomacinë ekonomike.

Ministri Bushati theksoi se Forumi i biznesit është dëshmia e fundit e angazhimit të përbashkët si dhe një konfirmim i potencialit real për ritjen e shkëmbimeve tregtare, fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe nxitjen e investimeve. Në këtë kontekst, në Forumin e Biznesit Shqipëri-Slloveni, u vu theksi tek rëndësia e bashkëpunimit në fushën  e turizmit, energjisë, mjedisit, agro-përpunimit, farmaceutikës, infrastrukturës, etj.

Konferenca e përbashkët për shtyp, Bushati-Cerar

Mirëmëngjesi të gjithëve,

Është kënaqësi për mua që sot në Tiranë mikpres Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, zotin Miro Cerar, gjithashtu Miro mirëserdhe në Tiranë. Gjatë kësaj vizite në patëm mundësi për të shkëmbyer pikëpamje në lidhje me ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë, në plan politik, ekonomik dhe tregtar. Vlerësojmë ndihmën e çmuar të Sllovenisë në kuadër të procesit të integrimit europian. Dëshiroj të kujtoj që Sllovenia është një vend mbështetës në procesin e zgjerimit, një vend mbështetës për Shqipërinë, mbështetje e cila është demonstruar në 2014, në momentin që Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat, por edhe gjatë diskutimeve të zjarrta në Këshillin e kaluar në qershor ku Sllovenia u rendit qartazi në grupin e vendeve mbështetëse për Shqipërinë. Gjithashtu patëm një diskutim të frytshëm për sa i përket dhe bashkëpunimit tonë në organizatat ndërkombëtare, siç dihet vendi ynë ka shprehur ambicien për të marrë drejtimin e OSBE në vitin 2020, dhe jemi të gëzuar që Sllovenia e mbështet zyrtarisht kandidaturën e Shqipërisë për në 2020. Gjithashtu kemi diskutuar edhe në lidhje me angazhimin tonë të përbashkët në OKB, me ministerialin e ardhshëm të NATO-s ku Shqipëria dhe Sllovenia bashkëpunojnë, bashkërendojnë pikëpamjet e tyre, kryesisht për sa i përket sfidave me të cilat ndeshet mjedisi i sigurisë i Ballkanit Perëndimor apo në Europën Juglindore.

Sot ne gjithashtu do të kemi mudnësi që së bashku me komunitetin e biznesit në dy vendet tona të mbajmë një forum biznesi. Shpresojmë dhe dëshirojmë2 që ky forum biznesi që po zhvillohet sot në Tiranë, të jetë dhe një sinjal i qartë, një shkëndije inkurajuese për të shtuar vëllimet tregtare mes dy vendeve tona për të rritur impulsin e bashkëpunimit ekonomik i cili nuk reflekton për hir të së vërtetës marrëdhënien shumë të mirë në planin politik që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë. Pjesë e diskutimeve tona sot ishte dhe shkëmbimi i analizës dhe vështrimit për situatën e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Me kënaqësi konstatoj që ka një njëmendësi për sa i përket mënyrës se si Shqipëria dhe Sllovenia shohin shumë zhvillime në rajon dhe në të njëjtën kohë shprehim vullnetin tonë për të vijuar punën bashkarisht për të dhënë kontributin e duhur për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit demokratik të rajonit dhe për të siguruar perspektivën europiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit. Dëshiroj tia kaloj fjalën mikut Miror Cerar, duke e falënderuar dhe njëherë tjetër për vizitën e sotme në Tiranë. Fjala për ju!

Fjala e Zëvendëkryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm slloven,  Miror Cerar

Faleminderit shumë. Jam shumë i gëzuar që gjendem sot këtu dhe do të doja që të falënderoja Ministrin e Punëve të Jashtme, kolegun tim të dashur Ditmir, për mirëseardhjen e tij mjaft të ngrohtë e të mirësjelltë në kryeqytetin e tij.

Jam vërtet i kënaqur që marrëdhëniet midis Sllovenisë dhe Shqipërisë janë miqësore dhe pas asnjë çështje të hapur dhe mund të them që kemi tashme një çerek shekulli nga vendosja e marrëdhënieve tona diplomatike dhe në të njëjtën kohë jam shumë i lumtur që t’ju përgëzoj për përvjetorin e nesërm të Ditës së Pavarësisë. Duhet të jeni mjaft krenar për vendin tuaj, dhe do të  thoja që është një vend mjaft i bukur ndaj meriton që të vijojë me përparimin që është bërë tashmë. Në fakt jemi mjaft të interesuar për intensifikimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe jam i bindur që ka mjaft mundësi për të përforcuar më tej bashkëpunimin tashmë të mirë sidomos në fushën e ekonomisë. Ashtu siç dëgjuat ne kemi ardhur, faktikisht unë kam ardhur këtu, me një grup të shquar biznesmenësh slloven e përfaqësues të dhomës sonë të tregtisë dhe unë besoj se takimi i njerëzve nga biznesi do të kontribuojë për një bashkëpunim më të mirë ekonomik që për momentin  është ende modest edhe pse shkëmbimi tregtar shkon mbi 53 milion euro. Sërish është modest pasi kemi ende mjaft mundësi për ta zgjeruar këtë bashkëpunim dhe përfundimisht do ta bëjmë një gjë të tillë.

Ashtu siç tha dhe Ditmiri ne në mënyrë konstante dhe aktive mbështesim integrimin në BE të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Ne njohëm hapat domethënëse që Shqipëria ka kryer në rrugëtimin e saj evropian gjatë viteve të fundit dhe presim që negociatat do të nisin në qershorin e vitit tjetër. Sllovenia në mënyrë absolute do të mbështesë shumë fortë që këto negociata anëtarësimi të nisin për Shqipërinë në qershor të vitit të ardhshëm. Ne mirëpresim fillimin e zbatimit të reformave të ndryshme sidomos të një reforme siç është ajo e gjyqësorit edhe pse e di që është një proces mjaft i vështirë por i nevojshëm për t’u bërë më të zhvilluar e për tu bërë anëtarë të BE-së. Po kështu jam mirënjohës që jemi aleatë të mirë në NATO dhe që ndajmë kaq shumë këndvështrime për çështje që kanë të bëjnë me rajonin, rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kemi diskutuar çështje midis  Serbisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, mes të tjerash ne mund të them që ne ndajmë këndvështrimet dhe kuptojmë se procesi i integrimit evropian duhet të vazhdojë.  Unë besoj se BE-ja duhet ta lërë derën hapur për të gjitha këto vende por ato duhet të trajtohen mbi baza individuale, ku secili prej vendeve përmbush kushtet e nevojshme. Më pas ata mund të vazhdojnë të ecin në këtë proces reformash. Unë vërtet uroj që reforma vazhdon me sukses. E thamë tashmë që do ta mbështesim Shqipërinë në kandidaturën e Kryesisë së saj në OSBE për 2020.  Kështu ka edhe të tjera mbështetje reciproke midis vendeve që janë shumë të rëndësishme. Së fundmi por jo nga rëndësia ka gjithashtu edhe një bashkëpunim apo zhvillim në bashkëpunim ndërkohë që Sllovenia ka dhënë 2 milion euro për ndihmë teknike për Shqipërinë edhe do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në kontekstin e procesit të saj të integrimit në BE, sidomos duke zbatuar projekte dypalëshe të ndihmës teknike që synojnë për përforcimin e mirëqeverisjes që janë projekte binjakëzimi e kështu me radhë. Pra duam të jemi sa më të dobishëm, të ofrojmë ekspertizën e çdo njohuri e gjithçka që mundemi për të mbështetur reformat tuaja dhe rrugëtimin tuaj deri në anëtarësimin përfundimtar në BE.

Kështu që faleminderit shumë për mikpritjen e ngrohtë siç e thashë dhe ju uroj çdo të mirë në muajt dhe në vitet në vijim.

 

Pyetje- Mariglen Kume- Tema TV: Dje sekretari Pompeo dhe Presidenti i Kosovës, zoti Hashim Thaçi zhvilluan një takim dhe në përfundim dolën në një deklaratë që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë në një marrëveshje të qëndrueshme dhe të zbatueshme. Si e shihni këtë qëndrim të Amerikës, dhe a e përjashton kjo mundësinë e korrigjimit të kufijve. Për të dy ministrat pyetja.

Ministri Bushati: Faleminderit për pyetjen. Vetëm se më duhet t’ju kujtoj që unë jam Ministër i Punëve të Jashtme dhe nuk jam analist. Dhe në këtë kontekst e kam të vështirë të bëj interpretime implicite për qëndrime eksplicite të SHBA, roli i të cilëve është i pazëvendësueshëm për perimetrin e sigurisë së Evropës Juglindore, pa përmendur këtu kontributin e pazëvendësueshëm të tyre për kombin shqiptar dhe për Pavarësinë e Kosovës. Mendoj që deklarata e Sekretarit të Shtetit, e djeshme, pas takimit me Presidentin e Republikës së Kosovës, është e qartë dhe bën thirrje për një marrëvsehje siç e thatë ju të qëndrueshme, të zbatueshme e për një marrëveshje që mbi të gjitha do të shtojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Ministri Cerar: Siç e dini Sllovenia ka qënë nga shtetet e para që ka njohur pavarsinë e Kosovës, por në të njëjtën kohë kemi marrëdhënie miqësore me të dyja vendet Kosovën dhe Serbinë.. Ju urojmë atyre do të thoja një mënyrë të suksesshme për një marrëveshje të zbatueshme. E kuptojmë që ky është një process mjaft i vështirë por besojmë në dialog dhe besojmë që dialogu duhet të vijoj dhe të sjellë marrëveshje që do tu japin mundësinë të dyja vendeve dhe të dyja popujve që të jetojnë në paqe dhe pa konflikte të mëtejshme. Është kësisoj shumë e rëndësishme që nëse ka një marrëveshje të re për kufijtë, ajo të jetë shumë konkrete, shumë precise, e zbatueshme dhe duhet të jetë një shembull i mirë për të gjithë rajonin, jo një shëmbull i keq, kështu që sigurisht këtë duhet t’ia lëmë të dyja vendeve, ato duhet të gjejnë marrëveshjet dhe ne do të vijojmë përherë të mbështesim dialogun dhe rrugën politike për të gjetur një marrëveshje të tillë.

Pyetje Ola Mitre- TV Scan: Përmendët që bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimi tregtar mes dy vendeve është në nivele jo shumë të pëlqyeshme. Cilat kanë qenë disa nga ngërçet që kanë sjellë në këtë situatë dhe cilat janë disa nga masat që ju përmendët se do të ndikojnë në rritjen e këtyre shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik mes vendeve. Një pyetje për të dy ministrat.

Ministri Bushati: Besojmë se sa më shumë avancon Shqipëria në procesin e integrimit Evropian dhe sa më shumë BE është i përqendruar seriozisht tek çështje që kanë të bëjnë me ndërlidhshmërinë e rajonit tonë aq më shumë rriten shanset për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve tona. Paradoksalisht jemi afër dhe larg, afër gjeografikisht po larg fizikisht për shkak të mungesës së ndërlidhshmërisë dhe për shkak të faktit që gjatë këtyre viteve më shumë është folur se sa vepruar konkretisht në këtë drejtim. Nuk besoj se ka munguar vullneti politik qoftë në Shqipëri apo në Slloveni për tu afruar fizikisht, por ende mesa duket nuk ka një strategji të qartë të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se kur dhe si do të finalizohet procesi i ndërlidhjes së Europës Juglindore. Po ju jap një shembull: Autostrada e Kaltër, apo Korridori Blu siç e quajmë ndryshe që është një ndër dy akset kryesore që pritet të mbështetet në procesin e Berlinit, natyrisht që do të krijonte një mundësi të artë për të mbyllur nga pikëpamja e infrastrukturës të gjithë unazën e turizmit mesdhetar, duke filluar nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria për të përfunduar në Greqi. Pra, do të kishte një impakt për ekonominë e rajonit në kuptimin e gjerë të fjalës. Fakti që sot biznesi slloven që ka ardhur në Shqipëri për të takuar dhe bashkëbiseduar me biznesin shqiptar, është i përqendruar në fusha të tilla si mjedisi, infrastruktura e kështu me radhë, do të thotë që këto fusha që janë përcaktuar si fusha ku ekonomia sllovene ka një avantazh të krahasuar dhe mund të transferojë dhe njohuri që në gjuhën angleze përkthehet në: “know-how”, do të thotë që ekziston një mundësi dhe nga ana e biznesit shqiptar për të përthithur në radhë të parë këtë njohuri dhe për të bashkuar forcat në mënyrë që në të kemi një intensifikim dhe të dimensionit ekonomik. Po kështu unë çmoj lart ekspertizën sllovene, sidomos në kuadër të procesit të integrimit europian, jo thjesht në retorikën që përmban ky proces në vetvete, po në transpozimin apo përthithjen e atyre standardeve të BE që shpesh herë janë të ndërlikuara, të detajuara, sidomos në fushën e bujqësisë dhe mjedisit të cilat shpresoj e uroj dhe do të punoj për aq sa kam mundësi të përthithen më së miri nga ana jonë. Por gjithsesi ky është një proces i dyanshëm dhe ne çmojmë lart faktin që për herë të parë një vizitë e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Sllovenisë shoqërohet edhe me zhvillimin e këtij aktiviteti për të cilin natyrisht një rol të madh ka luajtur dhe ambasada sllovene në Tiranë dhe Dhoma e Tregtisë e Tiranës.

Ministri Cerar:  I dashur, I nderuari kolegu im Ditmir shpjegoi pothuajse cdo gjë kështu që do doja të shtoja ndoshta se Sllovenia ka qënë tradicionalisht e lidhur si të thuash, ka qenë e lidhur me tregtinë, ka qënë pjesë e ish Jugosllavis dhe tregtia jonë është zhvilluar më vonë megjithatë Ditmiri tha që nuk ka pengesa në nivel politik por duhet të itentifikojmë kontaktet tona për tu hapur dyer njerzve të biznesit në të gjitha llojet dhe do të vijojm të abëjmë një gjë të tillë. Jam shumë i gëzuar që Ministri jonë i Ekonomisë e vizitoi Tiranën vitin e kaluar dhe konsultimet e para midis Shqipërisë dhe Sllovenisë janë mbajtur në 11 tetor të këtij viti në Tiranë dhe siç u tha kemi me vete delegacionin tonë slloven përbërë nga njerëz të biznesit, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë etj. Ndoshta mund tju them po ashtu se vlera e investimeve sllovene në Shqipëri shkon në 18 milion euro kjo deri në fund të 2017, megjithatë për fat të keq nuk ka patur investime të Shqipërisë në Slloveni, ende pra, do të donim të ftonim kompanit shqiptare që të vinin në Slloveni, të eksploronin mjedisin tonë të biznesit dhe të investonin në vendin tonë. Ka shumë potenciale, sidomos në fushën e mbrojtjes mjedisore, të energjitikës, të bujqësisë, industrisë ushqimore dhe sigurisht të infrastrukturës e turizmit. Ndaj unë mendoj se ka shumë mundësi nga të cilat duhet të përfitojmë në të ardhmen.

Faleminderit shumë.