Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me homologun e tij italian, Enzo Moavero Milanesi, në vijim të Samitit të NATO-s.

Ministri Bushati i përsëriti homologut Milanesi, urimet me rastin e marrjes së detyrës së re dhe shprehu besimin në fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Nga ana e tij ministri italian, shprehu vlerësim për stadin e tanishëm të marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë dhe shprehu vullnetin e palëkundur për fuqizimin e rrugës evropiane të Shqipërisë dhe mbështetjen e Italisë në këtë proces.

Gjatë bisedës, të dy ministrat, ndanë mendimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe interesat që bashkëndajnë të dyja vendet në Mesdhe, duke rënë dakord për gjetjen e modaliteteve dhe mundësive të reja në këtë drejtim.

Ministri Bushati e ftoi homologun italian, të zhvillojë një vizitë në Shqipëri në një kohë të përshtatshme, ftesë që u mirëprit me kënaqësi nga Ministri Milanesi.