Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë, Enzo Moavero Milanesi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet miqësore, tradicionalisht shumë të mira dhe me ecuri pozitive ndër vite mes vendeve.

Ministri Bushati theksoi se partneriteti strategjik midis dy vendeve është një garanci për të pasur një bashkëpunim edhe më të madh dhe të gjithanshëm si në aspektin dypalësh, veçanërisht atë ekonomik dhe tregtar, ashtu edhe në zhvillimet rajonale dhe globale.

Ministri Bushati vlerësoi qëndrimin mbështetës dhe lobues të Italisë për hapjen e negociatave me BE, në muajin qershor 2019, mbështetje e cila vjen si pasojë e leximit të rezultateve konkrete në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Gjithashtu, Ministri Bushati falënderoi homologun italian për mbështetjen e Shqipërisë për lobimin në marrjen e Kryesisë së OSBE-së për vitin 2020 dhe shprehu angazhimin për të punuar ngushtësisht brenda Trojkës së OSBE-së.  Ai i shprehu mirënjohjen Italisë për mbështetjen që do të ofrojë në drejtimin e Grupit të kontaktit për Mesdheun në 2019, Kryesinë e OSBE-së në 2020 dhe Grupin e kontaktit për Azinë në 2021.

Ministri Bushati u shpreh optimist për mbështetjen e mëtejshme dhe rakordimin e veprimeve të përbashkëta për sigurimin e vendit të anëtarit të përkohshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë së OKB për periudhën 2022-2023. Italia mbetet partneri ynë i parë tregtar dhe një nga vendet donatore më kryesore. Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Italisë ka arritur një nivel domethënës që konfirmon Shqipërinë si një partner strategjik për sipërmarrjen italiane si dhe një derë hyrëse për tregun në Ballkanin Perëndimor.

Në takim u nënvizua nevoja për një rritje cilësore dhe impulse të reja në thellimin e bashkëpunimit ekonomik për ta ngritur këtë bashkëpunim në nivelin e bashkëpunimit politik, shfrytëzimin e potencialit për forcimin e shkëmbimeve tregtare, bashkëpunimit ekonomik, si dhe nxitjes së investimeve. Në këtë kontekst, palët vunë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit në fushën energjetike, në fushën e turizmit, mjedisin, etj.

Gjatë bisedimeve u theksua se rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të ketë një të ardhme të qartë në Bashkimin Evropian dhe po aq i rëndësishëm mbetet edhe integrimi dhe bashkëpunimi midis vetë këtyre vendeve. Bashkëbiseduesit vunë në dukje rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në drejtim te stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Arbëreshët, komuniteti shqiptar i pas viteve ’90-të, dhe prezenca e shume qytetarëve italianë në Shqipëri përbëjnë urat dhe themelet e miqësisë dhe lidhjeve të shumëfishta mes dy popujve dhe për të cilat, duhet të punohet për ruajtjen e identitetit kombëtar, integrimin e plotë në realitetin ekonomik, social, kulturor, politik, e intelektual.

 

Konferencë e përbashkët për shtyp e ministrit të MEPJ, Ditmir Bushati me homologun italian, Enzo Moavero Milanesi

Fjala e ministrit Bushati

Mirëdita të gjithëve,

Ishte realisht kënaqësi për mua sot që të mirëprisja në Tiranë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, kolegun dhe mikun Enzo Moavero, me të cilin kemi pasur një bashkëpunim, do të thoja të shkëlqyer, jo vetëm në planin ndërshtetëror, duke qenë se Shqipëria e konsideron Italinë si një vend partner strategjik, portën tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por edhe në planin njerëzor, duke filluar që me takimin që u zhvillua në qershor të vitit të kaluar nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian teksa Bashkimi Evropian po merrte në shqyrtim rastin e Shqipërisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, krizën në Mesdhe, ku Shqipëria bashkëpunoi me Italinë mike duke i dhënë mundësinë në parim një grupi refugjatësh për t’u strehuar në Shqipëri, duke qenë se po kalonin kohë të vështira në Mesdhe. Ky bashkëpunim i yni është përforcuar brenda NATO-s dhe për më tepër, do të thoja, në suazën e OSBE-së.

Dua ta falënderoj në emër të Qeverisë Shqiptare, në emër të institucioneve dhe popullit shqiptar, mikun tim, ministrin e Jashtëm italian, Moavero, për gjithë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për të marrë kryesinë e OSBE-së, duke na dhënë në të njëjtën kohë mundësinë për të mësuar nga eksperienca e vyer italiane, duke qenë pjesë e Trojkës së OSBE-së, sepse për Shqipërinë do të jetë hera e parë, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të testuar kapacitetet tona diplomatike, politike, ndërvepruese jo vetëm me Italinë dhe Sllovakinë si pjesë e Trojkës, por edhe me vendet e tjera të cilat në shumë raste mund të kenë gjykime dhe opinione krejt të ndryshme nga vendi ynë.

Gjithashtu unë sot dua t’i shpreh mirënjohjen Ministrit Moavero, Italisë mike, për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në mënyrë konsistente në procesin e integrimit evropian.

Dua të kujtoj edhe njëherë për qytetarët tanë që Italia ishte një nga vendet pararojë edhe në qershorin e vitit të kaluar, në mbështetje të një vendimi për nisjen e menjëhershme të bisedimeve për anëtarësim, sepse në fund të ditës është në interesin edhe të Bashkimit Evropian dhe jo thjesht Shqipërisë, nisja e këtij procesi një orë e më parë.

Dhe gjithashtu sot mora edhe mbështetje dhe u sigurova që Italia do të vijojë të mbështesë nismën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim brenda vitit 2019.

Për ne, pavarësisht vështirësive që kalon Bashkimi Evropian dhe procesi i Integrimit Evropian, Evropa është një ideal, Evropa është destinacion dhe Evropa është nevoja jonë për t’u reformuar së brendshmi dhe për të zhvilluar më tej ekonominë shqiptare dhe për të projektuar më shumë stabilitet demokratik në rajon dhe Mesdhe.

Gjithashtu me Italinë ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer edhe në kuadër të Nismës Qendrore Evropiane dhe do të vijojmë që të sinkronizojmë përpjekjet tona dhe iniciativat tona për të projektuar më shumë stabilitet demokratik, më shumë prosperitet në Ballkan dhe në Mesdhe.

Është kënaqësi dhe nuk mund ta fsheh aspak faktin që Ministri Moavero nuk i bëri bisht traditës tanimë të vendosur nga shteti fqinj, miku fqinj, Italia për ta filluar vizitën në vendet e Ballkanit Perëndimor nga Tirana.

Mund ta konsideroni lehtësisht Shqipërinë vendin tuaj, familjen apo shtetin tuaj të dytë në këtë drejtim dhe duke përfunduar, më lejoni i dashur Enzo që të falënderoj nga zemra edhe punën e dy ambasadorëve, Ambasadorit Italian në Shqipëri dhe Ambasadores tonë në Itali sepse teksa ne kemi hyrë në 2019, kemi bërë hapa tejet pozitive edhe për sa i përket lehtësimit të procedurave konsullore, shkurtimit të një sërë dokumentesh që duheshin deri në vitin që lamë pas që do të ndihmojnë natyrisht shtetasit shqiptarë, komunitetin shqiptar që jeton në Itali dhe shpresoj që ne nga ana tjetër të kemi mundësi që edhe atyre shtetasve që konsiderohen si në një territor italian në Shqipëri apo italianëve që jetojnë në Shqipëri, të vijojmë t’ju ofrojmë  lehtësira për të investuar në Shqipëri.

Faleminderit edhe njëherë tjetër.

 

Fjala e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Enzo Moavero Milanesi

Zoti Ministër,

Mik i dashur,

Ishte një kënaqësi e madhe, përveçse edhe shumë interesant dhe stimulues takimi ynë, i zhvilluar në Tiranë dhe saktësisht në atmosferën që na kujtove këtu. Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë i kanë rrënjët të thella në histori. Le të kujtojmë që ekzistojnë komunitete shqiptare në Itali prej qindra e qindra vitesh që i kanë ruajtur traditat e tyre kulturore e gjuhësore dhe janë në mënyrë të qëndrueshme pjesë e realitetit tonë.

Dy vende që lagen nga deti Adriatik dhe Jon, pra janë të lidhur gjeografikisht, historikisht, kulturalisht dhe nga marrëdhëniet e fuqishme ekonomike dhe tregtare në ditët tona, janë të lidhura dhe unë e kam për zemër ta ritheksoj, nga prania e përbashkët e organizmave të rëndësishme ndërkombëtare, OKB, NATO dhe OSBE, të cilën Italia e ka kryesuar në vitin 2018 dhe Shqipëria do marrë kryesinë në vitin 2020, pra, gjatë këtyre muajve të 2019-ës do të jemi pjesë e Trojkës, në funksion të Presidencës së ardhshme të Shqipërisë.

Do të punojmë së bashku për një asociim ndërkombëtar, për një organizim ndërkombëtar që ka atë vlerë të madhe, të bëjë bashkë në një tryezë, vende të ndryshme, sikurse themi që nga Toronto deri në Vladivostok, vende të cilat shpesh kanë vështirësi komunikimi. Sikurse kemi parë edhe në Milano, në ministerial, këto vende mund të ulen në të njëjtën tryezë dhe të kenë komunikim të frytshëm. Kjo ishte një përvojë shumë e rëndësishme dhe Shqipëria do të ketë mundësinë e madhe për ta drejtuar gjatë vitit 2020.

Bashkë ndajmë edhe kuadrin e të ashtuquajturës Nismë të Evropës Qendrore që ka të bëjë me zonën qendrore Evropiane dhe Ballkanin që do të jetë një mundësi e rëndësishme dialogu, veprimi të përbashkët, analize të çështjeve që i përkasin vendeve që bashkë ndajnë perspektivën e Mesdheut Qendror dhe Lindor. Një zonë që është shumë e ndjeshme, shumë e rëndësishme nga këndvështrimi politik, për fat të keq edhe nga ana e konflikteve,  si dhe e rëndësishme nga pikëpamja ekonomike dhe tregtare. Janë lidhjet që kemi nga kjo pikë e Mesdheut, që nga kanali i Suezit, thelbësore për shkëmbimet në një botë të globalizuar. Ndaj quaj të rëndësishme të deklaroj se Italia që ka presidencën e Nismës së Evropës Qendrore për vitin 2019, në qershor do të zhvillojë në Trieste ministerialin. Një qytet i afërt me zonën Ballkanike dhe Shqipërinë. Kisha dëshirë ta jepja këtë njoftim në këtë rast nga Tirana, jo nga Roma, në shenjë miqësie midis dy vendeve.

Me mikun tim Bushati kemi punuar shumë mirë së bashku. Kemi pasur takime të shpeshta në kuadër të NATO-s, OKB dhe OSBE-së. Dua të theksoj se kemi pasur marrëdhënie pune të shkëlqyera, të shkëlqyera në nivelin më të lartë. Gjithmonë kam admiruar aftësinë e Ministrit për të përballuar problemet dhe veprimet komplekse, në mënyrë të veçantë në kuadrin e diskutimit aktual në nivel të Bashkimit Evropian, mbi vendimin për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Kemi marrëdhënie dypalëshe të rëndësishme dhe ndajmë të njëjtin vizion, të njëjtin pozicion në kuadër të marrëdhënieve shumëpalëshe. Për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe do doja të theksoja dy,  profilin ekomomik dhe kulturor.

Shumë studentë shqiptarë studiojnë në Itali. Duke qenë se gjuha italiane është gjuha e katërt më e studiuar në botë, ka një interes kulturor të njohjes së gjuhës italiane.  Kështu ne e shohim me interes të lartë bashkëpunimin në fushën e arsimit, e më gjerë. Them shpesh se kultura ka privilegjin t’ju flasë zemrave. Atje ku ekonomia, tregtia flasin me “trurin”, kultura flet me zemër. Zemra e cila dikton ndjenjat, dikton miqësinë.

Është zemra që na ka lidhur ne personalisht, por edhe shqiptarët dhe italianët.

 

Pyetje nga gazetarët

Pyetje: Mirëdita. Një pyetje për Ministrin italian. Zoti Ministër, do të doja të dija se çfarë mbështetjeje Italia mund të japë për Shqipërinë në kuadër të Trojkës së OSBE-së? Dhe një pyetje për Ministrin Bushati, nëse më lejohet të dalë pak jashtë kuadrit të këtij takimi, por që lidhet me diplomacinë. Situata e krijuar si mendon se do të ndikojë për pasuesin tuaj, sa mendoni se ndikon në prioritetet e politikës së Jashtme shqiptare? Sa mund t’i dëmtojë ato? Faleminderit.

Ministri Milanesi: Përgjigjja është e thjeshtë. Ne kemi patur një përvojë shumë të rëndësishme gjatë vitit 2018, e cila është ndarë midis dy qeverive që kanë pasuar njëra-tjetrën, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe kemi mbështetur fuqimisht, kemi dëshiruar dhe propaganduar që kryesia për vitin 2020 të merret nga Shqipëria. Këtë e kemi bërë në frymën e një vazhdimësie të veprimeve dhe si pasojë e asaj çfarë ne jemi përpjekur të mbjellim gjatë kryesimit në 2018, dhe urojmë që të marrim fryte gjatë kryesimit të Shqipërisë në 2020. OSBE është një organizatë shumë e rëndësishme, është një organizatë e cila bën të mundur të shndërrohen diskutime të forta rreth tryezave, në mungesë të së cilave situatat do përkeqësoheshin në konflikte. Prandaj Shqipëria ka një detyrë shumë të rëndësishme dhe ne do t’i japim maksimumin e asistencës mbi bazën e gjithçkaje që ne kemi mësuar gjatë këtij viti, gjatë kryesisë italiane.

Ministri Bushati: Faleminderit. Doja vetëm të shtoja diçka në raport me OSBE-në, mbi bazën e asaj çfarë tha ministri Moavero që 2019-ta do të jetë gjithashtu një vit i rëndësishëm për ne për shkak se Shqipëria do të kryesojë Grupin e Mesdheut brenda organizatës dhe ky do të jetë roli kryesor i Shqipërisë në Trojkë dhe në të njëjtën kohë, do të përgatitet për të marrë drejtimin e organizatës për në 2020. Që do të thotë ka filluar puna paraprake për sa i përket jo vetëm prioriteteve dhe aktiviteteve që do të shoqërojnë prioritetet e Shqipërisë qoftë në Trojkë, qoftë në drejtimin e organizatës, por, edhe në akomodimin e interesave dhe nevojave që mund të kenë shtete të ndryshme përgjatë trios ku ne do të jemi prijës.

Në këtë kontekst, më lejoni edhe njëherë tjetër për të falënderuar Italinë fillimisht për mbështetjen që na ka dhënë, sepse roli i drejtuesit të organizatës është një rol i posaçëm dhe në rast se nuk do të ishte vendosmëria italiane, nuk do të flitej për kryesinë shqiptare në 2020 dhe së dyti, në Mesdhe për mua është fat që ne sërish do të kemi mbështetjen e Italisë, si një vend i sprovuar me politikën e saj të Jashtme në Mesdhe, që do të thotë se edhe pjesa e burimeve njerëzore, aktiviteteve apo instrumenteve dhe iniciativave që mund të promovohen përgjatë 2019 në Mesdhe, në një mënyrë a në një tjetër, për ne do të kenë edhe mbështetjen e palës italiane.

Për sa i përket pyetjes që m’u bë mbi zhvillimet e brendshme politike, unë kam respekt për të gjithë ju, për ju personalisht si gazetar. Kam vendosur një parim ditën e parë që kam hyrë në këtë zyrë që kur ka miq të huaj, të mos të flasim shqip-shqip për problemet tona. Unë e di që një pjesë prej jush, edhe nga çfarë kam kuptuar nga komunikimi që keni pasur me zyrën e shtypit, jeni të interesuar. Me të mbaruar këtë komunikim së bashku me mikun tim Moavero, unë do të kthehem për t’i dhënë përgjigje edhe shqetësimit që ju keni ngritur.

Pyetje: Duke parë CV tuaj, ju keni punuar më parë në Guardia di Finanza dhe në Komisionin Evropian. Një nga kriteret kryesore që kërkohet nga Shqipëria është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me backgroundin tuaj, sa të mundshme e shikoni marrjen e ftesës dhe a i ka plotësuar Shqipëria të gjitha kriteret për hapjen e negociatave në qershor?

Ministri Milanesi: Lufta kundër korrupsionit përfaqëson një plagë shumë të rëndë për të gjitha shoqëritë dhe sot përkeqësohet në disa drejtime edhe nga revolucioni teknologjik. Korrupsioni futet si një tumor në shoqëri, kështu që lufta kundër tij përfaqëson një objektiv të përbashkët për të gjitha vendet.

Në kuadrin e BE-së kjo është një temë që rrihet shpesh, edhe në kuadrin e OSBE-së ka qenë një temë e rëndësishme.  Një juriste italiane është caktuar para pak ditësh, bashkë me Presidentin  sllovak të OSBE-së, kanë punuar për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të kuptohet sesi  korrupsioni mund të përballohet në nivel ndërkombëtar. Shtetet vetëm nuk kanë më garanci të plotë që të luftojnë me sukses kundër kësaj plage.

Është e rëndësishme që ne të kuptojmë që lufta kundër korrupsionit është një angazhim i qeverive  që ka kosto dhe gjithmonë e më shumë po krijohen rrjete ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit. Është një plagë e vjetër, por ne nuk duhet të rreshtim së luftuari. Kam bindjen se edhe në Shqipëri, drejtësia dhe korrektesa do të mbizotërojnë.

Pyetje: Dhe një pyetje për Ministrin Bushati. Është një pyetje në lidhje me situatën e brendshme. Dua të citoj një deklaratë tuajën që ju keni bërë për Vitin e Ri kur ndër të tjera ju shkruani: “Shqiptarët kudo që ndodhen në rajon edhe përgjatë stuhive të 2018, treguan se ata mbeten faktori më i qëndrueshëm pro euro-atlantik, duke refuzuar në të njëjtën kohë që të vendosin si kolateral arritjet historike që prej rënies së perdes së hekurt”. Cilat janë këto kolaterale zoti Ministër?

Ministri Bushati: Shqiptarët kanë jetuar për një kohë të gjatë të izoluar dhe nga ana tjetër, duhet të themi që sidomos pas rënies së hekurt, rendi ndërkombëtar ka qenë në favorin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kujtoj këtu anëtarësimin e Shqipërisë në një sërë organizmash duke kulmuar me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dua të kujtoj pavarësinë e Kosovës, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe faktin se shumica e vendeve demokratike të botës e njohin atë.

Po kështu përpjekjet e shqiptarëve në vendin fqinj, Maqedoni, të cilat shënuan një tjetër progres me dekretimin apo firmosjen e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Të njëjtën gjë mund të thoja edhe për shqiptarët e Malit të Zi, sikundër do të doja të thoja edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës në Serbi që do të thotë për Shqipërinë dhe shqiptarët rruga e vetme është Evropa.

Evropa është ideali, Evropa është projekti, Evropa është ajo që me të drejtë Ismail Kadare thotë: “E vetmja gjendje natyrale e shqiptarëve”. Dhe kur them se nuk mund të vemë në kolateral arritjet tona, kam pikërisht parasysh faktin se vetë Evropa si projekt, kalon nëpër stuhi të vrullshme, shpeshherë të vështira, vendoset në pikëpyetje, por kjo shpresoj duhet të na bëjë më solidarë, më të vetëdijshëm për barrën e madhe të vështirësive që do të kemi përpara për të arritur këtë objektiv i cili është objektiv mbarëkombëtar.

Faleminderit.