Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Ditmir Bushati priti sot në takim Ministren federale të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme znj. Karin Kneissl. Në fillim të takimit u theksua se qëllimi i kësaj vizite ishte shprehja e mbështetjes që Austria i jep Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në perspektivën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Ministri Bushati falënderoi homologen austriake për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka ofruar rrugëtimit evropian të Shqipërisë si në planin bilateral ashtu edhe në kuadër të Presidencës së BE-së.

Në takim u ndanë mendime rreth qasjes evropiane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ministri Bushati rikonfirmoi pikëpamjen se Rajoni si i tërë e ka kuptuar se Evropa është më e rëndësishme se konfliktet, si dhe mbështeti propozimin austriak për një bashkëpunim të strukturuar dhe mbështetje të Presidencave të radhës në procesin e para-aderimit.

Në takim u fol edhe për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe për reformën në sistemin e drejtësisë. Ministri Bushati, theksoi vendosmërinë e Qeverisë në këtë sfidë jetike për shoqërinë shqiptare, si dhe kërkoi vijueshmërinë e mbështetjes së Austrisë, në të gjitha përpjekjet e Qeverisë për reformimin e sistemit të drejtësisë. Progresi në këtë drejtim është shumë i nevojshëm jo vetëm për të përmbushur aspiratën e Shqipërisë për në BE, por edhe për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për investitorët dhe zhvillimin e turizmit.

Në përfundim bashkëbiseduesit vlerësuan aktivitetet në kuadër të Vitit të Përbashkët Kulturor 2018 mes Shqipërisë dhe Austrisë, ku u shpalosën vlerat e virtytet më të mira të trashëgimisë sonë kulturore e artistike të hershme e moderne.

Konferenca për Shtyp Bushati-Kneissl

Fjala e Ministrit Bushati:

Përshëndetje të gjithëve,

Ishte një kënaqësi e madhe për mua që të mikprisja sot në Tiranë ministren federale të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, zonjën Karin Kneissl, me të cilën ne nisëm ditën e punës përmes organizmit të një takimi të posaçëm me ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe drejtuesit e skuadrave që janë në proces negocimi me BE apo që janë në krye të punëve parapërgatitore për këtë proces. Në kuadër të presidencës austriake, fillimisht do të doja q të shprehja vlerësimin më të lartë për punën e presidencës austriake, për mbështetjen e vazhdueshme, të përditshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha etapat e procesit të integrimit evropian. Siç dihet në 2006, Shqipëria firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit gjatë presidencës austriake të Bashkimit Evropian. Ne të gjithë kemi punuar dhe dua t’i shpreh falënderimet më të mëdha vetë Karin për mbështetjen personale që i ka dhënë Shqipërisë në këtë drejtim. Do të kishim dashur që fillimi i bisedimeve për anëtarësim të ishte gjatë presidencës austriake këtë vit, po jemi të gëzuar që të paktën kemi nisur procesin “screening” i cili nisi javës që shkoi në Bruksel, edhe falë mbështetjes së Austrisë në këtë proces, dhe para nesh shtrohet rruga e përmbushjes së disa detyrave konkrete, deri në momentin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Së dyti, ky është viti kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë, disa aktivitete kulturore shumë të rëndësishme po zhvillohen në Shqipëri dhe në Austri. Dua që të shpreh mirënjohjen qeverisë austriake, ambasadës në Tiranë, ambasadorit dhe gjithashtu ekipit tonë në Vjenë, të cilët bashkëpunojnë për ta kthyer këtë vit në një histori suksesi.

Së treti, me miken nga Austria, kemi diskutuar jo vetëm stadin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, po kemi marrë në shqyrtim natyrisht dhe situatën në rajon, pikat më të mprehta të sigurisë, me shpresën dhe dëshirën e madhe që dhe falë fokusit të qartë të Austrisë, vendet tona të përparojnë çdo ditë drejt anëtarësimit në BE.

Faleminderit dhe njëherë tjetër dhe më lejoni t’ia kaloj fjalën ministres së Jashtme të Austrisë, znj. Kneissl.

Fjala e ministres Kneissl:

Ju faleminderit shumë Ministër Bushati. Faleminderit për mikpritjen në ministrinë tuaj, në vendin tuaj.

Dëshiroj të përsëris falënderimet tona të sinqerta për realizimin e takimit që hapëm së bashku këtë mëngjes. Ishte një shkëmbim shumë i sinqertë nga ju se cilat arritjet, ku mund të mësojmë dhe çfarë mund të mësojë Shqipëria nga përvoja e vendeve të tjera si Kroacia dhe Bullgaria për anëtarësimin në BE. Në pozicionin e Presidencës së BE-së, është sinqerisht një nder që të shoqërojmë Shqipërinë në përpjekjet e saj dhe ne e mbështesim plotësisht atë. Ne vazhdojmë jo vetëm ta mbështesim atë, por mendoj se në mbledhjet e mia në Bruksel gjatë nëntë muajve të fundit, kupton që gjithçka ka të bëjë me tërheqjen e vëmendjes së partnerëve të tjerë tek kjo pjesë e botës. Dhe siç e dini, gjeografia është shpesh faktor konstant i historisë, kështu që kur je në anën tjetër të kontinentit evropian, nuk ndjeheni aq afër kësaj pjese të botës për arsye të thjeshta gjeografike dhe për arsye historike. Dhe ndonjëherë është edhe demografia. Vjena ndjehet pranë Shqipërisë për shkak të diasporës së madhe shqiptare që përbën një faktor të rëndësishëm edhe për ekonominë austriake. Unë vetë, kam shumë studentë shqiptarë në institucione të ndryshme, kështu që gjithnjë ka një kontakt njerëzor që natyrisht shton interes dhe përkujdesje; dhe patjetër falë asaj që i kemi vënë rëndësi të madhe në agjendën tonë në këto 6 muaj, për të vazhduar më tej punën e suksesshme të Presidencës bullgare.

Ju e dini nocionin që është krijuar nga Komisioni Evropian: Ballkani Perëndimor. Unë vetë gjithmonë kam preferuar termin Evropa Juglindore, që nga dita e parë që kam marrë detyrën, sepse ajo është pjesë e Evropës. Dhe dëshiroj t’ua shpjegoj kolegëve që janë më në veri-perëndim të kontinentit evropian, kur shkojnë në muze në Beograd, kur shkojnë në filarmoninë e Sarajevës, ose kur thjesht enden nëpër Tiranë, sivjet është edhe viti kur festoni Skënderbeun dhe ajo përkon me Vitin Kulturor që ministri sapo iu referua; pra, gjithçka është pjesë e Evropës dhe kjo është arsyeja pse unë personalisht i përmbahem termit Evropa Juglindore, për të siguruar që nuk po shkojmë diku tjetër, por në zemër të Kontinentit Evropian.

Kriteret që janë përcaktuar nga Komisioni Evropian janë kritere që duhen mbajtur gjallë, duhet të përparojnë dhe ky është një kushtëzim që natyrisht të gjithë ne shtetet anëtare të BE-së jemi të detyruar t’i zbatojnë. Pra, sa herë që të plotësohet një kriter, duhet të ndiqet nga një hap tjetër. Kështu që unë mund t’ju inkurajoj që të vazhdoni rrugën, unë iu përgëzoj për përpjekjet e jashtëzakonshme që janë arritur, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit. Mund të përfundoj duke theksuar se gjithmonë është e dobishme të keni unitet kombëtar për çështjet me interes kombëtar. Dhe kur të shikoni në zgjedhjet e ardhshme që janë në vitin 2019, është e rëndësishme ta mbani unitet mbi të gjitha, të ketë përparësi në maksimum.

Siç theksoi Ministri Bushati për Vitin e Kulturës, ku është dashur të mendojmë rreth 20 evente kulturore të të gjitha përmasave dhe mirënjohja ime shkon këtu për të gjithë ekipin e Ambasadës Austriake në Tiranë dhe për Ambasadorin Johann Sattler që kanë bërë të mundur këtë. Dhe gjithashtu për kolegët tuaj në Vjenë, të cilët në sajë të përpjekjeve të tyre të përbashkëta, ne mundëm të përparonim me takimin, seminarin, konferencën që patëm sot në mëngjes.

Mendoj ta mbyll këtu dhe mendoj se të dy jemi gati për pyetjet tuaja.

Pyetje nga gazetarët:

Thimi Samarxhiu, Vizion Plus – Një pyetje për ministren Kneissl, meqë ju përdorët termin “kjo pjesë e botës” unë po e huazoj atë term, të përdorur nga ju. Ju vini në këtë pjesë të botës në një moment pak kritik për Ballkanin. Pak ditë më parë Maqedonia votoi për referendumin dhe pse ishte një PO bindëse, sërish nuk u arrit 50%. A mendoni se dështoi Evropa në këtë referendum, pasi u investuan gjithë liderët evropianë, liderët e perëndimit në këtë referendum. Pjesa tjetër është çështja e Kosovës me Serbinë. Cili është qëndrimi i Austrisë nëse arrihet marrëveshje për korrigjimin e kufijve?

Dhe për ministrin Bushati. Z. Ministër ju në diskursin tuaj publik gjatë gjithë kësaj kohe nuk e keni përdorur asnjëherë termin “mosmarrëveshje” me presidentin Meta për çështjen e detit, ndërkohë që presidenti e artikuloi dje hapur që ka pasur mosmarrëveshje me ju për këtë çështje. Po ashtu ai bëri të ditur që sipas tij do të ishte mirë që kjo marrëveshje të ratifikohej kur të kishim një Gjykatë Kushtetuese. Mendoni që kjo është rruga e duhur? Pra, do arrihet një marrëveshje, do pritet krijimi i Gjykatës Kushtetuese për ta ratifikuar atë, apo do të vazhdoni? Faleminderit.

Ministrja Kneissl:

Shumë faleminderit zotëri. Kur thashë këtë pjesë të botës, unë po i referohesha kësaj pjese të Evropës. Shpresoj që kjo të jetë e qartë. Për mua është pjesë e Evropës, prandaj dëshiroja të theksoja, Evropa Juglindore është pjesë e fjalorit tim.

Lidhur me negociatat midis Shkupit dhe Athinës, ne në Ministrinë e Punëve të Jashtme i kemi shoqëruar ato. Gjatë muajve të fundit, kam pasur kënaqësinë të punoj me kolegët e mi Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias, i kam takuar dy herë në Vjenë. I kam takuar gjithashtu për çështje bilaterale. Ata gjithashtu vlerësuan faktin që mundëm të takoheshim në Vjenë, në mënyrë që të vazhdonin negociatat midis Shkupit dhe Athinës. Unë jam i vetëdijshëm se tani ka një sërë interpretimesh dhe sinqerisht nuk dua t’i bashkohem interpretimeve të ndryshme. Kjo nuk zgjidh asgjë. Është në dorën e dy palëve për të përparuar përpara.

Pyetja e dytë ishte mbi bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ne mirëpritëm të dy presidentët, në fakt ishte Presidenti Federal Alexander Van der Bellen, i cili mikpriti Presidentin Vuçiç dhe Presidentin Thaçi. Pritshmëritë për këto negociata janë ndoshta të larta, por qëndrimi i përgjithshëm, dhe kjo është diçka që mbështetet nga një sërë vendesh, nuk dua të them të gjitha vendet, por nuk mund të kemi gjithmonë 100% konsensus. Disa janë të mendimit që të lënë ta zgjidhnin vetë ata. Kjo është qasja më e zakonte. Por, unë vetë shumë vite më parë kam shkruar tezën time mbi kufijtë. Pra, jam krejtësisht e vetëdijshme për emocionet, sigurinë, historinë, për të mos përmendur dimensionin ligjor dhe politik kur flitet për kufij. Nuk ekziston në botë një gjë e tillë si kufijtë natyrorë. Kjo ide e shkëmbimit ose e ndryshimeve, sido ta quajmë, duhet parë me maturi. Unë i kuptoj të gjitha palët, ato që janë shumë të kujdesshme, madje skeptike dhe ata që thonë se dy palët duhet të negociojnë vetë dhe të shohin se çfarë rezulton. Me ndihmën dhe mbështetjen për diskutim nga Federica Mogherini, ne jemi sot këtu. Unë nuk dua të jap ndonjë këshillë se cila është rruga më e drejtë.

Ministri Bushati:

Do më mirëkuptoni nëse do vijoj të mbetem besnik në qëndrimet e mia për disa arsye. Sepse ne jemi në proces negocimi me Shqipërinë për një paketë të gjerë çështjesh, përfshi edhe çështjet që kanë lidhje me kufizimin e zonave detare. Besoj se është e njohur për të gjithë opinionin publik historiku i kësaj çështje dhe në gjykimin tonë është e rëndësishme që kemi arritur që të ulemi sërish me palën greke në tryezën e bisedimeve si të barabartë, për të gjetur një zgjidhje që do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me të drejtën kushtetuese dhe legjislacionet në dy vendet respektive. Në këtë kontekst, do të ishte e pamatur nga ana ime të bëja konsiderata apo të ndaja këtu me ju opinione në lidhje me mosmarrëveshja apo qëndrime të ndryshme që mund të kemi për këtë çështje me Presidentin e Republikës.

E kam thënë dhe i mbetem të njëjtit qëndrim. Në këtë proces presidenti i Republikës ka dhënë autorizimin, siç përcakton Kushtetuta dhe ligji për mua si ministër i Punëve të jashtme. Unë kam lëshuar plotfuqishmërinë, bazuar në autorizimin e Presidentit të Republikës për ekipin negociator. Negociatat nuk kanë përfunduar. Nëse do përdorja një shprehje popullore, ne nuk mund të bëjmë dasëm, në rast se nuk kemi çiftin. Pra në rastin në fjalë, negociatat nuk kanë përfunduar dhe deri në momentin që negociatat do të përfundojnë, ne konsiderojmë veten pjesë të një ekipi përfshi dhe Presidentit e Republikës, të cilin e ngarkon Kushtetuta, përfshirë ministrin e jashtëm të cilin e ngarkon Kushtetuta apo ligji për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Në momentin që do të përfundojë e gjithë puna teknike që po zhvillohet nga ekspertët, dosja natyrisht do të dorëzohet pranë Presidentit të Republikës, ku ekipi i ekspertëve do të bëjë vlerësimin përfundimtar mbi përputhshmërinë e asaj çka do të jetë arritur me mandatin që ka lëshuar presidenti i republikës për këtë çështje. Prandaj pikëpamje të ndryshme kanë lirinë e plotë dhe institucionale për ti trajtuar vetëm në rrugë institucionale dhe në asnjë moment në kanale të tjera informative, me gjithë respektin për punën profesionale që ju kryeni.

Më habit natyrisht, që presidenti i Republikës në këtë pikë ka ndryshuar qëndrim, po në fund të ditës kush jam unë që të gjykoj të parin e shtetit, unë jam thjesht një ministër.

Ora News: Zoti Ministër për sa i përket çështjes së procesit të integrimit të Shqipërisë, një nga kriteret e Këshillit Evropian në qershorin e kaluar ishte dhe implementimi i rekomandimeve të OSBE në Kodin e Ri zgjedhor. Pak ditë më parë bashkëkryetari Blendi Cuci tha se mazhoranca do vazhdojë e vetme sepse opozita e ka bojkotuar. Duke qenë se nuk ka një konsensus për këtë, a është në rrezik procesi i integrimit? A lidhet kjo drejtëpërdrejtë me procesin e integrimit? Dhe një pyetje për ministren austriake. Duke nisur nga kjo situatë ku opozita ka bojkotuar parlamentin dhe reformën zgjedhore, duke thënë se nuk ka zgjedhje nëse nuk bëhet një vetting në politikë, a është e gatshme BE-ja, duke u nisur edhe nga eksperienca e vitit të kaluar, të vijë të zgjidh një krizë tjetër politike këtu në Tiranë.?

Ministri Bushati:

Z. Bushati: Në lidhje me këtë çështje dhe të gjithë paketën e çështjeve që kanë lidhje me procesin e integrimit evropian, më lejoni të ritheksoj dhe njëherë tjetër, angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë së bashku në këtë proces. Ju i referoheni reformës zgjedhore, por komisioni bipartizan i ngritur në Kuvend, me ekspertizën që i është vënë në dispozicion nga qeveria gjermane ka bërë një propozim fillestar. Për sa i përket përkthimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR në një kuadër legjislativ të mundshëm, që kërkon një shumicë të cilësuar të votave në Parlament, kërkon kontributin e të gjithave partive parlamentare për tu miratuar. Si ministër i Punëve të Jashtme, në emër të qeverisë shqiptare i kam kërkuar OSBE-ODIHR që të jetë e përfshirë në të gjitha fazat që ka të bëjë me hartimin e reformës zgjedhore dhe zbatimin e saj. Besoj se jemi në limitet kohore dhe në këtë kontekst ne duam një orë e më parë të miratojmë këtë paketë aktesh që reflekton një më një të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR për t’i dhënë mundësi zbatimit të kësaj pakete për zgjedhjet e ardhshme vendore. Rekomandimi kyç i OSBE-ODIHR kishte lidhje me depolitizimin pra, me menaxhimin në mënyrë jopartizane të procesit zgjedhor. Dhe raporti apo platforma që është përgatitur në këtë drejtim, reflekton qartësisht rekomandimet e OSBE-ODIHR. E njëjta ofertë e qeverisë, e kryeministrit Rama drejtuar opozitës vlen dhe për çështjet e tjera. Nga njëra anë gëzohemi kur dëgjojmë për egon pozitive të reformës në drejtësisë, procesin e vetting-ut që po operon dhe në shkallët e tjera të gjyqësorit, jo vetëm në instancat e larta. Po nga ana tjetër na duhet të punojmë së bashku për ti dhënë mundësi magjistratëve të rinj të studiojnë tek Shkolla e Magjistraturës dhe të kemi një strategji të përbashkët, se si do të jetë sistemi i drejtësisë nga pikëpamja e burimeve njerëzore, në dy, pesë apo në 10 vitet e ardhshme. Në këtë kontekst, jo vetëm ndihma po input i opozitës është i domosdoshëm, për aq kohë sa një parti politike e konsideron veten alternativë ndaj qeverisë.

Faleminderit!

Ministrja Austriake:

Kjo pyetje nuk u bë por me lejen tuaj do doja ta shprehja pasi ne e diskutuam edhe gjatë drekës sonë. Shqipëria po aplikon për kryesimin e OSBE-së, organizata që u themelua në fillim të viteve 1990 për të vijuar Konferencën e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë dhe Qeveria Austriake e mbështet plotësisht këtë kërkesë dhe jemi të sigurt se ju si Ministër i Punëve të Jashtme do të keni një rol të veçantë për të luajtur, sepse do të keni kryesinë për një vit. Me të marrë këtë kryesim, mund të them gjithashtu se si vend pritës, pres me padurim që t’ju shoh rregullisht edhe në takimet e OSBE-së. Faleminderit!