Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, z. Mevlüt Çavuşoğlu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Në kuadër të kësaj vizite, dy homologët zhvilluan një takim të përbashkët ku u diskutuan një sërë çështjesh, me fokus kryesor marrëdhëniet dypalëshe politike, ekonomike dhe tregtare, mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Dy ministrat parafuan Dokumentin për Ngritjen e Këshillit për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë, që do të kryesohet nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, me synim thellimin dhe rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët në nivel bilateral, rajonal e global. Ky Këshill do të përcaktojë strategjinë e zhvillimit të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Shqipërisë në fushat e politikës, sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë, energjisë, transportit, turizmit, kulturës, shkencës, artit dhe arsimit, si dhe të kontakteve mes njerëzve.
Ministri Bushati deklaroi se në këtë takim, bashkë me mikun Cavusoglu ranë dakord për të pasur një përforcim të dimensionit ekonomik, pasi, sipas tij, jo në çdo rast raporti i mirë politik është i shoqëruar dhe me dimensionin ekonomik.
“Shqipëria dhe Turqia tashmë kanë konfirmuar qartë vullnetin politik për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, për t’i ngritur ato në nivel të partneritetit strategjik, si dhe për të identifikuar fushat e reja të bashkëpunimit në të gjithë kuadrin me interes të ndërsjellë, veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare”, tha ministri Bushati.
Ministri turk, Çavuşoğlu, pohoi se gjatë takimit u trajtuan marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha dimensionet. “Marrëdhëniet tona ekonomike po zhvillohen çdo ditë e më tepër, po rritet tregtia mes nesh, investimet turke në Shqipëri. Bashkëpunimi ynë është tepër i ngushtë”.
Ai shprehu besimin se me siglimin e “Deklaratës”, bashkëpunimi mes vendeve tona do të arrijë në nivele më të larta.
Konferenca e përbashkët për shtyp e ministrit Bushati dhe homologut të tij turk, Mevlut Cavusoglu
Përshëndetje të gjithëve!
Ishte kënaqësi për mua që të mikprisja sot në Tiranë minsitrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, mikun tim të mirë, Mevlut Cavusoglu, me të cilin patëm mundësinë për të marrë në shqyrtim nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, qoftë në planin politik, ashtu dhe në atë ekonomik e tregtar, të këmbejmë pikëpamje për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë në rajon por dhe me rolin që luan Turqia dhe Shqipëria qoftë në NATO apo në instanca të tjera ndërkombëtare.
Kemi rënë gjithashtu sot dakord dhe kemi iniciuar një dokument të rëndësishëm të partneritetit strategjik me Turqinë duke themeluar në këtë mënyrë dhe Këshillin e Nivelit të Lartë të bashkëpunimit që do të drejtohet nga shefat ekzekutivit të Turqisë dhe Shqipërisë, respektivisht Presidenti Erdogan dhe Kryeministri Rama, ku ministritë e Jashtme dhe ministrat e Jashtëm janë në rolin e koordinuesit, dhe ku përmes këtij dokumenti ne i paraprijmë dhe mbledhjeve të përbashkëta të të dy qeverive dhe takimeve periodike, qoftë koordinimit periodik por gjithashtu dhe për çështje të karakterit ekonomik dhe tregtar.
Gjithashtu, ramë dakord me mikun Cavusoglu që është shumë e rëndësishme të kemi një përforcim të dimensionit ekonomik, sepse jo në çdo rast raporti i mirë politik është i shoqëruar dhe me dimensionin ekonomik. Në këtë drejtim, kemi marrë angazhimin së bashku për të ndërtuar një kalendar të qartë të agjendës sonë ekonomike, qoftë në drejtim të ripërtëritjes së marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, me elemente të rinj dhe kontekstin e ri në të cilin jetojmë, por dhe me komisionin e përbashkët ekonomik, i cili do të duhet të mblidhet ndërmjet dy vendeve tona dhe me një strukturim të mëtejshëm të marrëdhënieve tona ekonomike, duke punuar së bashku me komunitetin e biznesit, kryesisht në dy fusha, në fushën e turizmit dhe në fushën e bujqësisë.
Më lejoni gjithashtu të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë vendit tonë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe në suazën, por jo vetëm në suazën e NATO-s, për punën e lavdërueshme që bën TIKA, Agjencia turke në Shqipëri në bashkëveprim me institucionet dhe agjencitë e shtetit shqiptar për sa i përket elementëve që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore. Dua gjithashtu të falënderoj qeverinë turke, popullin mik turk për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe në momente të vështira, siç kanë qenë rastet e përmbytjeve në zona të ndryshme të vendit. Ne sot diskutuam dhe njëherë tjetër me ministrin Cavusoglu dhe për hapat që do të ndërmarrin agjencitë tona në këtë drejtim.
Faleminderit, fjala për ju!
Fjala e ministrit turk, Mevlut Cavusoglu
Shumë faleminderit,
Shumë të nderuar përfaqësues të shtypit,
Sot, kemi ardhur në Shqipëri.
Jam tepër i lumtur që ndodhem në Shqipëri, miken tonë, aleaten tonë, me të cilën kemi lidhje të vjetra historike.
Gjithashtu dëshiroj të falënderoj në praninë tuaj, mikun tim, Ditmir Bushati për mikpritjen e veçantë që tregoi.
Unë kam ardhur dje në Shqipëri. Kemi pasur një program tepër intensiv takimesh. Kjo është hera e parë që vizitoj Shqipërinë si ministër i Jashtëm, por nuk është hera e parë e ardhjes time në Tiranë. Jam takuar edhe me parë këtu në Tiranë më z. Bushati. Unë shpresoj dhe dëshiroj që vizitat tona reciproke të shpeshtohen në të ardhmen.
Sot kemi sigluar “Deklaratën për Bashkëpunimin e Nivelit të Lartë”, e cila, me nënshkrimin që do të bëhet nga Presidenti ynë, z. Erdogan dhe Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, do të zyrtarizohet dhe bashkëpunimi ynë do të arrijë në nivele më të larta.
Një mekanizëm të tillë Turqia e ka lexuar deri tani me 22 vend. Kemi organizuar takime të përbashkëta të qeverive të ndryshme dhe gjatë këtyre takimeve të përbashkëta, merren vendime të rëndësishme, nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme dhe ndjekja e këtij procesi bëhet nga ministrat e Jashtëm. Me këtë mekanizëm të ri që po krijojmë me Shqipërinë, do të zhvillohet veprimtaria dhe koordinimi i dy ministrave të Jashtëm që do të ndjekin procesin dhe në kohën e duhur, do të hedhin hapat e duhur.
Unë mendoj që ky do të jetë një mekanizëm tepër i dobishëm.
Sot trajtuam në të gjitha dimensionet marrëdhëniet tona dypalëshe. Marrëdhëniet tona ekonomike po zhvillohen çdo ditë e më tepër, po rritet tregtia mes nesh, investimet turke në Shqipëri. Po rritet numri i firmave turke që veprojnë në Shqipëri. Aktualisht janë 3 milionë dollarë amerikanë investime turke në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, pata një takim me Dhomën e Tregtisë, Turqi-Shqipëri. Ata ishin tepër të lumtur që ndodhen në Shqipëri dhe falënderojmë për mbështetjen dhe interesimin që ka treguar Qeveria shqiptare për biznesmenët turq që veprojnë në Shqipëri.
Sigurisht duhet të tregohet një vëmendje e veçantë në sektorët e bujqësisë, energjisë ose ndërtimi i aeroporteve. Ne do t’i inkurajojmë dhe do t’i mbështesim investime të tilla e do të bëjmë koordinimin e nevojshëm.
Dje unë isha bashkë me studentët dhe akademikët e Universitetit të Nju Jorkut, të cilin tashmë e ka marrë fondacioni MAARIF. Ne duhet ta forcojmë akoma më shumë bashkëpunimin tonë në fushën e arsimit dhe nëpërmjet Fondacionit MAARIF do të ngremë shkolla të reja në Shqipëri, do të ngremë nivelin e arsimit në Shqipëri. Nuk do të pranohen vetëm studentë shqiptarë por edhe nga Rajoni. Dje pash që kishte studentë edhe nga Irlanda dhe jam tepër i lumtur për këtë fakt.
Gjithashtu edhe në sektorin e shëndetësisë firmat turke kanë bërë investime të mëdha. Kanë ndërtuar dhe do vazhdojnë të ndërtojnë spitale. Duan të zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e farmaceutikës dhe unë dëshiroj të theksoj se do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim në fushën e shëndetësisë.
Edhe në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, bashkëpunimi ynë është tepër i ngushtë. Kemi mbështetur vazhdimisht dhe reciprokisht kandidaturat e secilit vend dhe thuajse gjithmonë kemi një koalicion të përbashkët në institucionet ndërkombëtare. Sepse kemi një këndvështrim të shëndetshëm dhe objektiv ndaj zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare. Nisur nga ky koncept, prandaj kemi përshëndetur kandidaturën e Shqipërisë në OSBE dhe kemi bindjen se Shqipëria do ta fitojë këtë kandidaturë. Kemi edhe përpjekje të përbashkëta për fuqizimin e sigurisë në Ballkan. Dëshirojmë që si Shqipëria, ashtu dhe vendet e Ballkanit të integrohen sa më mirë në institucionet euroatlantike.
Gjithashtu i urojmë suksese Shqipërisë në procesin e Integrimit Evropian. E dimë që nuk është një proces i lehtë dhe unë si ministër i Jashtëm ju uroj suksese, ju uroj fat dhe ju uroj me gjithë zemër që këtë objektiv ta arrini.
Në këtë takim diskutuam edhe për çështjet e sigurisë, për bashkëpunimin në fushën ushtarake të mbrojtjes. Unë sot do të pritem edhe nga Kryeministri, z. Edi Rama, nga Presidenti, nga Kryetari i Kuvendit. Dhe unë si një person që besoj shumë në diplomacinë parlamentare dëshiroj të theksoj rëndësinë e këtij bashkëpunimi.
Gjithashtu dua të falënderoj edhe njëherë mikun tim Ditmir Bushati për ftesën dhe mikpritjen e veçantë që tregoi ndaj meje.
Pyetje nga gazetarët
Pyetje: Maliq Hasa, editor i AKM Media dhe Frekuenca.com. Në fakt kam një pyetje për të dy ministrat. Siç po thoni dhe ju vetë, dy shtetet janë duke rritur marrëdhëniet e tyre mes njëri-tjetrit. Po për çështjen e luftës kundër organizatës terroriste FETO, të cilën dhe Presidenti i Turqisë, i nderuari Rexhep Erdogan e ka thënë që janë shumë të fuqizuar dhe vazhdojnë të fuqizohen në Shqipëri. A ka ndonjë hap konkret nga shteti shqiptar në lidhje me këtë çështje dhe a ka ndonjë kërkesë zyrtare dhe konkrete nga shteti ynë mik, i Turqisë po në lidhje me këtë çështje. Dhe çfarë mund të bëhet në të ardhmen?
Përgjigje ministri Cavusoglu: Shumë faleminderit për pyetjen tuaj. Është e dobishme të shikojmë se si funksionon organizata FETO. Ajo bëri një grusht shteti në Turqi dhe atë natë, 251 shtetas turq u masakruan. Më shumë se 2000 shtetas të tjerë u plagosën. Ata hapën zjarr me helikopterë, me tanke kundër popullit. Është një organizatë terroriste që përdori tanke kundër popullit tonë. Atë natë, 251 njerëz ranë dëshmorë. Ata bombarduan Parlamentin, bombarduan pika të rëndësishme të Stambollit dhe të Ankarasë. Por falë guximit të popullit tonë, falë urtësisë së Presidentit tonë Erdogan, ne e mposhtëm këtë grusht shteti. Sikur të kishte fituar ai grusht, e dini se çfarë mund të ndodhte? Por Shqipëria pas atij grushti shteti, ka treguar një shembull të gjallë të solidaritetit ndaj Turqisë. Por ka një të vërtetë. Ka një strukturë FETO-iste tepër serioze në Shqipëri, në çdo fushë, si në vendet e tjera. Ata kanë përdorur sidomos sistemin arsimor dhe kanë depërtuar shumë mirë brenda në sistemin shtetëror. Nuk mund të hedhin më hapa të tjerë. Sigurisht kjo organizatë terroriste është një kërcënim i hapur dhe i madh edhe kundër Turqisë. Ata nuk janë vetëm, e dimë mirë se si veprojnë ata. E dimë që këtu ka elementë të FETO-s dhe ne presim diçka nga Shqipëria mike. Në të njëjtën kohë ne presim që të mbyllen institucionet anti-turke në Shqipëri. Kjo është një pritshmëri e jona. Por kjo organizatë është edhe një kërcënim tepër serioz për Shqipërinë. Ata mund të bëjnë çdo gjë. Gjithashtu, dua të them edhe këtë. T’i harrojmë ata 251 dëshmorë. Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria. Të njëjtën gjë presim edhe nga miqtë tanë shqiptarë.
Përgjigje ministri Bushati: Që t’i përgjigjemi kësaj pyetje. Në planin ekonomik bie 100% dakord me mikun tim Cavusoglu që është e rëndësishme që ne të dyfishojmë vëllimin tregtar ndërmjet dy vendeve tona dhe është gjithashtu e rëndësishme t’i krijojmë lehtësi maksimale komunitetit të biznesit për të punuar lirisht. Ka rreth 10 mijë shqiptarë që janë të punësuar në bizneset turke që investojnë në Shqipëri dhe temë e diskutimit tonë ka qenë dhe strategjia që ne do të përdorim për të evituar çdo barrierë në këtë drejtim, në mënyrë që të lehtësohet prania e biznesit turk në Shqipëri, po pse jo në të ardhmen të korrigjohet dhe disbalanca që ekziston për sa i përket importeve dhe eksporteve me Turqinë.
Përsa i përket çështjes që ju shtroni, përgjigja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë, por dhe në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar me ç’ka ndodhi në Turqi, në rrethanat e grushtit të shtetit, por nga ana tjetër, është një vend anëtar i NATO-s, është një vend kandidat për në BE, ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë, ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi.
Faleminderit!
Pyetje: Elja Zotka nga televizioni Klan. Pyetja e parë për ministrin turk. Një nga veprat që Turqia ka financuar është dhe xhamia e re e kryeqytetit. A po e kushtëzon inaugurimin e kësaj xhamie qeveria turke me emrin e kryetarit të komunitetit Mysliman. Pra, po kërkoni ju largimin e kryetarit të Komunitetit Mysliman?
Dhe pyetja për ministrin Bushati. Sa e pengon largimi, dorëheqja e ministrit të Jashtëm grek procesin e negociatave me Greqinë?
Përgjigje ministri Cavusoglu: Faleminderit. Siç thatë edhe ju, ne po japim mbështetje për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë. Unë jam në dijeni se është duke përfunduar ndërtimi i saj. Kanë mbetur disa detaje. Vazhdojnë punimet. Ne kur japim ndihma të tilla, marrim në vëmendje kërkesat e vendit pritës dhe nuk kemi synime të tjera. Kur na vjen një kërkesë nga vendet e tjera, ne japim mbëshetejen tonë, kryejmë ndërtime restauruese. Në këtë mënyrë, në zona të ndryshme të Shqipërisë, me propozim të institucioneve shqiptare, ne po vazhdojmë këtë veprimtari restauruese.
Përgjigje ministri Bushati: Faleminderit i dashur Mevlut për këtë sqarim, sepse në median shqiptare, por jo vetëm, ka pasur lloj-lloj spekulimesh mbi këtë çështje. Në fakt, është ai qëndrim i njohur që ka të bëjë me ADN-në e kombit shqiptar, në parimin e laicitetit, që ishte parimi udhërrëfyes i rilindësve tanë, i etërve themelues të shtetit shqiptar. Kësisoj, do të ishte absurde të mendoje që shteti shqiptar mund të përfshihet në çështjet fetare, e jo më një vend i huaj, qoftë dhe një vend mik siç është Turqia.
Në lidhje me pyetjen e dytë mund t’u them që raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit dhe besoj se ne do të vijojmë të jemi në tryezën e bisedimeve me Greqinë për të mbyllur çështjet e hapura të cilat, siç e kam thënë disa herë, e kanë origjinën që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot. Ministrat ikin e vijnë, qeveritë ikin dhe vijnë. E rëndësishme është që problemet të zgjidhen.
Pyetje: Thimi Samarxhiu nga televizioni Vizion Plus. Një pyetje për ministrin Cavusoglu. Në përgjigje të pyetjes së kolegut pak më parë, ju thatë që në Shqipëria ka elementë të FETO-s dhe prisni diçka nga Shqipëria mike. Çfarë është kjo diçka që ju prisni nga Shqipëria mike dhe është një kërkesë që është sjellë me anë të një non – paper, siç është bërë vite më parë, apo i keni thënë ministrit Bushati në takim atë çfarë pret Turqia nga Shqipëria? Dhe një koment i përbashkët, një mesazh për atë çfarë po ndodh në Maqedoni sot, që është një moment kyç dhe pritet një votim?
Përgjigje ministri Cavusoglu: Shumë faleminderit për pyetjen. Pas tentativës për grusht shteti, ne kemi paraqitur në mënyrë të qartë të gjitha hapat që duhet të ndërmerren për eliminimin e FETO-s këtu, eliminimin e çdo veprimtarie kundër Turqisë që zhvillohet këtu. Gjithmonë u kemi dhënë lista me emrat e tyre miqve tanë shqiptarë. Gjithashtu kemi dhënë lista edhe për emrat e personave që ne kërkojmë ekstradimin e tyre. E kemi bërë këtë kërkesë edhe në mënyrë zyrtare. Sigurisht gjithçka në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Kemi paraqitur vendimet përkatëse të gjykatave, dokumentet përkatëse. Presim që këto të realizohen. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për ne por, edhe për Shqipërinë mike. Fondacioni MAARIF, pasi pa rrezikun e FETO-s, ka marrë përsipër shumë shkolla në vende të ndryshme. Në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit ose ka marrë përsipër shkolla, ose do të hapë vetë shkolla. Në këtë mënyrë, nga vendet që kërkojnë mbështetjen tonë, ne e japim këtë mbështetje.
Për sa i përket Maqedonisë, pas referendumit ku pjesëmarrja ishte nën 50%, natyrisht që ne gjithmonë e kemi mbështetur fuqimisht integrimin e Maqedonisë në institucionet euro-atlantike. Dhe kur kemi pasur diskutime me Greqinë, vendimi i Turqisë ka qenë pro mbështetjes së Maqedonisë. Ne jemi ndër vendet e rralla që njohim Maqedoninë me emrin ekzistues edhe në dokumentet e NATO-s. Ne, pavarësisht se jemi apo jo dakord, e respektojmë vendimin e popullit maqedonas për referendumin. Me mbështetjen dhe kontributin edhe të Shqipërisë, edhe të Turqisë, ne e kemi ftuar Maqedoninë në NATO dhe duhet që procesi të vazhdojë për integrimin e tyre në NATO.
Përgjigje ministri Bushati: Për sa i përket proceseve politike në Maqedoni, Shqipëria ka mbështetur pa rezerva marrëveshjen e Prespës. Besojmë se e vetmja rrugë për fqinjin tonë është rruga euroatlantike dhe shpresojmë shumë që Marrëveshja e Prespës do të materializohet qoftë në Parlamentin e Shkupit, ashtu dhe në Parlamentin grek.
Është gjithashtu e rëndësishme për ne si Shqipëri që ky proces të zhvillohet paralelisht me angazhimet që ka ndërmarrë Maqedonia, qoftë për zbatimin e ligjit të dygjuhësisë, duke qenë se dihet botërisht që Maqedonia është vendi i dy komuniteteve kryesore shtetformuese, maqedonasve dhe shqiptarëve, plus pakicave që jetojnë atje dhe kjo do të ishte shenjë e pjekurisë së një Maqedonie demokratike dhe europiane e cila, është jo vetëm në interesin e maqedonasve dhe shqiptarëve, por në interesin e të gjithë rajonit.
Pyetje: Zoti ministër, është e vërtetë që i keni transmetuar Uashingtonit regjistrimin e zërit të atij gazetarit që u fut në Konsullatën e Arabisë Saudite në Turqi?
Përgjigje ministri Cavusoglu: Kemi lexuar një lajm që Trump ka kërkuar…, por nuk bëhet fjalë që një autoritet turk të ketë dorëzuar një regjistrim zëri. Ka një proces hetimi të filluar nga Prokuroria e Stambollit. Ne presim rezultatin e tij. Në kuadër të këtij hetimi ka një farë vonese. Në ndërtesën e Kryekonsullatës së Arabisë Saudite ne Stamboll janë bërë kërkime të nevojshme. Tani po bëhen studime të nevojshme, analiza të nevojshme, qoftë edhe ato laboratorike. Të gjitha rezultatet që do të dalin, në mënyrë transparente do t’i ndajmë më të gjithë botën. Nuk behet fjalë që këtë informacion ta ndajmë me një vend apo një tjetër. Këtë informacion do ta ndajmë me të gjithë botën. Ka një person i cili ka humbur në Turqi, por ka humbur pasi ka hyrë në Kryekonsullatën e Arabisë Saudite. Pas hetimeve ka informacion, por pasi të gjitha këto të sqarohen mirë, do t’i ndajmë me të gjithë opinionin publik botëror, sepse gjithë bota, me të drejtë është e shqetësuar se çfarë i ka ndodhur këtij gazetari.
Faleminderit!