Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

U mbajt në Bruksel takimi i 10-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Takimi u bashkë-drejtua nga znj. Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian (Komisioni) dhe z. Sokol Dedja, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Komiteti i KSA-së vlerësoi zhvillimet më të rëndësishme të vitit të kaluar në fushat e shtetit ligjor, reformës në administratën publike, tregtisë, zhvillimit ekonomik, bujqësisë dhe peshkimit, industrisë dhe tregut të brendshëm, inovacionit dhe kulturës, politikës sociale, transportit, energjisë dhe ndryshimit klimatik. U shqyrtua gjithashtu zbatimi i ndihmës financiare të BE-së.

Komisioni përshëndeti përparimin e vazhdueshëm që Shqipëria ka arritur në të gjitha fushat dhe theksoi rëndësinë e ndjekjes së mëtejshme të zbatimit të përpjekjeve për reformë, me fokus të veçantë te shteti ligjor dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, si dhe krimi i organizuar, përfshirë kultivimin dhe trafikimin e drogës. Komiteti vuri në dukje se numri i operacioneve policore që synojnë grupet e krimit të organizuar është rritur dhe se ka pasur aktakuza dhe dënime të rëndësishme. Ndjekja e duhur gjyqësore për operacionet e suksesshme të zbatimit të ligjit kundër krimit do të vazhdojë, së bashku me përpjekjet kundër të ardhurave të krimit. Komisioni gjithashtu theksoi se baza e të dhënave të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të forcohet më tej.

Për më tepër, Komiteti mirëpriti bashkëpunimin e mirë në adresimin e sfidave të përbashkëta migratore dhe të sigurisë, përkatësisht përmes zbatimit të Marrëveshjes Status të Rojave Evropiane Kufitare dhe Bregdetare dhe nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe mbi bashkëpunimin kundër terrorizmit.

Komiteti vlerësoi përpjekjet në lidhje me reformën në drejtësi, përfshirë ndjekjen e vetingut, dhe rekomandoi që zbatimi i të gjitha masave të vazhdojë, veçanërisht përmes bërjes funksionale të zinxhirit hetimor dhe gjyqësor të specializuar për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komiteti vuri në dukje sqarimet dhe përditësimet për procedurën e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe shpreson që pas rivendosjes së kuorumit Gjykata të rifillojë aktivitetet e saj gjykues sa më shpejt të jetë e mundur.

Komiteti vuri pozitivisht në dukje përpjekjet e bëra nga Shqipëria për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike dhe për të forcuar aftësinë e administratës për të kryer rekrutime të bazuara në merita. Komiteti gjithashtu theksoi se nevojiten përpjekje të mëtejshme në lidhje me mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave, grupeve të cenueshme dhe konsolidimin e të drejtave pronësore.

Komiteti përsëriti nevojën për një dialog gjithëpërfshirës politik në vend dhe nënvizoi veçanërisht rëndësinë e miratimit të një reforme zgjedhore për të adresuar rekomandimet e OSBE / ODHIR-it. Komiteti dhe Shqipëria ranë dakord për rëndësinë e vazhdimit të adresimit të fenomenit të kërkesave të pabazuara për azil, i cili kërkon ndërtimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet Anëtare të destinacionit. Komiteti përshëndeti dhe inkurajoi më tej angazhimin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, që së bashku me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë është një pjesë thelbësore e përparimit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian.