Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Shqipëria dhe Izraeli festojnë sot 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Edhe pse shteti i Izraelit u njoh nga qeveria shqiptare që në vitin 1949, marrëdhëniet diplomatike midis tyre u mundësuan vetëm pas rënies së Perdes së Hekurt. Memorandumi i Mirëkuptimit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike u nënshkrua në Tel Aviv më 19 gusht 1991.

Pas hapjes së përfaqësive respektive, marrëdhëniet dypalëshe njohën një dinamikë të re në fushat politike, ekonomike, kulturore dhe shkencore. Vizitat dhe kontaktet e nivelit të lartë ndër vite kanë qenë një tregues i lartë i vullnetit politik për një bashkëpunim më të ngushtë në të gjitha fushat.

Për të uruar këtë ditë, Ministrja Xhaçka nëpërmjet rrjeteve sociale u shpreh: “Në 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Izraelit ne shikojmë pas me krenari një histori të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi. Gjithashtu ne shohim drejt së ardhmes, për të ndërtuar një partneritet edhe më të fortë”.