Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

SHQIPËRIA NË RAJON

Forcimi i stabilitetit, i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, në rradhë të parë me vendet kufitare, ka qenë një nga prioritetet kryesore te politikes se Jashtme te Shqipërisë. Kjo i shërben sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit, sikurse ndihmon në rritjen e ndikimit tonë në forcimin e respektimit të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në shtetet fqinje. Kjo frymë konstante e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë është shumë e rëndësishme edhe për ecurinë e rrugëtimit evropian të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi i të cilit në Bashkimin Evropian do të ndihmonte në zgjidhjen përfundimtare dhe të qëndrueshme të problemeve të trashëguara nga e kaluara e largët dhe e afërt.

MARRËDHËNIET ME SHTETET E RAJONIT

KOSOVA

 

Dialogu politik: Bashkëpunimi mes dy vendeve vlerësohet i shkëlqyer dhe vëllazëror. Shqipëria ishte nga shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe më 19 shkurt 2008 vendosi marrëdhëniet diplomatike.

Bashkëpunimi dypalësh udhëhiqet nga interesi kombëtar për të thelluar ndërveprimin politik, ekonomik, social dhe kulturor dhe për të avancuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si projekt themelor përbashkues i hapësirës shqiptare në shërbim të paqes, stabilitetit dhe begatisë së saj.

Bashkëpunimi midis dy shteteve tona konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Vizitat dhe kontaktet e nivelit të lartë, tregojnë qartë vullnetin politik për një partneritet më të ngushtë në të gjitha fushat.

Shtatë Mbledhjet Ndërqeveritare (G2G) dëshmojnë qartë vullnetin politik të të dy vendeve dhe gatishmërinë që të çojmë përpara bashkëpunimin midis tyre bazuar edhe në marrëveshjet e firmosura gjatë këtyre mbledhjeve. Mbledhja e shtatë (G2G6) u mbajt në Elbasan më 26 nëntor të vitit 2021 dhe rezultoi me nënshkrimin e 13 marrëveshjeve, që do të thellojnë më tej bashkëpunimin midis dy vendeve, lehtësojnë lëvizjen e lirë, punësimin dhe ndërveprimin më të madh mes dy vendeve.

Shqipëria mbështet dhe po punon për fuqizimin e veprimit politiko-diplomatik për anëtarësimin e Kosovës në forumet e nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe në procesin e avancimit të njohjeve. Liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe avancimi i agjendës integruese në BE do të sjellin përparimin e qëndrushëm të vendit dhe konsolidimin e proceseve demokratike në Kosovë.

Vlerësohet shtrirja e mëtejshme e përfaqësive të përbashkëta diplomatike, duke synuar vënien në qendër të vëmendjes zhvillimin e diplomacisë ekonomike si një nevojë parësore për të dyja vendet.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Vlerësohen hapat e ndërmarra deri më tani me Kosovën në kuadër të unifikimit të tregjeve, rrëzimit të barrierave tregtare, ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike, qe janë premisë e mirë për nxitjen e interesave tona në kuadër të Procesit të Berlinit për një treg të përbashkët rajonal.

Pavarësisht situatës së shkaktuar nga COVID-19, të dyja vendet kanë vijuar pa ndërprerë bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare import – eksport, duke shënuar rritje të kuotave të shkëmbimeve.

Në vitet e fundit ka pasur një rritje në shkëmbimin tregtar ndërmjet dy vendeve në eksporte dhe në importe. Marrëveshjet për zbatimin e lehtësirave doganore dhe shmangien e tatimit të dyfishtë, po ndihmojnë në lehtësimin total të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave mes dy shteteve dhe rritjen e zhvillimit ekonomik. Sidoqoftë, mundësitë janë shumë herë më të mëdha.

Dialogu Kosovë-Serbi: Shqipëria vlerëson dhe e mbështet rinisjen e dialogut Kosovë – Serbi, në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një Marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës.

 

MALI I ZI

Dialogu Politik: Marrëdhëniet diplomatike midis dy shteteve u vendosën më 1 gusht 2006, pas pavarësisë së Malit të Zi. Marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë shumë të mira. Takimi i parë i dy qeverive- G2G- më 3 korrik 2018, në Shkodër, si dhe shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë në 2019 janë tregues të intensifikimi të dialogut politik. Më 15 dhjetor 2021, Ministri i Jashtëm i Mali të Zi, Raduloviç zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ndërmjet dy vendeve ka një bashkëpunim të shtuar lidhur me NATO, BE, Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal/iniciativat rajonale dhe takimeve trepalëshe Shqipëri-Mali i Zi dhe Kroaci.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Bashkëpunimi me Malin e Zi është përqendruar në zbatimin dhe implementimin e marrëveshjeve/protokolleve të nënshkruara ndër vite, si edhe ato të nënshkruara. Vetëm gjatë G2G të datës 3 korrik 2018, u nënshkruan 8 marrëveshje/protokolle bashkëpunimi në fushën e turizmit, kulturës, ekonomisë, bashkëpunimit kufitar, menaxhimit të ujërave dhe emergjencave civile, të cilat kanë fokus të veçantë konkretizimin e projekteve të përbashkëta kufitare, autostradës Adriatiko-Joniane si dhe ngritjes së linjës infrastrukturore mes Velipojës dhe Ulqinit. Më 29 korrik 2021, Kryeministri Rama dhe Kryeministri Krivokapiç përuruan hapjen e pikës së përbashkët kufitare Grabon, si dhe po punohet për hapjen e pikave të tjera të përbashkëta kufitare.

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë hapësira të gjera bashkëpunimi mes tyre, sidomos në fushën e energjetikës, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, turizmit etj. Bashkëpunimi ekonomik ka ruajtur një trend pozitiv, ndonëse nuk përputhet me nivelin e lartë të dialogut politik. Shkëmbimet tregtare në vitin 2021 ka qenë në nivelin e 75 milionë dollarëve. Qytetarët e të dyja shteteve udhëtojnë drejt vendeve respektive vetëm me kartë identiteti.

Shqiptarët në MZ: Shqiptarët në MZ kanë dhe po luajnë një rol vendimtar për të ardhmen euroatlantike të vendit dhe për ruajtjen e kohezionit të shoqërisë dhe vendit. Vlerësohen arritjet e deritanishme dhe marrëveshja midis partive politike për përmirësimin e të drejtave dhe përfaqësimit të popullatës shqiptare. Shqipëria ka mbështetur popullsinë shqiptare në Mal të Zi, duke i inkurajuar dhe mbështetur respektimin e të drejtave të shqiptarëve, bashkëpunimin, zhvillimin ekonomik, në shërbim edhe të perspektivës evropiane të MZ. Qeveria e RSH mbështet financiarisht Këshillin Kombëtar te Shqiptarëve përmes një fondi të përvitshëm, i cili shkon për organizimin e projekteve apo aktiviteteve që kanë të bëjnë me promovimin e kulturës dhe traditave tona. Më 25 nëntor 2021, me financim të Qeverisë Shqiptare, në Ulqin u hap Qendra e Promovimit të Librit dhe Promocionit të kulturës shqiptare.

MAQEDONIA E VERIUT

Dialogu Politik: Shqipëria ka qenë një nga vendet e para që e ka njohur Maqedoninë e Veriut pasi ajo u shkëput nga ish-RFJ, ndërsa marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve u vendosën më 24 dhjetor 1993.

Marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut kanë pasur zhvillime shumë pozitive vitet e fundit, mundësuar me përpjekje të dy palëve. Një tregues i bashkëpunimit shumë të mirë midis dy vendeve janë edhe shkëmbimi i vizitave dypalëshe të nivelit të lartë dhe jo vetëm, marrëveshjet dhe memorandumet e bashkëpunimit të nënshkruara mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimi ne kuadrin e organizatave rajonale dhe nismës “Open Balkan”.

Me Maqedoninë e Veriut kemi interesa të forta bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh, jo vetëm si vende fqinje, por edhe si kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut ka përmirësuar dukshëm respektimin e të drejtave të shqiptarëve dhe njohjen e rolit konstruktiv të popullsisë shqiptare dhe të faktorëve shqiptarë atje. Shqipëria mirëpret përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të ndërtuar një shoqëri multietnike funksionale bazuar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Minoritetit maqedonas në Shqipëri, që i garantohen të drejta të plota nga Ligjit për minoritetet dhe aktet nënligjore, si për çdo minoritet që jeton brenda territorit shqiptar, e shohim si një urë të rëndësishme bashkëpunimi midis dy vendeve.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Lidhjet tregtare janë zgjeruar dhe vëllimi i tregtisë është rritur, pavarësisht faktit se jemi akoma shumë larg përdorimit të potencialit tonë të plotë. Nevojitet intensifikimi i mëtejshëm i shkëmbimeve tregtare, turistike, arsimore e kulturore etj. Pandemia ka luajtur një rol të madh në rritjen e turistëve nga RMV në Shqipëri dhe anasjelltas. Duhet të vijojmë të thellojmë fazën e re të marrëdhënieve dypalëshe, përmes punës së nisur në kuadër të mekanizmit të G2G-ve dhe angazhimeve të ndërmarra në kuadër të bashkëpunimit rajonal, siç janë projektet e përbashkëta ndërkufitare, ndërlidhja, masat për Zonën Ekonomike Rajonale, si dhe korridori VIII.

GREQIA

Dialogu Politik: Marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë janë marrëdhënie të fqinjësisë së mire, si dy vende anëtare në NATO dhe me interesa jetike të përbashkëta, që ndajnë vlerësimin se marrëdhëniet ndërmjet tyre janë me rëndësi strategjike në rajon.

Greqia ka mbështetur dhe shprehur zyrtarisht mbështetje për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Shqipëria e konsideron Greqinë një fqinj të çmuar, por edhe partner në rrugën e saj drejt demokracisë, përparimit dhe integrimit evropian.

Të dyja palët vlerësojnë dhe angazhohen për trajtimin, në respekt të së drejtës ndërkombëtare, kuadrit të brendshëm ligjor dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të gjitha problemet e trashëguara nga e kaluara e largët apo e vonë dhe për gjetjen e zgjidhjeve të mirëpranuara mes palëve.

Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, të dyja vendet kanë vazhduar pandërprerë dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh. Tregues është zhvillimi i shumë takimeve në nivele të ndryshme, në të cilat është rënë dakord për caktimin e një agjende konkrete bashkëpunimi, si dhe vazhdimi i  ecurisë së mirë grupeve të punës për probleme të ndryshme me interes reciprok. Të dyja palët po punojnë për të çuar më tej përparimin e bërë gjatë viteve të kaluara në kuadrin e mekanizmit dypalësh.

Minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti i madh i emigrantëve shqiptarë në Greqi, përbëjnë ura të forta miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Greqia vazhdon të jetë një ndër partneret më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë. Për vite me radhë ajo ka qenë në krye të listës së partnerëve në tregti dhe në investimet e huaja direkte. Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik dhe financiar të Shqipërisë ka qenë e orientuar drejt saj, duke bërë që ekonomitë e të dyja vendeve të jenë të lidhura mes tyre. Të dyja vendet kanë interesa reciproke për zhvillim, thellim dhe zgjerim të bashkëpunimit në shumë fusha me interes ekonomik.

 

QIPRO

Dialogu Politik: Shqipëria dhe Qipro kanë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe vullnetin e mirë për konsolidimin dhe zgjerimin e tyre. Gjatë Presidencës Qipriote të BE-së, u dinamizuan marrëdhëniet midis dy vendeve, kryesisht në kuadër të procesit të integrimit evropian, por ka mundësi për të rritur shkëmbimet bilaterale si dhe të vizitat e nivelit të lartë.

Republika e Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Qipro dhe në vijimësi ka mbështetur dhe mbështet vendimet dhe rezolutat e OKB-së, si dhe ato të Këshillit të Sigurimit, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB për zgjidhjen e çështjes së Qipros në mënyrë paqësore dhe realiste, bazuar në standardet dhe vlerat ndërkombëtare dhe evropiane.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Shqipëria dhe Qipro kanë nënshkruar një sërë marrëveshjes si në fushën e turizmit, në fushën e transportit ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, në nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve, në fushën e doganave, si edhe në fushën e bashkëpunimit të Integrimit Evropian. Megjithatë, ekzistojnë mjaft hapësira për ta thelluar dhe konsoliduar bashkëpunimin më tej në të ardhmen

 

BULLGARIA

Dialogu Politik: Marrëdhëniet politike mes vendeve tona konsiderohen shumë të mira, të qëndrueshme dhe pa asnjë çështje të hapur.  Kryeqyteti i Bullgarisë, Sofja, në fund të shekullit 19 – fillimi i shekullit 20 ka shërbyer si “vatra” ku mblidheshin patriotët shqiptarë, nga ku është është kryer një veprimtari shumë e pasur për pavarsinë dhe çështjen kombëtare shqiptare. Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë janë vendosur në vitin 1922 dhe pak kohë më vonë janë hapur përfaqësitë diplomatike në të dyja vendet.

Midis dy vendeve është zhvilluar një dialog politik konstruktiv në nivel të lartë, si në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, ashtu edhe në kuadrin e bashkëpunimit shumëpalësh. Integrimi evropian i rajonit është përparësi e politikës së jashtme të Bullgarisë. Ajo ka qenë një nga mbështetëset e forta të integrimit evropian të Shqipërisë. Vlerësohet bashkëpunimi me Bullgarinë në kuadrin e organizatave ndërkombëtare. Në Shqipëri jeton një minoritet bullgar, i cili u njoh si i tillë përmes miratimit të Ligjit për minoritetet më 13 tetor 2017, kurse në Mandricë të Bullgarisë jeton një komunitet i vogël shqiptarësh.

Gjatë viteve të fundit është intensifikuar bashkëpunimi midis universiteteve shqiptare dhe bullgare.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Bullgaria është një partner tradicional ekonomik i Shqipërisë dhe bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, tregtisë, turizmit dhe mjedisit ka shumë potencial. Gjatë viteve të fundit, Bullgaria renditet në mesin e 15 vendeve të para me numrin më të madh të vizitorëve në vendin tonë. Së fundmi, përgjatë vitit 2022, është vendosur një linjë direkte fluturimi Sofje – Tiranë. Koridori i VIII është një projekt shumë i rëndësishëm për të zhvilluar konektivitetin rajonal në fushën e transportit, energjisë dhe infrastrukturës.

ITALIA

Dialogu Politik: Italia mbetet një nga partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë dhe bashkëpunimi bazohet në lidhjet e jashtëzakonshme historike, kulturore dhe ekonomike. Dialogu ndër-shtetëror midis qeverive është i qëndrueshëm, i fortë dhe i integruar përmes bashkëpunimit të thellë dypalësh në shumë sektorë dhe fusha. Marrëdhëniet shqiptaro-italiane vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, e lidhur me interesat tona të thella strategjike, partneritetin e ngushtë të NATO-s dhe një perspektivë të përbashkët evropiane. Partneriteti Strategjik midis dy vendeve (i sanksionuar në Deklaratën e Partneritetit Strategjik të firmosur dhe hyrë në fuqi më 12 Shkurt 2010), si edhe mbështetja e fuqishme e Italisë në rrugën e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, konfirmojnë edhe më shumë nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

Diaspora e vjetër arbereshe dhe komuniteti i madh i emigrantëve shqiptarë në Itali është një urë e fortë e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Italia mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe gjithashtu një nga donatorët kryesorë të Shqipërisë. Ka një gatishmëri për të promovuar praninë e investimeve të mëdha italiane në Shqipëri dhe investitorëve italianë për të investuar në sektorë strategjikë të ekonomisë së vendit.

Mbledhja e parë e Komitetit të Përhershëm për çështjet ekonomiko-sociale u zhvillua në nëntor të vitit 2021, gjatë së cilës u identifikuan rrugëtime konkrete bashkëpunimi. Shqipëria dhe Italia do të vazhdojnë të punojnë mbi disa projekte, duke filluar nga hekurudhat, tek projektet që kanë të bëjnë me ekonominë detare, projektet infrastrukturore dhe të energjisë, bujqësia, tranzicioni ekologjik, turizmi, kultura siguria dhe drejtësia.

Bashkëpunimi intensiv në projektin TAP ka një rëndësi strategjike jo vetëm për vendet tona, por për rajonin dhe gjithashtu për sigurinë energjetike të BE.

 

MALTA

Dialogu Politik: Marrëdhëniet me Maltën vlerësohen shumë të mira dhe dialogu politik është zhvilluar në nivelet më të larta. Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Maltës u vendosën më 5 mars 1973.

Malta ka qenë një mbështetëse e vendosur e axhendës së integrimit evropian të Shqipërisë dhe kjo mbështetje do të vazhdojë të ndjekë përpjekjet tona drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Bashkëpunimi Ekonomik: Ekzistojnë një sërë marrëveshjesh të rëndësishme bilaterale, përfshirë atë për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve, marrëveshjen për shmangien e taksimit të dyfishtë.

Shkëmbimet tregtare me Maltën kanë mundesi të mëdha për rritje të mëtejshme. Ne konsiderojmë me interes zgjerimin e bashkëpunimit me Maltën në fushën ekonomike, në disa sektorë: sektori i tregtisë (veçanërisht elektronika dhe tekstili), turizmi (turizmi shëndetësor); infrastruktura, akuakultura, shërbimet financiare dhe konsulenca, energjia e rinovueshme.

SERBIA

Qeveria shqiptare i kushton një vëmendje të veçantë forcimit të marrëdhënieve dypalëshe me Serbinë, duke marrë parasysh implikimet e shumëfishta që kjo marrëdhënie rrezaton në nivel dypalësh dhe rajonal, duke përfshirë Kosovën dhe shqiptarët që jetojnë në rajon.

Vendet tona po rrisin bashkëpunimin dhe shkëmbimet e vazhdueshme në kuadrin e organizatave rajonale dhe nismës “Open Balkan”. Prej janarit 2021 ka hyrë në fuqi Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë të shtetasve vetëm me karta identiteti.

Ka indikatorë të kënaqshëm në planin ekonomik, volumi tregtar ka ardhur duke u rritur deri në vlerën 233 milionë €, ndërsa vijojnë shkëmbimet në fusha si turizmi, energjia, transporti etj. Dhoma e Përbashkët e Tregtisë Shqipëri-Serbi ka arritje inkurajuese në krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta dhe investimeve të fokusuara në turizëm.

Qeveria shqiptare ndjek me vëmendje situatën e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe kudo në Serbi. Mbështesim plotësisht politikën e mosdiskriminimit dhe integrimin e tyre në institucionet shtetërore, gjë që nuk është thjesht një domosdoshmëri për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në përputhje me standardet evropiane, por edhe gurthemeli i forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe. Kërkesat tona bazohen në nevojat e tyre për të marrë atë që u takon, më shumë mirëqenie, më shumë respekt dhe përfshirje më të madhe në proceset integruese të Serbisë.

 

BOSNJE DHE HERCEGOVINA

Vlerësojmë nivelin e mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe vullnetin politik për të forcuar më tej bashkëpunimin mes vendeve tona, duke e konsideruar atë një interes të drejtpërdrejtë të politikës sonë të jashtme. Pozicioni i Shqipërisë është në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, procesit të integrimit të saj në NATO dhe BE, si dhe reformat e nevojshme politike në vend të ndërmarra në kuadër të këtij procesi dinamik.

Aktualisht, një numër marrëveshjesh janë lidhur me Bosnjë dhe Hercegovinën në shumë fusha, duke krijuar një kuadër të favorshëm ligjor për promovimin e bashkëpunimit dypalësh.

Megjithëse shkëmbimet tregtare me Bosnje dhe Hercegovinën janë rritur gjatë viteve të fundit, gjatë vitit 2021 arriti në 60 milionë euro, ato mbeten në nivele të ulëta dhe larg potencialit që ekziston midis vendeve tona.

Në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve me komunitetin shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë, si një urë e sigurt për forcimin e miqësisë midis dy vendeve tona, inkurajojmë bashkëpunimin në fusha të tilla si arsimi në gjuhën amtare, integrimi i shqiptarëve në institucione, shkëmbimet kulturore dhe shkencore me Shqipërinë, etj. Me qëllim forcimin e tregtisë dhe lidhjet mes popujve, prej tetorit 2016 është hapur Konsullata e Nderit në Sarajevë.

KROACIA

Dialogu Politik: Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kroacisë vlerësohen të shkëlqyera dhe vijojnë në të zhvillohen në një fazë prefenciale pas nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik në dhjetor 2018.

Shqipëria ishte një nga shtetet para që njohu pavarësinë e Kroacisë, pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, duke vendosur marrëdhëniet diplomatike në vitin 1992.

Kroacia është një mbështetëse e fortë e rrugëtimit të Shqipërisë në BE, ashtu sikurse ka qenë një bashkudhëtare në procesin e anëtarësimit në NATO. Në kuadër të nismës Adriatic Charter (A5) po zhvillohet një bashkëpunim i ngushtë lidhur me reformat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.

Diaspora shqiptare është e mirintegruar në shoqërinë dhe institucionet kroate dhe përfaqëson një urë të mirëfilltë miqësie dhe një garanci për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona.

Bashkëpunimi Ekonomik: Ka një trend pozitiv rritës, por mundësitë janë për më tepër. Pavarësisht numrit të madh të kompanive kroate në Shqipëri, volumi i kapitalit të investuar është modest. Po punohet për të maksimizuar avantazhet e TAP, duke i dhënë projekteve IAP dhe Blue Highway rëndësinë që meritojnë në kontekstin e lidhjes për të krijuar një rrugë të re gjatë Adriatikut.

SLLOVENIA

Dialogu Politik: Marrëdhëniet Slloveni-Shqipëri mund të vlerësohen si shumë të mira në fushat politike, diplomatike, sektorët e sigurisë e të mbrojtjes, në kuadrin e nismave rajonale, etj. Tregues domethënës është shkëmbimi i vizitave të niveleve më të larta në vitet e fundit.

Shqipëria ishte një nga shtetet e para që njohu pavaresinë e Sllovenisë, pasi u shkëput nga ish-Jugosllavia në gusht të vitit 1991. Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve janë vendosur më 9 mars 1992.

Sllovenia në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur integrimin Euroatlantik të Shqipërisë dhe hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Diaspora shqiptare është e mirintegruar në shoqërinë sllovene dhe përfaqëson një urë të mirëfilltë miqësie dhe një garanci për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona.

Bashkëpunimi Ekonomik: Ka një trend pozitiv rritës në këtë bashkëpunim, por mundësitë janë më të mëdha. Volumi i shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Sllovenisë konsiderohet modest, kundrejt mundësive më të mëdha për bashkëpunim në fushat e turizmit, teknologjisë së lartë, energjisë dhe mjedisit.

 

RUMANIA

Dialogu politik: Shqipëria dhe Rumania lidhën marrëdhëniet diplomatike më 16 dhjetor 1913. Rumania ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Shqipërisë. Kryeqyteti i Rumanisë, Bukureshti, në fund të shekullit 19 – fillimi i shekullit 20 ka shërbyer si në qendër e rëndësishme e patriotëve shqiptarë, nga ku është është kryer një veprimtari shumë e pasur për pavarësinë dhe çështjen kombëtare shqiptare. Marrëdhëniet midis dy vendeve konsiderohen shumë të mira dhe të qëndrueshme dhe rregullohen nga “Traktati mbi Mirëkuptimin e Ndërsjellë, Bashkëpunimin dhe Fqinjësinë e Mirë midis Rumanisë dhe Republikës së Shqipërisë”, nënshkruar më 11 maj 1994.

Ekziston një vullnet i ndërsjellë për t’i përmirësuar ato më tej, në përfitim të qartë të dy vendeve dhe popujve tanë.  Aktualisht, palët janë angazhuar në përpjekje të përbashkëta për ringjalljen e dialogut politik dhe vizitat e nivelit të lartë, në të dyja kahet, me fokus në forcimin e bashkëpunimit sektorial nëpërmjet bashkëpunimit në fushat relevante të dialogut BE-Shqipëri si dhe në konsolidimin e bashkëpunimit ekonomik. Shqipëria vlerëson rolin që Rumania luajti gjatë Presidencës së saj të BE, si dhe mbështetjen e fortë politike dhe teknike që Rumania jep në vazhdimësi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përgjithësi dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim, në veçanti.

Në Rumani jeton dhe punon një komunitet i vogël shqiptarësh, të cilët janë të mirë integruar në shoqërinë rumune. Në Rumani studiojnë një numër i konsiderueshëm të rinjsh shqiptarë. Në Shqipëri jeton dhe punon një komunitet i vjetër dhe i konsiderueshëm arumunësh, të cilët gëzojnë statusin e minoritetit dhe gëzojnë të gjitha të drejtat që njihen nga të gjitha konventat dhe ligji për minoritetet. Komuniteti shqiptar në Rumani dhe minoriteti arumun në Shqipëri janë ura të shkëlqyera bashkëpunimi midis vendeve dhe popujve tanë

Bashkëpunimi Ekonomik: Vëllimi tregtar është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme në krahasim me vitet e mëparshme, megjithatë treguesit e tanishëm ekonomikë nuk pasqyrojnë potencialin e vërtetë mes dy vendeve, pasi ekzistojnë hapësirat ​​apo mundësitë për t’u dhënë këtyre marrëdhënieve një impuls të ri. Gjatë viti 2021 volumi i shkëmbimeve tregtare me Rumaninë ka qenë 92 milionë euro.

TURQIA

Dialogu politik: Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Turqisë janë vendosur me Traktatin e Miqësisë, nënshkruar më 15 dhjetor 1923. Marrëdhëniet midis dy vendeve, bazuar në miqësinë dhe lidhjet tradicionale, janë të shkëlqyera dhe janë ngritur në nivelin e Partneritetit Strategjik, si dhe në pasurimin e bashkëpunimit institucional në të gjitha fushat dhe nivelet. Gjatë vitit 2021 dhe fillim vitit 2022 është intensifikuar dialogu politik i nivelit të lartë. Presidenti Erdogan dhe Kryeministri Rama kanë zhvilluar vizita në kryeqytetet respektive dhe janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh në fushën e ekonomisë, transportit, arsimit, shëndetësisë, kulturës, mbrojtjes, dhe diplomacisë. Këto shkëmbime kanë konfirmuar qartë vullnetin politik për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për të identifikuar fushat e reja të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare.

Këto marrëdhënie të shkëlqyera u reflektuan edhe në ndihmën që Turqia i ofroi vendit tonë, jo vetëm në përballimin e pasojave të tërmeteve që goditën vendin tonë më 21 shtator dhe më 26 nëntor të vitit 2019 (Turqia financoi ndërtimin e 522 apartamenteve), por edhe gjatë pandemisë Covid-19. Marrëdhëniet shqiptaro-turke kapin një spektër të gjerë, duke përbërë një kuadër të spikatur institucional të bashkëpunimit në aspektin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare, ndihmës zhvillimore, shkëmbimeve sektoriale dhe bashkëpunimit normativ. Shqipëria dhe Turqia bashkëpunojmë ngushtësisht në fushën e sigurisë dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Në Turqi jeton dhe punon një komunitet i madh shqiptarësh, diaspora e re e pas viteve 1990 dhe diaspora e vjetër, e cila shërben si një urë në forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Bashkëpunimi Ekonomik: Trendi pozitiv dhe në rritje i investimeve turke në vendin tonë vazhdon në fushat kyçe të ekonomisë shqiptare, si energjia, telekomunikacioni, sektori bankar etj. Deri në fund të vitit 2021, vëllimi i tregtisë ka arritur në 746 milionë euro dhe Turqia është bërë partneri i katërt tregtar i Shqipërisë. Investimet turke arrijnë në rreth 3.6 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga kompanitë turke të pranishme në vend.