Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Kuadri ligjor dhe institucional- ligje dhe akte të tjera, institucionet dhe strukturat e integrimit

Sistemi i bashkërendimit për integrimin evropian u rikonceptua me miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 749, datë 19.12.2018 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për negociimin dhe përfundimin e traktatit të pranimit të Republikës së Shqipërisë me Bashkimi Evropian“.

Objektivi i Vendimit të Këshillit të Ministrave është:

  • plotësimi i kuadrit vendimmarrës për t’iu përgjigjur hapave të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian;
  • ngritja e strukturave negociuese dhe përcaktimi i detyrave të tyre në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian;
  • përcaktimi i rolit dhe detyrave të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe strukturave të saj në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian;
  • sigurimi i koordinimit qendror ndërmjet strukturave vendimmarrëse dhe atyre negociuese për procesin e negociatave;
  • sigurimi i përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e negociatave në Bashkimin Evropian.

Urdhri i Kryeministrit Nr. 93, datë 20.05.2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Komitetit Teknik të Grupeve Ndërinstitucionale të Punës”.

Komiteti Teknik i Grupeve Ndërinstitucionale të Punës për Integrimin Evropian mbikëqyr funksionimin e përgjithshëm i GNPIE-ve dhe siguron vazhdimësinë e punës dhe angazhimin e anëtarëve të GNPIE, gjatë gjithë fazave të negociatave të anëtarësimit.

Urdhri i Kryeministrit Nr. 94, datë 20.05.2019 ” Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin Evropian“.

Grupet ndërinstitucionale të punës krijohen për secilin kapitull të “acquis” dhe kryejnë të gjitha analizat specifike mbi situatën e politikave, legjislacionit, financimit, procedurave administrative, ndërveprimit social dhe sipërmarrjes private dhe zbatimit gjyqësor për fushën përkatëse të mbuluar nga kapitulli përkatës i “acquis”. Në vijim të kësaj analize, GNPIE-ja përkatëse harton “Planin e Veprimit të Kapitullit”, pra përgatisin Qëndrimet Paraprake dhe Qëndrimet Përfundimtare për kapitullin përkatës, duke përfshirë diskutime apo renditjen e palëve gjatë negociatave për atë kapitull. Gjithashtu, në hartimin e planeve të veprimit, grupet ndërinstitucionale të punës duhet të sigurojnë përputhshmërinë mes planeve të punës dhe dokumenteve strategjikë të hartuar.

Urdhri i Kryeministrit Nr 113, datë 30.08.2019 “Për format e pjesëmarrjes, funksionimin dhe strukturën institucionale të platformës së partneritetit për integrimin Evropian”. (Kliko këtu)

Platforma e krijuar prej urdhrit ka funksion këshillimor/konsultues për strukturat shtetërore që menaxhojnë procesin e integrimit evropian, duke synuar të sjellë në mënyrë të organizuar opinionet e qëndrimet e aktorëve më aktivë të shoqërisë shqiptare ndaj procesit. Këshillimi me këta aktorë shtrihet dhe për sa i takon programimit, menaxhimit, zbatimit e vlerësimit të ndihmës së Bashkimit Evropian, sipas kërkesave të Marrëveshjes Kuadër, Rregullat e Zbatimit të Asistencës Financiare të BE-së për Shqipërinë në Kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit.