Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Marrëdhëniet e vendit tonë me Bashkimin Europian, bazuar në objektivin kombëtar të integrimit në BE, janë strategjike dhe prioritare të politikës sonë të jashtme. Interesi parësor i Shqipërisë në raport me BE është anëtarësimi në BE në të ardhmen. Objektivi aktual mbetet hapja zyrtare e bisedimeve të anëtarësimit, si një hap kyç dhe cilësor drejt realizimit të objektivit final të anëtarësimit në BE. Vijon puna për të konkretizuar pritshmëritë për marrjen e një vendimi pozitiv për hapjen e bisedimeve me BE-në.

Në vitin 1991 Shqipëria vendosi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Evropian.

Në vitin 2000, Shqipëria u njoh zyrtarisht nga Bashkimi Evropian si një vend kandidat potencial.

Samiti i Selanikut i krerëve të vendeve të BE, në 2003, miratoi procesin e Stabilizim-Asociimit, duke konfirmuar kështu perspektivën e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

Negociatat për Marrëveshjen e Stabilitetit dhe Asociimit BE-Shqipëri nisën në 2003. Procesi i negociatave rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë u përmbyll dhe u nënshkrua në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme (GAC), në Luksemburg me 12 qershor 2006.

MSA-ja hyri në fuqi më 1 Prill 2009. Po në prill 2009, Shqipëria aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në BE.

Në nëntor 2009, bazuar në pyetësorin që Komisioni Evropian i dorëzoi Shqipërisë në lidhje me përgatitjen e vendit për anëtarësim, filluan edhe negociatat për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Në 27 qershor 2014 Shqipërisë mori statusin e vendit kandidat. Këshilli përcaktoi pesë përparësi kryesore (administrata publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, të drejtat themelore) që Shqipëria duhej të përmbushte përpara fillimit të negociatave të pranimit

Me 9 nëntor të vitit 2016, bazuar në arritjet në këto përparësi kyçe Komisioni i propozoi për herë të parë Këshillit, fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë, në varësi të një progresi konkret në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçati të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Më 17 Prill 2018, në Paketën e tij vjetore të Zgjerimit, Komisioni Evropian rekomandoi që Këshilli të vendosë që negociatat e pranimit të hapen me Shqipërinë nën dritën e përparimit të shënuar, ruajtjes dhe thellimit të reformave nga Shqipëria.

Më 26 qershor 2018, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së pranoi t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit në qershor 2019.

Më 29 maj 2019, Komisioni Evropian prezantoi Paketën vjetore të Zgjerimit, duke rekomanduar sërish hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i 18 qershorit 2019 riafirmoi konkluzionet e tij të 26 qershorit 2018, njohu rekomandimin pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave dhe vendosi të marrë një vendim të qartë dhe substancial për këtë jo më  vonë se tetor 2019.

Këshilli Evropian i 17-18 tetorit 2019, mori në shqyrtim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Këshilli vendosi t’i rikthehej kësaj çështjeje përpara majit 2020.

 

Regjimi pa viza
Më 9 nëntor 2006, Komisioni Evropian vendosi të fillojë negociatat për lehtësimin e vizave me Shqipërinë.

Marrëveshja për lehtësimin e vizave u nënshkrua nga palët në 13 Prill 2007, në Zagreb. Ajo hapi rrugën që të arrihej heqja e plotë e vizave dhe lëvizja e lirë për qytetarët shqiptarë drejt vendeve të BE.

Pas hyrjes së marrëveshjes në fuqi, më 1 Janar 2008, më 7 Mars 2008, në Tiranë, filluan negociatat midis Komisionit Evropian dhe Qeverisë shqiptare për të arritur konsensusin për liberalizimin e vizave midis palëve.

Në përfundim të bisedimeve, në maj 2010 Komisioni propozoi t’iu mundësohej shtetasve të Shqipërisë udhëtimi drejt vendeve të Shengenit pa pasur nevojë për vizë afatshkurtër.

Më 8 nëntor 2010, Këshilli miratoi propozimin e Komisionit dhe rregjimi pa viza hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010.

Komisioni Evropian është i autorizuar dhe i detyruar të vlerësojë çdo vit zbatimin e marrëveshjes. Në raportin e tij të fundit në dhjetor 2018, Komisioni Evropian deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet, duke propozuar ruajtjen e këtij regjimi me Shqipërinë. (Kliko këtu)