Ministry for Europe and Foreign Affairs

Në kuadër të punimeve të pjesëmarrjes në punimet e Konferencës ndërkombëtare mbi luftën kundër antisemitizmit në rajonin e OSBE-së, Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme,  Artemis Malo  zhvilloi një takim pune me Sekretarin e Shtetit të Çështjeve Evropiane dhe të Jashtme të Sllovakisë, njëkohësisht Përfaqësues Special i Kryesisë sllovake të OSBE, Lukas Parizek.

Gjatë takimit, Zëvendësmistrja Malo i konfirmoi kolegut sllovak mbështetjen e plotë të Shqipërisë për prioritetet sllovake në drejtimin e OSBE, që lidhen me parandalimin, ndërmjetësimin dhe zgjidhjen e konflikteve, duke u fokusuar tek përmirësimi i jetës së njerëzve që vuajnë pasojat e  këtyre konflikteve. Gjithashtu, ajo theksoi se multi-lateralizmi efektiv është edhe më shumë i nevojshëm në këto kohë të paqëndrueshme e të pasigurta, për adresimin e sfidave në rajonin e OSBE-së e më tej.

Në vijim Zëvendësministrja Malo, shprehu angazhimin maksimal të Shqipërisë, si pjesë e Trojkës së OSBE-së dhe si Kryesuese e Grupit të Kontaktit të Mesdheut për 2019, për të mbështetur dhe kontribuar për një Kryesi të suksesshme të Sllovakisë.

Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit Parizek e cilësoi Shqipërinë si partner natyral në OSBE, duke u  shprehur se eksperienca e Grupit të Kontaktit të Mesdheut do t’i shërbejë Shqipërisë për të pasur një Kryesi të suksesshme në 2020. Sipas Parizek, mes Shqipërisë dhe Sllovakisë ka mjaft hapësira për bashkëpunim, të cilat duhen shfrytëzuar më mirë. Në përfundim, ai uroi Shqipërinë për hapat e ndërmarrë në hapjen e negociatave me BE dhe rikonfirmoi mbështetjen e Sllovakisë në këtë proces.