Ministry for Europe and Foreign Affairs

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino, priti në datën 24 maj 2022, delegacionin e Komisionit për Integrimin Evropian (KIE) të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga znj. Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Zëvendëskryetare e KIE.

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin dypalësh, procesin e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku veçanërisht u fol për liberalizimin e shumë vonuar të vizave me BE-në si dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Zëvendësministrja Fino vlerësoi vizitën e delegacionit dhe forcimin e bashkëpunimit të diplomacisë parlamentare, të cilën e konsideroi si domosdoshmëri për suksesin e proceseve integruese të dy vendeve tona.

Znj. Fino përgëzoi Kosovën për aplikimin për anëtarësim në KiE dhe theksoi mbështetjen e Shqipërisë gjatë këtij procesi. Po ashtu, u nënvizua edhe përkrahja e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe liberalizimin e vizave me BE-në si procese të cilat do të kontribuonin në sigurinë dhe paqen në rajon.