Ministry for Europe and Foreign Affairs

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Etjen Xhafaj priti në një takim Ministrin e Shtetit për Mjedisin të Japonisë Minoru Kiuchi.

Gjatë takimit Zëvendësministri Etjen Xhafaj shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme, me interes reciprok. Nisur nga fakti se Japonia ka standardet më të larta për mjedisin, qeveria shqiptare mbetet mjaft e interesuar për të hartuar projekte të përbashkëta me qeverinë japoneze, si dhe për marrjen e ekspertizës së saj në këtë fushë.

Nga ana tjetër, Ministri i Shtetit të Mjedisit të Japonisë Minoru Kiuchi, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe u shpreh se Shqipëria është një vend partner mjaft i rëndësishëm për Japoninë. Sipas tij, Shqipëria luan një rol kryesor për paqen dhe stabilitetin në rajon. Gjithashtu, ai shprehu mbështetjen e Japonisë për rrugën e integrimit evropian dhe gatishmërinë e Japonisë për të mbështetur Shqipërinë në projektet e saj, si në planin bilateral, por edhe në kuadër të Iniciativës së Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket turizmit, u vu theksi në numrin e shtuar të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë vitet e fundit dhe shqyrtimit nga qeveria japoneze për çështjen e heqjes së vizave për shtetasit shqiptarë.

Çështje me rëndësi e diskutuar në takim ishte edhe shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë në të dy vendet.