Ministry for Europe and Foreign Affairs

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Agron Tare, mori pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të sesionit të 43-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut (KDNJ), në Gjenevë.

Në fjalën e tij në Segmentin e Nivelit të Lartë, zëvendësministri theksoi angazhimin e Shqipërisë  në mbrojtjen dhe promovim e të drejtave të njeriut.

Që në hapje të saj, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut thotë se dinjiteti dhe të drejtat e barabarta e të patjetërsueshme të njeriut përbëjnë themelin e lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë. Kuptueshëm, pra, që Shqipëria ka vendosur përparimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në zemër të prioriteteve të saj si Kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjatë vitit 2020. Vizioni i Kryesisë shqiptare të OSBE reflekton besimin e Shqipërisë tek multilateralizmi për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe sigurimin e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrushëm.

Zëvendësministri Tare shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për “Thirrjen për Veprim” për të drejtat e njeriut që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së prezantoi gjatë takimit, si dhe prioritetet kryesore të Shqipërisë gjatë vitit 2020: barazia gjinore dhe të drejtat e grave, promovimi i tolerancës dhe mosdiskriminimi, si dhe liria e shprehjes dhe e mediave.

Në margjinat e Takimit të Nivelit të Lartë të KDNJ 43, z. Tare zhvilloi dhe një sërë takimesh dypalëshe në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si dhe për realizimin e marrëveshjeve dypalëshe konsullore, në lehtësim të lëvizjes së lirë të qytetarëve.