Ministry for Europe and Foreign Affairs

Zv. ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, zhvilloi një vizitë pune dy ditore në Romë, ku zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të politikës italiane.
Gjatë takimit me zv. ministren për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Emmanuela Del Re, Drejtorin për Ballkanin, Cavagnja dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Jashtme, u evidentuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona si dhe mbështetja e pakursyer e Italisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Zv. ministri Xhafaj, renditi një panoramë të reformave të kryera në vend dhe impaktit të tyre në shoqërinë shqiptare. Xhafaj theksoi rëndësinë e marrjes së një mesazhi të qartë nga BE për vlerësimin e tyre, pasi kjo do të ndikonte drejtpërsëdrejti veçanërisht tek të rinjtë shipëtarë si dhe në perspektivën e tyre.
Nga ana e saj, Zv. ministria Del Re vlerësoi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe rikonfirmoi mbështetjen e padiskutueshme të Italisë. Ajo u angazhua në përcjelljen e mesazhit, duke uruar hapjen sa më shpejtë të negociatave me BE.
Zv. ministri Xhafaj u ndal ne marrëdhëniet dypalëshe ekonomike ku ngriti nevojën e thellimit të mëtejshëm nëpërmjet mekanizmave që favorizojnë tërheqjen e investimeve italiane në vend. Krijimi i komisionit të përbashkët ekonomik për identifikimin e fushave të bashkëpunimit në mënyrë konkrete, ishte propozimi i paraqitur prej tij që u mirëprit nga bashkëbiseduesja.
Vëmendje të veçantë Xhafaj i kushtoi diasporës shqiptare në Itali, duke evidentuar kontributin e saj ekonomik e social. Ai theksoi nevojën e nisjes së konsultimeve për njohjen e ndërsjelltë të pensioneve, duke përfshirë edhe ato të italianëve që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri.
Në takim u diskutua edhe perspektiva e mësimit të gjuhës shqipe në Itali si gjuhë e dytë në shkollat me prezencë të madhe shqiptare, duke nënvizuar se ligji italian e favorizon këtë qëllim.
Duke u ndalur në çështjen e politikës së brendëshme shqiptare, zv ministrja Del Re përcolli ftesën për dialog mes partive politike në interes të vendit dhe në funksion të zbatimit të reformave në menyrë që Shqipëria të vazhdojë rrugën e integrimit.
Zv. ministri Xhafaj zhvilloi një takim pune edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Info Camere, Paolo Ghezzi. Qëllimi i këtij takimi ishte njohja me sistemin digjital të regjistrimit të ndërmarrjeve në territorin italian dhe gjetja e mundësive që ky sistem të percillet në Shqipëri për regjistrimin e ndërmarrjeve italiane që operojnë aty si dhe për ndërtimin e një rrjeti bashkëpunimi midis institucioneve të të dy vendeve.
Drejtori Ghezzi u tregua i gatshëm për të bashkëpunuar.
Zv. ministri Xhafaj u shpreh i gatshëm që nga institucionet tona të mundësohej realizimi i një takimi me specialistët përkatës për konkretizimin dhe bashkëpunimin e kësaj çështjeje.
Gjatë vizitës në Itali, zv. ministri Xhafaj u prit në Dhomën e Deputetëve nga Presidenti i Komisionit të Punës, Andrea Giaccone. Mes të tjerash, në këtë takim Xhafaj ngriti temën e rëndësisë së zgjidhjes të pagesës së pencioneve të komunitetit shqipëtar që kanë kontribuar në jetën ekonomike në Itali.
Një tjetër takim në vendin fqinj, zv. ministri Xhafaj e zhvilloi me Presidenten e Komisionit të Punës Ekonomike dhe Private si dhe me Senatorë të Komisionit në Senatin e Republikës.
Në këto takime, Xhafaj, kërkoi mirëkuptimin politik të senatorëve për trajtimin me urgjencë të pagesës së pencioneve të emigrantëve shqipëtarë si dhe kerkoi kontributin e tyre për fillimin sa më shpejtë për trajtimin e kësaj çështjeje.
Xhafaj zhvilloi dhe një sërë takimesh me nënsekretarin e Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale, Z. Claudio Cominardi si dhe me delegacionet e ILA-së në Romë.
Në këto takime, vëmendja u përqëndrua tek investimet e huaja dhe mundësitë që ofron Shqipëria.