Ministry for Europe and Foreign Affairs

Në kuadrin e diplomacisë ekonomike, Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Etjen Xhafaj zhvilloi një tur në vendet baltike, respektivisht një mision zyrtar në Letoni më datat 14-16 tetor 2018 dhe një mision zyrtar dhe biznesi në Estoni më datat 14-19 tetor 2018. Në këtë vizitë delegacioni përbëhej edhe nga Zëvenësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Albana Shkurta si dhe një delegacion biznesi nga Shqipëria. Turi i vizitës dhe takimeve të realizuara në të dyja vendet u përgatit në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Ambasadës së RSH në Poloni.

Gjatë këtij turi delegacioni shqiptar pati një agjendë të ngjeshur takimesh me përfaqësues zyrtarë në Ministritë e Jashtme, Ministritë e Ekonomisë, Agjencitë e Investimeve, me drejtues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, përfaqësues biznesi të kompanive letoneze dhe estoneze si dhe vizita në terren.

Qëllimi i këtyre vizitave kishte të bënte me forcimin e bashkëpunimin dypalësh dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike në vijim mes Shqipërisë dhe dy vendeve Baltike, Letonisë dhe Estonisë. Duke vlerësuar statusin aktual të marrëdhënieve mes vendeve me zhvillime pozitive në kuadrin e bashkëpunimit politik, gjatë bisedimeve u dakordësua se ekzistojnë mundësi të shumta për rritjen e dinamikës së bashkëpunimit ekonomik dhe u shpreh gatishmëria për të forcuar më tej dialogun e ndërsjellët dhe lidhjen e mëtejshme të ekonomive dhe bizneseve të vendeve respektive.

Referuar këtij fakti bashkëbiseduesit shqyrtuan mundësitë që ekzistojnë për të forcuar bashkëpunimin në fusha dhe sektorë të dedikuar, si ICT, teknologji, inovacion, start-ups, turizëm, industria e drurit, agro-industria, manifaktura, industria kimike, farmaceutike, etj., ku secili nga vendet ka arritur sukses, ka eksperiencë, ekspertizë dhe avantazhe dhe se si këto arritje dhe histori suksesi mund të ndihmojnë Shqipërinë në ato sektorë dhe ato biznese që kanë profile të ngjashme, por jo vetëm.

Gjatë vizitës në Letoni, Zëvendësministri Xhafaj zhvilloi takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme me Sekretaren Parlamentare, znj. Zanda Kalniņa-Lukaševica dhe Drejtorin e Drejtorisë së Tregtisë së Jashtme dhe Promovimit të Marrëdhënieve të Ekonomisë së Jashtme, Ambasadorin z. Indulis Ābelisnë, takim në Ministrinë e Ekonomisë me Zëvendësministren, znj. Zaiga Liepiņa, në Agjencinë Letoneze të Investimeve dhe Zhvillimit me Drejtorin e Divizionit të Promovimit të Eksporteve, z. Filips Tālbergs, duke vijuar me vizitën pranë kompanisë letoneze LLC “Kinetics Nail Systems” një kompani letoneze e prodhimit të produkteve të kozmetikes.

Gjatë vizitës në Estoni Zëvendësministri Xhafaj zhvilloi takime me Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme, të Parlamentit estonez (Riigikogu), z. Marko Mihkelson dhe anëtaren e këtij komiteti znj. Barbi Pilvre, në Ministrinë e Çështjeve Ekonomike dhe Komunikimit takim me Përgjegjësin Kryesor të Informacionit të Qeverisë z. Mr Siim Sikkut, në Agjencinë e Investimeve Estoneze, takim me Konsulentin e Investimeve, z. Toomas Kwstik, në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë takim me Drejtorin e Përgjithshëm të kësaj dhome z. Mait Palts, vizitë në Zyrën e Qeverisë, prezantim me sistemin e Estonia e-Government dhe takim me Shefen e Sekretariatit të Qeverisë, znj. Marika Seppius, vizitë në Akademinë e e-Qeverisjes (e-Government Academy eGA), një mundësi e mirë për të mësuar se si funksionon dhe punon e-qeveria estoneze dhe çfarë sistemesh përdoren gjatë takimeve të Qeverisë dhe takim me Eksperten e Lartë për e-Demokraci, znj. Liia Hänni dhe Drejtoren e Programit për Trajnimet e E-Qeverisjes, znj. Annela Kiirats.

Gjatë vizitës në Estoni delegacionit zyrtar shqiptar ju bashkua dhe delegacioni i biznesit nga Tirana në kuadër të pjesëmarrjes së përbashkët në Forumin e Biznesit për Vendet e Ballkanit Perëndimor organizuar nga pala estoneze, Dhoma e Tregtisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Estonisë. Të pranishmit në forum u përshëndetën nga Zëvendësministri Xhafaj dhe Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Albana Shkurta.