Ministry for Europe and Foreign Affairs

Unifikimi i politikave të mësimdhënies dhe angazhimi për rritjen cilësore të mësimit në gjuhën shqipe në diasporë, në zbatim të marrëveshjeve të përbashkëta midis dy vendeve, mblodhën në një takim dy ditor në Shqipëri përfaqësues të institucioneve të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova.

Më 8 qershor, takimi u zhvillua në mjediset e Kryeministrisë në Tiranë, me pjesëmarrjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën Z. Pandeli Majko dhe agjencive nën varësinë e tij, drejtuesve të lartë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Ministria e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit e Kosovës.

Nga MEPJ, në takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm, Z. Armand Skapi dhe Drejtoresha e Diplomacisë Publike dhe Diasporës, Znj. Mira Hoxha.

Ministri Majko nxiti përfaqësuesit në takim të bashkërendojnë punën dhe të përshpejtojnë ritmet për zbatimin e marrëveshjeve të përbashkëta për unifikimin e politikave të mësimdhënies në diasporë.

Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, Z. Skapi, në fjalën e tij, vuri në dukje angazhimin dhe punën e bërë nga strukturat përgjegjëse në ministri dhe përfaqësitë diplomatike e konsullore, në kuadër të procesit për unifikimin e mësimit shqip në diasporë dhe rritjen e cilësisë së arsimimit për fëmijët e klasave të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.

Temat kryesore ku u përqendruan diskutimet në takimin e ditës së parë ishin koordinimi për planifikimin, botimin dhe shpërndarjen e librave bazë, atyre ndihmës dhe mjeteve të tjera mësimore për shkollat shqipe në diasporë, si dhe planifikimi i aktiviteteve të përbashkëta me fokus arsimin në diasporë.

Takimi i ditës së dytë u mbajt në Durrës, me pjesëmarrjen e Komisionit të Përbashkët të ekspertëve Shqipëri-Kosovë për miratimin e teksteve te përbashkëta mësimore për diasporën. Diskutimet u përqendruan rreth procedurës së përzgjedhjes së recensuesve për vlerësimin e teksteve të përbashkëta për diasporën dhe për përmbylljen e procesit të teksteve të përbashkëta për diasporën.

Në përfundim të tij, komisioni miratoi kalendarin e punës për përzgjedhjen e recensentëve dhe miratimin e thirrjes për aplikim të recensentëve të teksteve të përbashkëta për diasporën.