Ministry for Europe and Foreign Affairs

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj mori pjesë në takimin e 12-të të Koordinatorëve Kombëtarë të Iniciativës së Bashkëpunimit Kinë- Evropë Qëndrore e Lindore, ose siç njihet ndryshe Nisma 16+1, e cila u zhvillua në datën 18 dhjetor.

Takimi që u zhvillua jo shumë kohë nga Samiti i Liderëve në Sofje, duke treguar intensitetin në rritje të angazhimeve dhe përpjekjeve të Nismës për të monitoruar dhe analizuar atë çka është arritur deri tani në kuadër të kësaj Nisme.

Zëvendësministri Xhafaj në fjalën e tij ka theksuar se Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të plotë në Iniciativën e Bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke ndarë së bashku një aspiratë të përbashkët për ta transformuar këtë bashkëpunim në një histori suksesi.

“Nisma 16 + 1 është një platformë shumë e rëndësishme në vazhdim, e cila shërben kryesisht në bashkëpunimin ekonomik si dhe një platformë e komunikimit dhe kuptimit kulturor midis Lindjes e Perëndimit, ka vijuar ai.

Në aspektin dypalësh, marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë janë në një moment shumë pozitiv që dëshmohet në shumë vizita zyrtare të të gjitha niveleve. Besimi reciprok dhe dialogu në rritje reflektohen edhe në bashkëpunimin ekonomik dhe përparimin e shkëmbimeve tregtare. Në këtë kontekst, Shqipëria po punon ngushtë me palën kineze për negocimin dhe nënshkrimin e Protokollit mbi inspektimin dhe Karantinën, i cili do të mundësojë kompanitë shqiptare për të eksportuar prodhimet e tyre dhe t’i afrojnë ato më pranë klientëve kinezë.