Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë samitit të NATO-s në Madrid, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto.

Ministrja Xhaçka shprehu mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Finlandës në NATO.

“E mirëpritur marrëveshja e suksesshme mes Turqisë, Finlandës dhe Suedisë që hap rrugën për anëtarësimin e dy vendeve në aleancë. Bashkë më të fortë”, u shpreh ajo në rrjetet sociale pas takimit.

Në sesionin e parë të punës në Samitin e Madridit, udhëheqësit e NATO-s morën vendime të rëndësishme sa i përket vazhdimit të përshtatjes së Aleancës ndaj rreziqeve.

Ata miratuan Konceptin e ri Strategjik të NATO-s dhe u dakordësuan gjithashtu edhe për një “ndryshim themelor në parandalimin dhe mbrojtjen e njerëzve”, të mbështetur nga rritja e investimeve në mbrojtje dhe financimi i përbashkët, si dhe më shumë mbështetje për Ukrainën në një periudhë më afatgjatë.

Gjithashtu, udhëheqësit e NATO-s morën një vendim historik për të ftuar Finlandën dhe Suedinë të bëhen anëtarë të Aleancës.