Ministry for Europe and Foreign Affairs

Përshëndetje të gjithëve,

Faleminderit shumë për praninë tuaj dhe mirë se keni ardhur në këtë komunikim të rëndësisë së veçantë.

Dje, atë që qeveria e Shqipërisë ju ka thënë prej kohësh në mënyrë të përgjegjshme, pothuajse ditë për ditë, Komisioni Evropian e ka bërë fakt të njohur e të pamohueshëm botërisht.

Shqipëria ka shënuar të gjithë progresin e nevojshëm, ka bërë gjithë punën e duhur dhe ka treguar gjithë përkushtimin e fortë për të merituar çeljen pa kushte të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian menjëherë.  Ky vlerësim nuk është thjesht përsëritje e vlerësimit të vitit të kaluar. Raporti i ri nuk është raporti i vjetër, sepse raporti i ri është dëshmia e sukseseve të reja, është dëshmia e përmbushjes së të gjitha rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe kushteve të Këshillit, siç janë paraqitur në konkluzionet e qershorit të vitit të kaluar.

Asnjë strategji madhore e relativizimit për çfarë do interesi të vogël partiak nuk zhbën rëndësinë kombëtare të raportit që mban vulën e Komisionit Evropian.

Në mënyrë kompetente, aq sa voluminoze, me një vlerësim rigoroz milimetrik që vjen nga një studim pothuajse mikroskopik, Komisioni Evropian ka ofruar dëshminë absolute të përparimit përmbajtësor të Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe dhe jo vetëm.

Evoluimi në kohë që nga viti i kaluar, është shndërruar në përmirësim në cilësi, entuziazëm shtesë për punën madhore të institucioneve të Shqipërisë, për të bërë transformimin e nevojshëm në rrugën e tyre evropiane.

Çështja kryesore këtu nuk është thjesht sepse Komisioni Evropian ka thënë “PO” për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Çështja kryesore nuk është se Komisioni ka dhënë një rekomandim përmbajtësor për hapjen e negociatave. Çështja kryesore është edhe vetë mënyra  se si janë paraqitur argumentet mbështetëse dhe mënyra se si është formuluar rekomandimi në favor të Shqipërisë.

Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria është një rast shembullor i transformimit rrënjësor e madhor të sistemit të drejtësisë dhe vlerësimit sistematik të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Raporti i Komisionit Evropian veçon Shqipërinë nga  gjithë Rajoni për një shkak me vlerë të dyfishtë: Nivelin e performancës kombëtare dhe cilësinë e monitorimit ndërkombëtar.

Duke nënvizuar numrin e konsiderueshëm të vendimeve për gjyqtarë dhe prokurorë në procesin e vetingut, dhe ju lutem të keni parasysh. Ky është një rast i paprecedentë në rajon. Raporti vlerëson lart faktin që gjithë kjo punë është kryer nën monitorimin e kujdesshëm të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Pra, jo vetëm që ka një progres përmbajtësor në Reformën në Drejtësi por në fakt, ka dhe një vlerësim ndërkombëtar për mënyrën se si është kryer Reforma në Drejtësi.

Përveç reformimit të sistemit të drejtësisë dhe rritjes së besueshmërisë së tij në formë lineare, për shkak të pastrimit të tij sistematik, Shqipëria ka ngritur po ashtu edhe institucionet e reja gjyqësore që krijojnë premisat afatgjate për një gjyqësor llogaridhënës dhe transparent. Raporti po ashtu konfirmon përpjekjen e fuqishme të qeverisë shqiptare për të çrrënjosur dhe luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Komisioni thekson se Shqipëria ka dëshmuar një përkushtim të fuqishëm në luftën kundër prodhimit, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Pra, ky formulim dëshmon qartazi se qeveria, jo vetëm që nuk është e përfshirë sistematikisht në këtë çështje por, realisht ka vepruar me forcë kundër saj. Dhe ky është një konstatim i Komisionit Evropian dhe jo një opinion i qeverisë.

Komisioni po ashtu konstaton se Shqipëria ka rritur bashkëpunimin me vendet anëtare për të adresuar fenomenet në fjalë dhe për më tepër, Komisioni konstaton se ka ndodhur arrestimi i udhëheqësve kryesorë dhe procedimi penal i liderëve të krimit të organizuar në Shqipëri.

Për më shumë, Komisioni thekson se përkundër faktit se vende të tjera të Ballkanit Perëndimor janë në negocim e sipër të marrëveshjeve për bashkëpunim ndërkufitar me Bashkimin Evropian, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që tashmë ka konkretizuar dhe operacionalizuar një marrëveshje të tillë.

Raporti vlerëson edhe reformën në administratën publike, për efiçencën dhe moderimin e saj institucional që u ka dhënë shqiptarëve që nga fillimi dhe po ashtu, vlerëson rritjen graduale dhe përmirësimin cilësor të indikatorëve ekonomikë. Nga 3.8% i rritjes së përgjithshme ekonomike për vitin 2017, në 4.2% për vitin 2018.

Në fund, Komisioni Evropian, me ngjyrë të zezë mbi fletën e bardhë, ka thënë diçka që duhet të nënvizohet edhe këtu: “Shqipëria ka bërë të gjithë punën e saj të nevojshme për të shtyrë përpara reformën elektorale dhe kjo nuk është bërë për shkak të përgjegjësisë të aktorëve të tjerë. Qeveria e ka bërë punën e saj për ta kultivuar kulturën demokratike në Shqipëri.”

Kjo tregon se Shqipëria që duam është në fakt Shqipëria që vlerëson Evropa.

Përveç elementëve kryesorë të performancës në 5 prioritetet kyçe, Komisioni Evropian, nënvizon edhe dy faktorë që po ashtu duhet të marrin vëmendjen e gjithsecilit prej nesh.

Shqipëria figuron si një vend që devotshmërisht kultivon parimin e fqinjësisë së mirë në rajon, jo se kështu diktojnë rrethanat rastësore, apo se kështu spontanisht udhëhiqet politika jonë, por se kjo vjen nga bindja jonë e plotë.

Raporti thekson po ashtu se, Shqipëria është i vetmi vend në Rajon që linjëzon në mënyrë absolute, në shkallë 100% politikën e saj të Jashtme, me politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian.

Së fundmi, duke marrë në konsideratë progresin e brendshëm të realizuar nëpërmjet reformave sistematike, cilësinë e marrëdhënieve në rajon, të zhvilluar nëpërmjet parimit të fqinjësisë së mirë dhe natyrisht rolin e Shqipërisë më gjerë, sa i përket marrëdhënieve me politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, tani.

Nëse kushtet e përcaktuara nga Këshilli i Evropës janë përmbushur ose jo, këtë përgjigje më tej nuk mund ta japë Qeveria shqiptare. Kjo është një përgjigje që e ka dhënë Komisioni Evropian për vendet anëtare.

Komisioni ka thënë të vërtetën për Shqipërinë dhe kjo e vërtetë tashmë është përtej Qeverisë. Interesi i për integrimin Evropian duhet të tejkalojë çdo dallim partiak dhe çdo marrëdhënie pozitë-opozitë. Prandaj, në vend të polemikave shterpe, që nxisin luftë interpretimesh pa përmbajtje, ka ardhur koha e dialogut të brendshëm dhe komunikimit aktiv me vendet anëtare.

Jo vetëm që bashkërisht jemi më bindës, sepse jemi më të fortë, por jemi edhe më evropianë brenda, sepse jemi në vendin që asnjëherë nuk ka prodhuar euroskepticizëm masiv. Dhe po, jemi edhe më shqiptarë jashtë, sepse flasim me një zë për vendin që duam dhe për të cilin angazhohemi përulësisht.

Raporti i Komisionit Evropian nuk është vetëm një moment i ri ndërkombëtar për Shqipërinë, sepse krijon kushtet teknike për hapjen e negociatave, por është edhe një shans për grupet politike në Shqipëri për të reflektuar për rrugëtimin Evropian të saj.

Sfida jonë vijuese, është shndërrimi i vlerësimit teknik të Komisionit, në vullnet politik të Këshillit. Kjo kërkon punën e pakursyer të Qeverisë, por gjithsesi edhe përgjegjësinë politike e kujdesin shoqëror të gjithsecilit.

Nga sot e tutje, ashtu sikurse Qeveria është mobilizuar prej kohësh pandalshëm për të kryer punën ndër-institucionale për të mundësuar një raport pozitiv nga Komisioni Evropian, do të vazhdojë në mënyrë intensive dialogun politik me vendet anëtare, për të bërë realitet atë që sot është aspiratë historike. Për t’i mundësuar vendit, i cili ka bërë përparimin e jashtëzakonshëm, hapjen e negociatave për anëtarësim.

Ka ardhur koha, sepse kështu dikton merita dhe janë hapur rrethanat, sepse kështu rekomandon Komisioni. Dhe është interes i dyanshëm, sepse kështu thonë edhe vendet anëtare, që Shqipëria të fillojë menjëherë në qershor, hapjen e negociatave për anëtarësim. Dhe jetësimi i këtij ideali të lartë, kërkon angazhimin e përulur të secilit.