Ministry for Europe and Foreign Affairs

E nderuar znj. Kryetare,
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar deputetë,

Gjatë javëve të fundit, kam pasur mundësinë të diskutoj për buxhetin e MEPJ me kolegët e komisionit të politikës së jashtme dhe të integrimit, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për diskutimet e angazhimin e tyre. Është edhe falë këtij angazhimi, që jam e bindur që buxheti i MEPJ për vitin 2022, është produkti më i mirë i mundshëm, që na mundëson që të përmbushim me dinjitet e profesionalizëm objektivat që i kemi vënë vetes për vitin që vjen.

Them më i miri i mundshëm, pasi sigurisht, që në një botë ideale secili nga ne do të preferonte që në fund të çdo viti t’i dorëzohej një çek i bardhë si projektbuxhet i vitit që vjen. Çka sigurisht nuk ka ndodhur e nuk mund të ndodhë. Ama, ajo që mund të them me plot gojën është që projektbuxheti që votojmë sot, është padyshim tregues i faktit që kërkesat tona janë trajtuar me seriozitetin maksimal, dhe na lejon të përmbushin qëllimet strategjike madhore të politikës sonë të jashtme.

E them këtë sepse krahasuar me buxhetin e këtij viti, projektbuxheti 2022 ka një rritje prej 17%, çka padyshim na shton mundësitë për të përmbushur më mirë aktivitetin tonë diplomatik dhe konsullor, për të pasur më shumë efikasitet në punën e misioneve tona diplomatike dhe posteve konsullore jashtë vendit, për të përmbushur të gjithë objektivat dhe prioritetet tona strategjike dhe për më tepër, për të shfrytëzuar në mënyrë optimale momentin dhe mundësitë e paprecedenta që paraqiten sot për diplomacinë shqiptare.

Dhe viti 2022 është vërtet një vit i paprecedentë për diplomacinë tonë. Është një vit, që shënon kulmimin e një pune të gjatë e shumë të suksesshme për të ringritur diplomacinë shqiptare. Për herë të parë Shqipëria është duke investuar për një diplomaci me një dimension realisht global, që e zgjeron shumë hapësirën e veprimit të shërbimit tonë të jashtëm.

Dhe në këtë dritë duhet parë edhe ky projekt buxhet i cili ndërton e çon përpara punën e bërë në këtë ministri në vitet e mëparshme, frytet e të cilave, jemi duke korrur sot.

Dhe janë disa prioritete të mëdha të cilat në 2022 kanë momentet e tyre kulmore.

Së pari, progresi drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit, që kanë qenë prioriteti më i rëndësishëm i politikës së jashtme për vitin 2021. Sot, jemi më pranë se kurrë këtij objektivi duke arritur në situatën ku jemi sot, ku progresi i vendit dhe përmbushja e kushteve njihet qoftë nga Komisioni, qoftë nga vendet anëtare, por procesi është bllokuar për shkak të një situate bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke sjellë këtë situatë anormale ku jemi sot.

Së dyti, mandati dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit pas 65 vjetësh anëtarësim në OKB-së që besoj është prova më e pakundërshtueshme e respektit që gëzon sot politika e jashtme e Shqipërisë. Dhe prova po ashtu, e asaj që mund të arrijmë ne si vend, kur jemi të qartë, konkrete e punojmë sipas planeve të konsoliduara shumëvjeçare.

Së treti, konsolidimi i roli dhe peshës së Shqipërisë në rajon, i cili sot më shumë se kurrë ka një rëndësi vendimtare. Fakti që sot diplomacia jonë ka një horizont mjaft më të gjerë, që sheh përtej rajonit, natyrisht, që nuk ka prodhuar një situatë vetëkënaqësie e nuk na ka bërë të heqim për asnjë moment vëmendjen nga rajoni, siguria e stabiliteti i të cilit, siç e kanë treguar edhe momentet e tensionit në Veri të Kosovës, situata në Bosnje Herzegovinë apo edhe situata mes Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë, pavarësisht se është stabël dhe në rrugën e duhur për momentin, vazhdon të jetë e brishtë.

Por pikërisht sepse rajoni sot ndodhet në një pozitë kaq delikate, roli i Shqipërisë bëhet më vendimtar se kurrë dhe pesha jonë strategjike më e madhe se kurrë.

Fokusi kryesor i punës sonë në rajon, ka qenë dhe mbetet padyshim mbështetja dhe faktorizimi i shqiptarëve në mbarë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Siç edhe jeni në dijeni, pas një serie vizitash të nivelit të lartë me Kosovën, ne jemi tashmë duke përgatitur mbledhjen e shtatë të përbashkët të dy qeverive, me një agjendë ambicioze e konkrete, duke finalizuar një numër marrëveshjes e duke vënë në lëvizje një sërë procesesh që do të intensifikojnë bashkëpunimin mes nesh dhe ku një vend të rëndësishëm zë bashkimi i forcave për financimin e projekteve të zhvillimit në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Krahas forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjithë vendet e rajonit, ku do të veçoja intensifikimin e agjendës dypalëshe me Turqinë apo thellimin e dialogut politik intensiv me Italinë, ku së shpejti do të ketë edhe një vizitë zyrtare të Kryeministrit, apo përgatitjet për mbledhjen e dytë të përbashkët të qeverisë me Maqedoninë e Veriut dhe punën për mbledhje të përbashkëta trepalëshe me vende të tjera të rajonit (Kroaci-MZ, Kroaci-Kosovë), zhvillimi më i rëndësishëm që është shënuar në fushën e bashkëpunimit rajonal, është në kuadër të Procesit të Berlinit, ku Shqipëria u bë një nga vendet nismëtare të nismës Ballkani i Hapur që sunon të përshpejtuar këtë proces e të realizojë në rajonin sa më parë të katër liritë themelore të Bashkimit Europian. Tanimë kjo nismë ka filluar të konkretizohet me marrëveshjet e para, ndërkohë që ka marrë edhe mbështetjen qoftë të Bashkimit Europian, qoftë të SHBA, çka është padyshim një garanci më tepër që jemi duke bërë gjënë e duhur dhe që kjo është një ide e mirë për të përshpejtuar integrimin e rajonit tonë.

Por krahas diplomacisë, një tjetër dimension i rëndësishëm i punës sonë është ofrimi i shërbimeve për qytetarët shqiptarë jashtë vendit dhe në këtë drejtim është bërë një punë e konsiderueshme qoftë për sa i përket shërbimeve konsullore ku po vazhdon puna për digjitalizimin e plotë të tyre, qoftë për sa i përket diasporës, ku kemi arritur të krijojmë një rrjet horizontal konsultimi me shoqatat e diasporës, por mund të them që kjo punë do të intensifikohet gjatë vitit 2022 kur kjo fushë përgjegjësie do të kalojë plotësisht tek MEPJ, bashkë me strukturën dhe buxhetin përkatës.

Pra, projektbuxheti i vitit 2022 do të ndërtojë mbi këto arritje. Më konkretisht, puna do të fokusohet në objektivat e mëposhtëm:

1. Nisja e negociatave për anëtarësimin në BE, çka në terma konkretë do të thotë zhvillimi i kapaciteteve profesionale të stafit të MEPJ dhe të përfaqësive diplomatike për procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, por edhe zhvillimi i një fushate lobimi e komunikimi me të gjithë shtetet anëtare për të mbështetur avancimin e Shqipërisë.

Projekt buxheti për vitin 2022, do të na lejojë të realizojmë prioritete të rëndësishme si:

• Zhvillimi i konferencës së parë ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
• Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian;
• Mirëmenaxhimi i asistencës dhe fondeve të BE-së (IPA) në mbështetje të procesit të anëtarësimit;
• Forcimi i kapaciteteve institucionale në funksion të procesit të negociatave të anëtarësimit dhe menaxhimit të asistencës financiare të Bashkimit Evropian.

2. Zhvillimi me sukses i mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit që përfaqëson një sfidë madhore por edhe një mundësi të shkëlqyer që ndoshta do të duhen dekada që të na jepet prapë. Në këtë kontekst, objektivi ynë është shfrytëzimi sa më i mirë në shërbim të vendit i kësaj mundësie duke lënë gjurmë pozitive e duke rritur reputacionin e vendit, por edhe duke shënuar arritje e rezultate konkrete, siç janë shtrirja e njohjeve dhe bashkëpunimit në rajone apo organizata ndërkombëtare ku deri më sot kemi qenë fare pak të pranishëm, lobimi për interesa kombëtare ku padyshim prioritet është Kosova, apo interesa shtetërore siç janë lidhja e marrëveshjeve apo krijimi i lidhjeve tregtare e diplomatike.

Për këtë qeveria na ka alokuar fondet e posaçme shtesë në buxhetin e MEPJ duke filluar nga 2021 deri në vitin 2023 me anë të të cilave është bërë i mundur shtimi i kapaciteteve njerëzore në misionin në Njuk Jork ku janë 4-fishuar kapacitetet njerëzore, sigurimi i ambienteve të reja të pune, trajtimi financiar për diplomatët dhe familjet e tyre, akomodimi në kushte të përshtatshme, fondet për ushtrimin e aktivitetit diplomatik etj. Në terma financiare buxheti shtesë i alokuar për vitin 2022 për Këshillin e Sigurimit është 200 milionë lekë.

3. Forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit, ku puna jonë do të ecë në drejtimet e mëposhtme:
– Marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën. E përmenda më lart mbledhjen e përbashkët, por një angazhim të veçantë do të ketë për të konkretizuar marrëveshjet e arritura në gjashtë G2G të mëparshme, ndërkohë që Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë praninë dhe aktivitetin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare dhe po bashkërendohet puna për të blerë ambasada të përbashkëta, për të pasur shkëmbim të diplomatëve në ambasada dhe në Ministri, etj. Lidhur me këto, por edhe me vendimin për të mbështetur shqiptarët e Preshevës, jemi duke punuar për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës për të vendosur pastaj për modalitetet dhe angazhimet financiare.
– Marrëdhëniet me Italinë dhe me Greqinë, si vende mike, kufitare me Shqipërinë, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Me këto dy vende synojmë të mbajmë dhe forcojmë marrëdhënie shumë të ngushta bashkëpunimi dhe partneriteti në një sërë fushash me përfitim të ndërsjellët. Italia dhe Greqia janë midis kontribuesve më të mëdhenj në zhvillimin e Shqipërisë, janë partnerët tanë kryesorë tregtare dhe në investime të huaja të drejtpërdrejta, siç janë njëkohësisht edhe mbështetës të fuqishëm të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

– Një vëmendje të posaçme do të ketë për marrëdhëniet tona me Turqinë ku pavarësisht përvojave të shkëlqyera të viteve të fundit, si në aspektin politiko-diplomatik, ashtu dhe në atë ekonomik dhe tregtar, ka ende mundësi të pashfrytëzuara mirë dhe drejtime ku mund të punojmë më shumë.

– Marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut me të cilën kemi interesa të forta bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh, jo vetëm si vende fqinje, por edhe si kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë, përfshirë edhe në nivelin e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive. Objektiv i rëndësishëm gjatë periudhës në vijim do jetë vlerësimi i kuadrit ligjor dypalësh, dakordësimi lidhur me përmirësime të mundshme dhe puna për realizimin e Koridorit 8.

– marrëdhëniet me Malin e Zi ku Shqipëria do të ndihmojë në ruajtjen e kursit euroatlantik të Malit të Zi. Shkëmbimet politiko diplomatike, ato ekonomike, tregtia dhe sidomos turizmi janë thelluar dhe zhvilluar. Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë popullsinë shqiptare në Mal të Zi, duke i inkurajuar respektimin e të drejtave të shqiptarëve, bashkëpunimin, zhvillimin ekonomik, në shërbim edhe të perspektivës evropiane të këtij vendi mik, fqinjë me Shqipërinë.

– Sa i përket Serbisë, marrëdhëniet dypalëshe janë karakterizuar nga ulje-ngritje periodike, të përcaktuara në rradhë të parë nga diferenca rrënjësore në raport me qëndrimin ndaj pavarësisë së Republikës së Kosovës. Politika e jashtme e Shqipërisë do vazhdojë të kërkojë në vijimësi që, pavarësisht këtij dallimi rrënjësor, është në dobi të dy vendeve tona, por edhe të rajonit, gjetja dhe shfrytëzimi i gjithë mundësive të bashkëpunimit në interes dypalësh dhe rajonal.

Lidhur me dimensionin e marrëdhënieve shumëpalëshe në rajon, Shqipëria do të zgjerojë bashkëpunimin për sa i përket shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare dhe do të punojë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të nismës “Open Balkan”, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe disa prej shteteve më të fuqishme anëtare të BE, për krijimin e tregut rajonal me fokus primat në mundësimin për qytetarët e rajonit të katër lirive themelore të BE.

Një element i veçantë që dua të përmend është ridimensionimi që merr roli i MEPJ në agjendën për diasporën, mbështetur nga fondet dhe strukturat përkatëse. Por natyrisht, ky është një proces i cili kërkon edhe rritjen e efektivitetit e të performancës së përfaqësive diplomatike dhe konsullore me fokus realizimin më të plotë të objektivave afatmesme dhe afatgjata të politikës së jashtme si dhe mbrojtjen më të mirë të interesave të bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit. Në këtë kuadër, jemi duke bashkëpunuar ngushtë edhe ne Kosovën, për të realizuar gjatë vitit 2022 hapjen e Konsullatave të Përgjithshme të përbashkëta në Strugë dhe Ulqin dhe hapjen e një zyre konsullore në Toronto.

E padyshim, objektiv primar mbetet forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në kuadër të partneritetit strategjik me SHBA dhe i rolit të Shqipërisë në NATO, ku duhet thënë që sot ka një impuls e një momentum të ri të panjohur më parë, që besoj që do të çojë në një thellim e intensifikim konkret e ambicioz të marrëdhënieve të shkëlqyera mes nesh.

Të nderuar kolegë,

Viti 2022 është një vit plot sfida, që do të testojnë shumë aftësitë e profesionalizmin e shërbimit tonë të jashtëm. Por është po ashtu një vit, që do të mbahet mend gjatë në diplomacinë shqiptare si viti kur politika jonë e jashtme bëri kapërcimin e madh nga një diplomaci e suksesshme rajonale, në një diplomaci me një diapazon shumë më të gjerë, pse jo global. Projektbuxheti që diskutojmë sot, na krijon ne çdo mundësi për t’u përballur siç duhet me këto sfida e për të përmbushur me sukses objektivat tona. Prandaj ju ftoj, që të votojmë së bashku.