Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka dhënë më shumë detaje rreth takimit të 11-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, që u mbajt dy ditë më parë në Bruksel.

Në një lidhje telefonike me Report Tv, Ministrja Xhaçka tha se në këtë takim u fol për 15 kushtet të cilat Shqipëria i ka përmbushur, si dhe për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe gjithë procesin e integrimit.

Sipas saj, qëndrimi i Komisionit Evropian dhe i anëtarëve të BE-së ishte mjaft i qartë, se Shqipëria meriton të avancojë në procesin e integrimit.

“Hapi tjetër është që mundësisht brenda presidencës portugeze, Shqipëria të ketë mundësi të miratojë kornizën negociuese dhe të vendosë datën për Konferencën e parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së”, tha kryediplomatja.