Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka prezantuar sot disa prej shërbimeve online, që ofrohen nga përfaqësitë shqiptare nëpër botë.

Kryediplomatja Xhaçka deklaroi se ka pasur një përmirësim të ndjeshëm në kryerjen e këtyre procedurave, teksa numri i shërbimeve është rritur dhe dokumentacioni i kërkuar është shkurtuar.

“Ne do të vazhdojmë punën për dixhitalizimin e plotë të aktivitetit dhe shërbimeve konsullore e dhënies së informacionit. Duke filluar fillimisht procesin për heqjen e plotë të rezervave të vulës Apostille në të cilën përfshihen të gjitha vendet e BE-së apo realizimin e pagesës online për të gjithë shërbimet që ofrohen nëpërmjet portalit e-Albania çka shihet si një nevojë imediate”, deklaroi ajo.

Ministrja Xhaçka theksoi se diplomacia shqiptare ka arritur një nivel pjekurie që nuk e kishte njohur prej shumë e shumë kohësh, ndërsa shtoi se sot Shqipëria vlerësohet për politikën e saj të jashtme në rajon, BE dhe NATO, për politikat konstruktive në rajon, si dhe për perfomancën profesionale gjatë presidencës së OSBE.

“Kemi bërë shumë rrugë, kemi ndërmarrë shumë reforma transformuese e europianizuese, këmi përballuar shumë sfida e kosto, për të arritur deri tek kjo pikë ku jemi në prag të Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe hapjes reale të negociatave kapitull më kapitull me BE”, tha ajo.