Ministry for Europe and Foreign Affairs

E nderuar znj. Kryetare,

Të nderuar deputetë,

Ju falënderoj për këtë mundësi për të diskutuar bashkërisht projektbuxhetin e MEPJ për vitin 2022. Kjo është një periudhë vërtet e veçantë do të thosha për diplomacinë shqiptare, e ngjeshur në ngjarje, por edhe veçanërisht e suksesshme. Një periudhë kur diplomacia shqiptare po tregon që ka arritur një nivel maturie e konsolidimi që i lejojnë sot Shqipërisë të jetë një aktor serioz dhe i respektuar jo vetëm në rajon, ku ky pozicion është konsoliduar e theksoj falë një pune të mirë të bërë për dekada, por edhe më gjerë.

Projekt buxheti i MEPJ për vitin 2022 është pjesë e hartimit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2022-2024. Ai është përgatitur në funksion të aktivitetit diplomatik dhe konsullor të MEPJ-së, përfshirë këtu edhe misionet diplomatike dhe postet konsullore jashtë vendit, ndërkohë që planifikimi ka në themel objektivat e përcaktuara të Programit të Qeverisë, Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim si dhe Planin Kombëtar të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Bashkimit Evropian.

Për vitin 2022 projektbuxheti mundëson vazhdimin normal të përfaqësimit të Shqipërisë në shtetet ku jemi akredituar, si dhe zbatimin e strategjive, politikave, objektivave të shërbimit të jashtëm. Sigurisht, duke qenë që MEPJ ka një agjendë vërtet ambicioze objektivash e prioritetesh, patjetër do të kishim dashur një mbështetje akoma më të madhe. Por është e rëndësishme të theksohet që projektbuxheti që diskutojmë sot, shënon një rritje të konsiderueshme, prej 17% krahasuar me atë të vitit 2021, dhe është më e rëndësishme akoma të theksohet që na mundëson plotësisht përmbushjen e të gjithë objektivave dhe prioriteteve tona strategjike dhe për më tepër, na lejon të shfrytëzojmë në mënyrë optimale momentin dhe mundësitë e paprecedenta që paraqiten sot për diplomacinë shqiptare.

Numri i punonjësve në MEPJ për vitin 2022 do të jetë 577 punonjës, nga të cilët 209 për aparatin e MEPJ si dhe 368 punonjës për përfaqësitë diplomatike. Me këtë numër punonjësish do të mundësohet plotësimi i kapaciteteve njerëzore për përballimin me sukses të anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit të OKB. Ndërkohë që me kalimin e agjencive të diasporës në MEPJ, numri i përgjithshëm i punonjësve do të arrijë në 620.

Sigurisht, që ky projekt buxhet nuk parashikon fillimin e punës nga pika O, por ndërton e çon përpara punën e bërë në këtë ministri në vitet e mëparshme. Prandaj, përpara se të diskutoj projektbuxhetin për vitin 2022 më lejoni së pari, që shumë shkurtimisht, të paraqes një përmbledhje të realizimit të punëve e objektivave që ka realizuar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme gjatë vitit 2021, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga pandemia e cila ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm tek puna jonë duke i kthyer në një sfidë e peripeci më vete edhe aktet më të thjeshta mbi të cilat bazohet puna e diplomatit, siç janë udhëtimet apo pjesëmarrjet nëpër aktivitete të ndryshme.

Prioriteti më i rëndësishëm i politikës së jashtme gjatë vitit 2021 ka qenë progresi drejt negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në këtë kontekst, Shqipëria ka ngritur strukturën negociuese dhe ka vijuar përgatitjet për negociatat, duke arritur siç e dini në situatën ku jemi sot, ku progresi i vendit dhe përmbushja e kushteve njihet qoftë nga Komisioni, qoftë nga vendet anëtare, por procesi është bllokuar për shkak të një situate bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke sjellë këtë situatë anormale ku ndodhemi sot.

Gjithsesi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka udhëhequr procesin politik dhe teknik drejt nisjes së negociatave të anëtarësimit me BE dhe ka realizuar plotësisht të gjithë pritshmëritë e objektivat.

Së dyti gjatë vitit 2021 diplomacia jonë shënoi një nga arritjet e saj më madhore me zgjedhjen e Shqipërisë në Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një mandat dy vjeçar për vitet 2022-2023. Është vërtet një ngjarje shumë e rëndësishme dhe një dëshmi konkrete e respektit që gëzon sot politika e jashtme e Shqipërisë. E do të shtoja po ashtu, dëshmi e asaj që mund të arrijmë ne si vend, kur jemi të qartë, konkrete e punojmë sipas planeve të konsoliduara shumëvjeçare. Pasi sigurisht, që edhe pse mandati u mor në vitin 2021, ky ishte thjesht kurorëzimi i një pune shumë të mirë, të bërë për vite e vite me radhë.

Ringritja e diplomacisë shqiptare patjetër që i ka fillesat e saj në rajon, ku Shqipëria për dekada me radhë, me shumë koherencë e shumë punë, arriti të marrë rolin e një aktori serioz, me kontribut të dorës së parë në arritjen dhe konsolidimin e paqes, stabilitetit, zhvillimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit e zhvillimit. Fakti që sot diplomacia jonë ka një horizont mjaft më të gjerë, që sheh përtej rajonit, natyrisht, që nuk ka prodhuar një situatë vetëkënaqësie e nuk na ka bërë të heqim për asnjë moment vëmendjen nga rajoni, siguria e stabiliteti i të cilit, siç e kanë treguar edhe momentet e tensionit në Veri të Kosovës, situata në Bosnje Herzegovinë apo edhe situata mes Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë, pavarësisht se është stabël dhe në rrugën e duhur për momentin, vazhdon të jetë e brishtë.

Fokusi kryesor i punës sonë në rajon, ka qenë padyshim mbështetja për shqiptarët në mbarë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Ky është një objektiv parësor i politikës sonë të jashtme, nëpërmjet nxitjes së kompaktësimit të faktorëve politikë shqiptarë dhe rritjes e rolit të tyre në vendet ku jetojnë.

Siç edhe jeni në dijeni, pas një serie vizitash të nivelit të lartë me Kosovën, ne jemi tashmë duke përgatitur mbledhjen e shtatë të përbashkët të dy qeverive, me një agjendë ambicioze e konkrete, duke finalizuar një numër marrëveshjes e duke vënë në lëvizje një sërë procesesh që do të intensifikojnë bashkëpunimin mes nesh. Një nga pikat e rëndësishme të këtij bashkëpunimi është bashkimi i forcave dhe fillimi i punës së përbashkët për financimin e projekteve të zhvillimit në mbështetje të shqiptarëve në Luginës së Preshevës.

Ndërkohë që krahas forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjithë vendet e rajonit, do të theksoja si zhvillime veçanërisht të rëndësishme të këtij viti, edhe intensifikimin e agjendës dypalëshe me Turqinë dhe thellimin e dialogut politik intensiv me Italinë, ku së shpejti do të ketë edhe një vizitë zyrtare të Kryeministrit.

Ndërkohë që po punohet po ashtu edhe për mbledhje e dytë të përbashkët të qeverisë me Maqedoninë e Veriut dhe është rënë dakord në parim dhe po punohet për mbledhje të përbashkëta trepalëshe me vende të tjera të rajonit si Kroaci-Mal i Zi, Kroaci-Kosovë.

Një tjetër zhvillim shumë i rëndësishëm në fushën e bashkëpunimit rajonal, është shënuar në kuadër të Procesit të Berlinit, ku Shqipëria u bë një nga vendet nismëtare të nismës Ballkani i Hapur që synon të përshpejtojë këtë proces e të realizojë në rajon sa më parë të katër liritë themelore të Bashkimit Evropian. Tanimë kjo nismë ka filluar të konkretizohet me marrëveshjet e para, ndërkohë që ka marrë edhe mbështetjen qoftë të Bashkimit Europian, qoftë të SHBA, çka është padyshim një garanci më tepër që jemi duke bërë gjënë e duhur dhe që kjo është një ide e mirë për të përshpejtuar integrimin e rajonit tonë.

Së fundi, Shqipëria gjatë 2021, ka kryesuar me sukses Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC) për janar-qershor 2021. Ndërkohë që mban kryesimin e AII-EUSAIR qershor 2021-maj 2022.

Do të përmendja po ashtu edhe punën e konsiderueshme që është bërë gjatë këtij viti në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve përsa i përket shërbimeve konsullore ku po vazhdon puna për digjitalizimin e plotë të tyre. Por ndërkohë sa i përket shërbimit për aplikim për Pasaporta dhe ID, gjatë 2021 janë hapur 6 poste të reja në përfaqësitë tona duke e çuar totalin në 14 dhe ka përfunduar me sukses “Projekti Mobile Applications”që përfshinte aplikimet për shtetasit tanë rezident në Ishujt e Greqisë si dhe aplikimet në kushtet e shtëpisë.

Përsa i përket punës për diasporën, kemi arritur të krijojmë një rrjet horizontal konsultimi me shoqatat e diasporës, por mund të them që kjo punë do të intensifikohet gjatë vitit 2022 kur kjo fushë përgjegjësie do të kalojë tek MEPJ, bashkë me strukturën dhe buxhetin përkatës.

Projekt-buxheti i vitit 2022 do të ndërtojë mbi këto arritje dhe ka si synim të tij madhor përmbushen e objektivave të Programit të Qeverisë, të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe të Planin Kombëtar të Integrimit Evropian. Më konkretisht, puna do të fokusohet në objektivat e mëposhtëm:

Objektiv parësor është nisja e negociatave për anëtarësimin në BE, çka në terma konkretë do të thotë zhvillimi i kapaciteteve profesionale të stafit të MEPJ dhe të përfaqësive diplomatike për procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, por edhe zhvillimi i një fushate lobimi e komunikimi me të gjithë shtetet anëtare për të mbështetur avancimin e Shqipërisë.
Projekt buxheti për vitin 2022, do të na lejojë të realizojmë prioritete të rëndësishme si:

Zhvillimi i konferencës së parë ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian;
Forcimi i kapaciteteve institucionale në funksion të procesit të negociatave të anëtarësimit dhe menaxhimit të asistencës financiare të Bashkimit Evropian.
Në funksion të këtyre prioriteteve, janë parashikuar të realizohen disa aktivitete që kanë të bëjnë me:

Monitorimi i vazhdueshëm i plotësimit të rekomandimeve të Këshillit për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare dhe ecjen e shpejtë në procesin e anëtarësimit;
Përgatitja e gjithanshme për takimet bilaterale;
Koordinimi i takimeve të institucioneve të përbashkëta Bashkimi Evropian – Shqipëri ngritur në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit;
Koordinimi dhe vlerësimi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian (hartimi dhe monitorimi i Planit Kombëtar për Integrimin Evropian dhe vlerësimi i përputhshmërisë së akteve shqiptare me legjislacionin evropian);
Objektivi i dytë madhor është zhvillimi me sukses i mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit që përfaqëson një sfidë madhore por edhe një mundësi të shkëlqyer që ndoshta do të duhen dekada për të na u dhënë sërisht. Shfrytëzimi sa më i mirë në shërbim të vendit i kësaj mundësie dhe lënia e gjurmëve pozitive gjatë periudhës së shërbimit në KS, është një objektiv madhor për Shërbimin e Jashtëm.
Përfaqësimi dinjitoz i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit ka bërë të nevojshëm alokomin e fondeve të posaçme shtesë në buxhetin e MEPJ duke filluar nga 2021 deri në vitin 2023. Për këtë qëllim u vunë në dispozicion që këtë vit fondet e nevojshme për shtimin e kapaciteteve njerëzore në misionin në Njuk Jork ku janë 4-fishuar kapacitetet njerëzore, për ambiente te reja pune, për trajtim financiar për diplomatët dhe familjet e tyre, akomodimin në kushte të përshtatshme, fonde për ushtrimin e aktivitetit diplomatik etj. Në terma financiare buxheti shtesë i alokuar për vitin 2022 për Këshillin e Sigurimit është 200 milionë lekë.

Me rëndësi të pandryshuar mbetet për ne objektivi i forcimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit, për të cilën në buxhet janë alokuar 20 milionë lekë shtesë. Puna jonë do të ecë në drejtimet e mëposhtme:
Së pari, marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën do vazhdojnë të kenë vëmendje dhe investim të posaçëm për ne. E përmenda edhe pak më lart mbledhjen e përbashkët, por një angazhim të veçantë do të ketë për të konkretizuar marrëveshjet e arritura në gjashtë mbledhjet e mëparshme mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë praninë dhe aktivitetin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare dhe po bashkërendohet njëkohësisht puna për të parë mundësinë e investimeve të përbashkëta për përfaqësi për ambasada, për të pasur shkëmbim të diplomatëve në ambasada dhe në Ministri, etj. Lidhur me këto, por edhe me vendimin për të mbështetur shqiptarët e Preshevës, jemi duke punuar për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës për të vendosur pastaj për modalitetet dhe angazhimet financiare.
Vëmendje e veçantë do vazhdojë t’u kushtohet marrëdhënieve me Italinë dhe me Greqinë, si vende mike, kufitare me Shqipërinë, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Me këto dy vende synojmë të mbajmë dhe forcojmë marrëdhënie shumë të ngushta bashkëpunimi dhe partneriteti në një sërë fushash me përfitim të ndërsjelltë. Italia dhe Greqia janë midis kontribuesve më të mëdhenj në zhvillimin e Shqipërisë, janë partnerët tanë kryesorë tregtare dhe në investime të huaja të drejtpërdrejta, siç janë njëkohësisht edhe mbështetës të fuqishëm të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Vëmendje të posaçme do të ketë edhe për marrëdhëniet tona me Turqinë ku pavarësisht përvojave të mira të viteve të fundit, si në aspektin politiko-diplomatik, ashtu dhe në atë ekonomik dhe tregtar, ka ende mundësi të pashfrytëzuara mirë dhe drejtime ku mund të punojmë më shumë.
Me Maqedoninë e Veriut kemi interesa të forta bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh, jo vetëm si vende fqinje, por edhe si kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë, përfshirë edhe në nivelin e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive. Objektiv i rëndësishëm gjatë periudhës në vijim do jetë vlerësimi i kuadrit ligjor dypalësh, dakordësimi lidhur me përmirësime të mundshme dhe puna për realizimin e Koridorit 8.
Shqipëria do të ndihmojë në ruajtjen e kursit euroatlantik të Malit të Zi. Shkëmbimet politiko diplomatike, ato ekonomike, tregtia dhe sidomos turizmi janë thelluar dhe zhvilluar. Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë popullsinë shqiptare në Mal të Zi, duke i inkurajuar respektimin e të drejtave të shqiptarëve, bashkëpunimin, zhvillimin ekonomik, në shërbim edhe të perspektivës evropiane të këtij vendi mik, fqinjë me Shqipërinë.
Sa i përket Serbisë, marrëdhëniet dypalëshe janë karakterizuar nga ulje-ngritje periodike, të përcaktuara në rradhë të parë nga diferenca rrënjësore në raport me qëndrimin ndaj pavarësisë së Republikës së Kosovës. Politika e jashtme e Shqipërisë do vazhdojë të kërkojë në vijimësi që, pavarësisht këtij dallimi rrënjësor, është në dobi të dy vendeve tona, por edhe të rajonit, gjetja dhe shfrytëzimi i gjithë mundësive të bashkëpunimit në interes dypalësh dhe rajonal.
Lidhur me dimensionin e marrëdhënieve shumëpalëshe në rajon, Shqipëria do të zgjerojë bashkëpunimin për sa i përket shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare dhe do të punojë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të nismës “Ballkani i Hapur”, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe disa prej shteteve më të fuqishme anëtare të BE, për krijimin e tregut rajonal me fokus primar në mundësimin për qytetarët e rajonit të katër lirive themelore të BE.

Një element i veçantë që dua të përmend këtu është përfshirja në fushën e veprimit të MEPJ e agjendës për diasporën. Në funksion të këtij aktiviteti të pritshëm në buxhetin e MEPJ do të alokohet një fond prej 164 milionë lekësh si dhe në strukturën e përgjithshme të MEPJ do të shtohen strukturat e posaçme që janë marrë me hartimin dhe zbatimin e politikave në fushën e diasporës. Por natyrisht, ky është një proces i cili kërkon edhe rritjen e efektivitetit e të performancës së përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore me fokus realizimin më të plotë të objektivave afatmesme dhe afatgjata të politikës së jashtme si dhe mbrojtjen më të mirë të interesave të bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit. Në këtë kuadër, jemi duke bashkëpunuar ngushtë edhe ne Kosovën, për të realizuar gjatë vitit 2022 hapjen e Konsullatave të Përgjithshme të përbashkëta në Strugë dhe Ulqin dhe hapjen e një zyre konsullore në Toronto.
Objektiva të tjera në fokus të punës tonë për 2022 janë:

Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në kuadër të partneritetit strategjik me SHBA dhe i rolit të Shqipërisë në NATO.
Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me vendet e tjera, çka merr një rëndësi te veçantë ne dy vitet e ardhshme ne funksion te realizimit te prioriteteve te vendit tone ne KS. Ne kete kontekst, do te punohet per hapjen e nje ambasade te RSH ne kontinentin afrikan.
Forcimi dhe modernizimi i mëtejshëm i shërbimit konsullor, për të realizuar një shërbim të mbështetur në profesionalizëm, eficencë, transparencë dhe përgjegjshmëri përmes dixhitalizimit të mëtejshëm të shërbimeve konsullore dhe hapjes së konsullatave të reja.
Një diplomaci ekonomike më efektive, duke forcuar bashkërendimin e veprimit diplomatik me politikat tregtare dhe të menaxhimit të jashtëm ekonomik, si dhe shoqatat e biznesit dhe ndërmarrjet individuale.
Në kuadër edhe të kandidaturës sonë në KS, Shqipëria do të duhet të luajë një rol pro-aktiv në organizatat ndërkombëtare, me pjesëmarrje dhe kontribute, por edhe me mbështetje politikash të OKB dhe organizata të tjera rajonale, në shërbim të forcimit të paqes dhe sigurisë, nxitjes së zhvillimit, duke u angazhuar edhe me kontribute financiare.
Më lejoni të theksoj në mbyllje se buxhetit i vitit 2022 do të na lejojë të adresojmë sfida të rëndësishme, që do të forcojnë rolin e Shqipërisë në rajon dhe në botë, duke sjellë përftime të prekshme në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe të shërbimeve ndaj tyre.

Faleminderit