Ministry for Europe and Foreign Affairs

Në datat 7-8 shkurt 2022 në Varshavë, Polonia, si Kryesuese e Radhës e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), në bashkëpunim me Zyrën e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), organizuan Konferencën për Luftën kundër Antisemitizmit në rajonin e OSBE-së.

Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së janë angazhuar për ta përfshirë antisemitizmin në axhendën e OSBE-së duke intensifikuar përpjekjet në nxitjen e tolerancës dhe mos-diskriminimit në përmasën njerëzore, në një sërë vendimesh dhe deklaratash, përfshirë këtu edhe Deklaratën për Rritjen e Përpjekjeve për të luftuar anti-semitizmin

Shqipëria u përfaqësua në këtë veprimtari nga Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino, e cila mbajti edhe një fjalë me këtë rast, ku, ndër të tjera, nënvizoi disa nga nismat e ndërmarra nga vendi ynë në kuadër të promovimit të tolerancës dhe mos-diskriminimit në rajonin e OSBE-së dhe, konkretisht, organizimin nga Shqipëria të “Konferencës së Tiranës për Antisemitizmin” me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, si dhe të shoqërisë civile dhe akademikë.

Zv. Ministrja Fino gjithashtu solli në vëmendje trashëgiminë historike të Shqipërisë në mbrojtje të hebrenjve. Ajo deklaroi se vendi ynë mbetet edhe më tej i gatshëm të mbështesë nismat dhe programet në kuadër të OKB-së dhe se, në bashkëpunim me vendet e njëmendta, të ngrihet dhe të luftojë antisemitizmin, si edhe format e tjera të racizmit, paragjykimeve dhe urrejtjes.