Ministry for Europe and Foreign Affairs

 

 30 korrik 2 018

Ministri Maas:

Shumë i nderuar koleg,

I dashur Ditmir,

Je përzemërsisht i mirëpritur në Berlin,

Gëzohem që sot patëm kohë mjaftueshëm të flasim për bashkëpunimin tonë dhe thellimin e bashkëpunimit, ku vume re, se vendet tona qëndrojnë afër me njëra tjetrën, dhe se në fakt ka shumë fusha, aty ku vendet tona bashkëpunojnë në mënyrë të jashtëzakonshme.

Qeveria Federale angazhohet në mënyrë thelbësore që rruga e përshkuar nga Shqipëria të vazhdojë në mënyrë konseguente.

E theksoj që fati i Shqipërisë është në zemrat tona, dhe ne jemi shumë të angazhuar në thellimin e bashkëpunimit tonë.

Në keto kohëra të konflikteve dhe krizave, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është sidoqoftë në interesin e BE-së. Shqipëria është partner i rëndësishëm në rajon dhe spirancë stabiliteti në rajon. Prandaj deshirojmë  që edhe në të ardhmen  të mbeshtesim një partner të besueshëm si Shqiperia. Shkak ky që ne angazhohemi për perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Pak më shumë se një muaj  më pare, BE vendosi që prej 2019-s të çelen bisedimet për anëtarësim. Për këtë ne u angazhuam veçanërisht shumë. Ne të dy e dimë qe negociatat në Bruksel nuk ishin gjithnjë të lehta. Në fund pati një kompromis që u  mundësua nga 28 shtetet, që siguroi se ka tashmë një datë, dhe ne do të bëjmë gjithçka që kjo datë të jetë edhe fillimi i startit.

Është e rëndësishme që të theksojme, se ka patur përpjekje për reforma në Shqipëri, në një periudhë kohore, që zgjat prej vitesh, dhe ne vleresojme vërtetë, përpjekjet për vullnet politik që kanë kërkuar guxim dhe forcë për të çuar përpara në një ambient jo të lehtë, për çka Shqipëria mund të jetë krenare.

Çfarë u vendos nga shtetet anëtare për 2019, ishte vazhdimi konseguent i reformave që u ndërmorrën në  Shqipëri, si sundimi i ligjit dhe drejtësia. U arrit shume, sidomos në reformën e drejtësisë dhe procesit të vetting-ut, verifikimi i gjykatësve dhe avokatëve, shembull sesi vihen standartet në rajon dhe nga Shqipëria pra.

E rëndësishme është të ecet në këtë rrug. Këtu kam dhënë mbështetjen e Qeverisë Federale dhe po keshtu apeloj, në drejtim të të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri, të mbështesin reformat, të cilat janë të rëndësishme për vitin tjetër, dhe kohën deri në vitin 2019. Theksoj se mbështetja e Qeverisë Federale është e sigurt për Shqipërinë.

Ministria e Jashtme gjermane angazhohet veçanërisht që në Gjermani të kemi sa më shpejt një Ligj për Migrimin, kusht për të mundësuar forca pune të specializuara. E dimë sidomos që kemi nevojë në fushat e përkujdesit shëndetësor, dhe shëndetësi, sidomos në të ardhmen për shkak të zhvillimeve demografike. Këtë realitet do ta mundësojmë nëpërmjet kualifikimit brenda vendit, por edhe veçanërisht nëpërmjet emigrimit nga jashtë, ku këtu Ligji për Emigrimin ndihmon veçanërisht. Sa më sipër është mirë, që miratimi i një ligji të tillë është lajmëruar për gjysmën e dytë të vitit në Gjermani. Domethënë ne do ta mbulojmë nga burime të brendshme, por dhe nga ardhje nga vende te tjera prandaj këtu një ligj do na ndihmonte shumë për këtë punë. Ky ligj është menduar që do të bëhet në gjysmën e dytë të këtij viti. Gëzohem që dëgjoj që ka më shumë kërkesa për viza se çka pasur dhe kam dëgjuar që kolegët ne vend punojnë me disa turne, me turne të shtuara dhe në mënyrë që të mund të kemi kapacitetet në teknologjinë informative e të vihen në dispozicion në mënyrë që të pranohen më shumë kërkesa për viza dhe të mundësohet verifikimi i kërkesave të shumta. Për momentin nuk zgjat shumë, ky është fakt por ka të bëjë edhe me rrethanën që këto kërkesa duhen shqyrtuar në mënyrë të kujdesshme edhe pse janë shumë. Kur është fjala që na duhet fuqi punëtore e kualifikuar kjo duhet parë në mënyrë të veçantë dhe duhet të merremi në këtë kuadër edhe me vizën.

Pyetje: Për sa i përket ritmeve të zgjerimit, era që fryn nuk është frymë pro zgjerimit në Bashkimin Evropian dhe cilat janë shanset që Shqipëria ose gjithë Ballkani Perëndimor që të avancojë në këtë drejtim?

Ministri Maas: Unë jam plotësisht i bindur që zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor është në interesin strategjik të Bashkimit Evropian. Nëse nuk e bëjmë këtë atëherë mendoj që do të këtë të tjerë që do të zgjerojnë ndikimin e tyre në këtë rajon sikurse mund të jetë Kina,  Rusia. Jam i bindur që njerëzit në Ballkanin Perëndimor dëshirojnë të jetojnë si njerëzit në Evropë dhe jo ashtu si jetojnë ata në Kinë apo Rusi. Mendoj se kjo është një temë e rëndësishme për Gjermaninë. Kushtet për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian janë të mirënjohura për të tërë në mënyrë të veçantë për Maqedoninë dhe Shqipërië ku janë vënë në rrugë, në lëvizje disa procese reformash që kanë për qëllim përmbushjen e këtyre kritereve. Pra, janë njerëzit që do të vendosin në fund të ditës  nëse kjo rrugë do të jetë e suksesshme por pikërisht nisur nga zelli i reformave dhe nga rezultati i tyre, mendojë se do të jemi tepër pozitiv për sa i përket një vendimmarrjeje për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe kjo është sikurse thashë në interesat strategjike të Evropës së lirë.

Pyetje: Kam një pyetje e gjysmë për ministrin e jashtëm gjerman. U fol për një takim për Sirinë, sa premtues është për ju që të ketë një format të ri ku diskutohet çështja e Sirisë dhe aq më tepër që kjo prek çështjen e refugjatëve. Në lidhje me këtë flitet për një vizitë shtetërorë të Presidentit Erdogan në Berlin dhe që do të pritet me ndere shtetërore, ka kritika për këtë. Si e gjykoni?

Ministri Maas: Sa i përket vizitës shtetërore të Erdoganit, unë nuk e mbështes këtë kritikë, sepse mendoj se ai është zgjedhur kryetar i shtetit të një vendi, ai duhet trajtuar si i tillë dhe këtë e ka bërë presidenti federal i Gjermanisë. Prandaj unë besoj që duhet folur në mënyrë të veçantë me atë që ka shumë pyetje. Fakti që ai vjen për vizitë shtetërore nuk do të thotë që atij të mos i bëhen pyetje të parehatshme. Pyetje të tilla do bëhen edhe kur vjen ai.

Sa i përket formatit të bisedimeve për Sirinë mund të themi që ka dinamikë të madhe në procesin e Sirisë. Për ta vënë në lëvizje këtë proces ekzistojnë formati i “Astanas” dhe formati “small group”. E rëndësishme është që ne të avancojmë në këto formate dhe e rëndësishme është që të gjitha këto procese të zhvillohen nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Ky është një nga elementet më të rëndësishëm dhe gjithçka që ndihmon këtë proces është e mirëseardhur.

 

Ministri Bushati:

Përshëndetje të gjithëve

I nderuar zoti Ministër Maas,

I dashur Heiko,

Faleminderit për mikpritjen këtu në Berlin, në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Më lejoni të shpreh para së gjithash të gjithë mirënjohjen në emër të qeverisë, institucioneve dhe popullit shqiptar për mbështetjen që ju dhe vendi juaj  i ka dhënë Shqipërisë në procesin e vështirë dhe plot sfida të transformimit demokratik.

Dua gjithashtu të vë në dukje faktin që mbështetja e Gjermanisë për ne është e pazëvendësueshme për të gjitha fazat e procesit të shtet konsolidimit demokratik në të cilin jemi përfshirë. Duke filluar nga reforma tërësore kirurgjikale në sistemin e drejtësisë e cila nuk do të ishte e mundur të vihej në lëvizje në rast se nuk do të ekzistonte partneriteti me Gjermaninë, dhe në rast se nuk do të kishim mbështetje qoftë në planin politik dhe përmes kapaciteteve administrative dhe ekspertizës më të mirë gjermane që na është vënë në dispozicion gjatë gjithë kësaj periudhe.

Ne gjithashtu dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për qëndrimin e qartë të Gjermanisë dhe për sa i përket vendimmarrjes së kaluar të Bashkimit Evropian. Rruga jonë është e qartë për sa i përket 2019-s. 12 muaj në dispozicionin tonë do t’i shfrytëzojmë maksimalisht me shërbimet e Komisionit Evropian për sa i përket procesit “screening”, ku do të kemi besoj inventarin më të mirë të nivelit të përputhshmërisë së legjislacionit dhe sjelljes së institucioneve tona përkundrejt aqcuis communitaire, dhe nga ana tjetër do të vijojmë të bashkëpunojmë qoftë me qeverinë gjermane, me Bundestagun, aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile këtu në Gjermani po dhe qendra të tjera të rëndësishme vendimmarrëse në Evropë, për të komunikuar më mirë procesin e reformave të ndërmarra në mënyrë që të kemi një proces sa më logjik, sa më të natyrshëm, sa më të butë drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim.

Së dyti, dua të falënderoj kolegun Maas, për shkëmbimin e pikëpamjeve që patëm sot në lidhje me çështjet e sigurisë dhe klimën në përgjithësi me të cilën përballet sot Ballkani Perëndimor, i cili siç dihet gjeografikisht është afër Mesdheut dhe ndjen çdo lloj lëvizje tektonike nga ujërat e Mesdheut dhe Lindja e Mesme nga njëra anë dhe Bashkimi Evropian nga ana tjetër. Në këtë kontekst, më lejoni të ritheksoj dhe njëherë tjetër faktin se procesi i Berlinit i iniciuar nga Gjermania dhe Kancelarja Merkel në 2014-n ka sjellë disa fryte në planin politik, mjaft të rëndësishëm në rajonin tonë, dhe janë bërë disa hapa para për sa i përket axhendës së ndërlidhshmërisë në radhë të parë të vetë rajonit dhe më pas rajonit me Bashkimin Evropian. Klima e sigurisë mund të vijë veçse duke u përmirësuar përsa kohë perspektiva evropiane e rajonit është e qartë, konkretizohet me instrumente dhe me veprime konkrete. Në këtë kontekst, ne gjithashtu besojmë se qëndrimi i qartë dhe strategjik i Gjermanisë për të gjitha vendet e rajonit, duke nisur natyrisht me vendin të cilin përfaqësoj, Shqipërinë, është një vlerë e shtuar për të garantuar stabilitetin në radhë të parë në rajon, po dhe mirëqenien dhe prosperitetin sepse reformat për të cilat flasim sidomos ata të sundimit të së drejtës në ekonomi krijojnë një klimë më të mirë për biznesin, investitorët dhe rrjedhimisht ndihmojnë që ne të bëhemi me njëri-tjetrin në rajon fqinj normal dhe të trajtojmë të gjithë problematikat me njëri-tjetrin në një frymë dhe mbi bazën e vlerave evropiane.

Së treti, dhe jo më pak e rëndësishme dhe e fundit kjo për këtë komunikim. Jam gjithashtu shumë i inkurajuar që sot jo vetëm rishqyrtuam nivelin e marrëdhënieve  dypalëshe dhe shkëmbyem pikëpamje për sa i përket reformave të sundimit të së drejtës, çështjeve të sigurisë, përkatësisë tonë në familjen transatlantike, po vendosëm  dhe disa piketa për sa i përket mbështetjes gjermane në  periudhën në vijim dhe në këtë kontekst do të jem mjaft i lumtur që në një periudhë shpresoj jo fort të largët të mirëpres ministrin Maas, kolegun Heiko për një vizitë në Shqipëri. Faleminderit!

Pyetje: Një pyetje ministrit Bushati, ju keni përmendur në mënyrë të përsëritur situatën e sigurisë në Shqipëri dhe në rajon. Para pak kohësh ka patur dhe disa fjalë lidhur me krizën e refugjatëve dh mënyrën e menaxhimit të kësaj krize nga ana e Shqipërisë.

Ministri Bushati: Është e vërtetë që Shqipëria gjithashtu është prekur nga fenomeni i emigracionit të paligjshëm apo nga kriza e refugjatëve, kryesisht në kufirin tonë me Greqinë dhe kjo është një çështje që jemi përpjekur ta monitorojmë imtësisht. Dhe në këtë kontekst nuk kanë munguar iniciativa të ndryshme në planin evropian në të cilat ne kemi marrë pjesë. Por kemi preferuar që kryesisht një çështje të tillë ta trajtojmë qoftë me Greqinë, me vendin kufitar, ashtu dhe me Malin e Zi, sikundër me Agjenci të specializuara në këtë fushë. Me median, opinioni publik për fat të keq ka pasur spekulime në lidhje me pozicionin e Shqipërisë për këtë temë. Gjej rastin meqenëse m’u dha mundësia të rikonfirmoj qëndrimin e qeverisë shqiptare që mbetet i pandryshuar që në 2015-n, kur u ndërtua dhe një koalicion i vendeve anëtare të BE dhe jo-anëtare të BE për këtë çështje. Një qëndrim i cili është i bazuar mbi dy parime kryesore, mbi parimin e solidaritetit dhe mbi parimin e proporcionalitetit. Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj në këtë drejtim në përputhje me mundësitë, shpatullat që ka, as nuk ka qenë dhe as nuk është e interesuar për të qenë në bisedime me qeveri të cilat kanë ofruar mbështetjen e tyre, apo ekspertizën e tyre në ndërtimin e mureve.

Pyetje: Z. Bushati si e shpjegoni që refugjatë, azilkërkues nga Shqipëria vijnë në Gjermani akoma, ndërkohë që Shqipëria është kategorizuar si vend i sigurt i origjinës. Tirana është një peizazh  i lulëzuar, qytetet e tjera të Shqipërisë nuk i njoh, ka natyrisht sjellje të opozitarëve që i nxisin njerëzit të largohen nga Shqipëria të marrin arratinë?

Ministri Bushati: Faleminderit për pyetjen. Në fakt kjo është një temë relativisht e vjetër për sa i përket marrëdhënieve me Gjermaninë, ku në mos gaboj para rreth 2 vitesh ne së bashku me autoritetet gjermane u konfrontuam me një fenomen të tillë. Kryesisht kishim të bënim me grupe njerëzish, apo komunitete që jetojnë përgjithësisht në zona rurale dhe zona të varfra të Shqipërisë, të cilët shfrytëzonin hapësirat që ofron lëvizja e lirë në zonën Shengen për të qëndruar në mënyrë të parregullt e më pas për të qenë në kërkim të një pune, fenomen ky që ka rënë në mënyrë drastike. Dhe duke thënë që ka rënë në mënyrë drastike nuk përjashtohet që të ketë ende njerëz tek-tuk që tentojnë këtë rrugë. Nga ana tjetër duke e lidhur dhe me pyetjen që u bë për ministrin Maas, ka pasur një program më të zhdërvjellët të promovuar dhe nga ambasada gjermane në Tiranë për rrugët e emigracionit në mënyrë të rregullt, në mënyrë të ligjshme përmes disa procedurave, dhe përmes, ose rrugë që kanë si synim kryesor të tërheqin profesione të caktuara për në Gjermani. Në këtë kontekst ne kemi bashkëpunuar qoftë me ambasadën në Tiranë, po natyrisht dhe me të gjitha agjencitë që janë prekur nga ky fenomen. Sot mund të thuhet që ky fenomen është në kuotat e tij më të ulëta.