Ministry for Europe and Foreign Affairs

Faleminderit Jonida për prezantimin dhe gatishmërinë për të qenë këtu me ne, në përshkrimin e këtyre nismave.

Unë do t’i bie shumë shkurt dhe do të them që tre janë risitë kryesore tonat këtë vit. Sepse kjo është tanimë një nisëm e cila është e familjarizuar edhe në rrjetet sociale me hashtagun, “Colours of Albania”. Është edicioni i 4-t. E nisëm pikërisht për të promovuar sa më shumë Shqipërinë, aq më tepër që siç e dime, ne që merremi përgjithësisht çdo ditë me këtë punë por edhe miqtë tanë përfaqësues të nderuar të trupit diplomatik në Shqipëri, që sa herë flasim për vendin tonë, krahas arritjeve, progresit dhe krahas ndryshimit të pamasë që është bërë, gjithmonë ndeshemi me elementë paragjykues që kanë të bëjnë me një perceptim që në shumicën e rasteve nuk përputhet me realitetin, për sa i përket Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Dhe në vetvete, fakti që kjo nisëm bëhet për fotografët jo profesionistë për të fiksuar momente të ndryshme nga bukuritë e Shqipërisë dhe nga jeta e përditshme këtu, ka pikërisht për synim të tregojë realitetin siç është me ndryshimet pozitive por edhe me sfidat që ne kemi të gjithë përpara.

Tre janë risitë e këtij viti. Së pari, këtë vit ne synojmë që t’a kemi më të fokusuar nismën drejt trashëgimisë kulturore dhe përkatësisë evropiane për faktin siç vetë Bashkimi Evropian, nismat e Komisionit Evropian, e kanë përcaktuar 2018-n si vitin e trashëgimisë evropiane. ​

Shpesh Mirela më nis iniciativat e Mogherinit apo të komisionerit Han që tentojnë t’i kanalizojnë çështjet e politikave evropiane drejtë bashkëpunimit kulturor dhe besoj se në ketë drejtim ja kemi dalë të gjithë dhe e kemi fituar betejën me mua, Mimin e me të gjithë kolegët e tjerë. Prandaj ketë vit vendosëm që fokusin t’a kishim tek trashëgimia kulturore, tek inputi dhe kontributi i Shqipërisë në mozaikun e madh të familjes evropiane me shpresën se do të nxisim sa më shumë imagjinatën, qoftë të qytetarëve tanë, por dhe atyre që do t’a vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit turistik për të fiksuar foto që e dëshmojnë më së miri ketë gjë.

Së dyti, të gjithë e dimë, Komisioni Evropian ka rekomanduar nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kjo është një fitore e madhe për të gjitha përpjekjet e popullit shqiptar për reformim dhe ndryshim gjatë gjithë këtyre viteve. Kjo është arsyeja se përse ne duam të mbajmë Evropën gjithashtu në fokusin e këtij edicioni dhe po kjo është arsyeja që ne vendosëm të bëjmë lançimin e edicionit te katërt gjatë javës së Evropës, duke përfshirë ciklin e aktiviteteve promovuese që ne do të bëjmë gjatë kësaj jave.

Së treti, unë dua të shpreh mirënjohjen time më të madhe për të gjithë studentet e Liceut “Jordan Misja” këtu në Tiranë. Vjet kemi bërë lançimin tek “Muzeu Marubi” në Shkodër, këtë vit vendosëm bashkëpunimin me të rinjtë dhe me stafin e Jordan Misjes. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mire. Janë përzgjedhur dhe si fitues të logos së këtij edicioni, jo vetëm është një shkollë me traditë që ka nxjerrë breza të tërë artistësh, një pjesë të të cilëve ne i kemi dhe në politikë, por nga ana tjetër, është një shkollë me të cilën ne jemi përpjekur të vendosim një linjë bashkëpunimi sa më të mire, në funksion të promovimit të vlerave tona. Dhe si rezultat i të gjithë kësaj që thashë pak më lartë, ne kemi nisur një fushatë intensive komunikimi në të gjithë Shqipërinë ku të rinjtë janë në fokusin tone. Politikat zhvillimore që do të ndërmarrim në ketë drejtim dhe në kuadër të proceseve transformuese të afrimit dhe anëtarësimit të vendit tonë me Bashkimin Evropian dhe besojmë që është ky konkurs edhe ky edicion të cilin e lançojmë sot për vitin e katërt radhazi, do të jetë një vlerë e shtuar në ketë drejtim.

Prandaj përfitoj nga rasti dhe nga prania e mediave këtu për t’i bërë thirrje të gjithëve për të postuar sa më shumë foto me ketë fokus, për t’a bërë Shqipërinë shumë herë më të njohur nga ajo që është sot dhe për t’a konsideruar ketë si një nisëm ku secili prej nesh, pavarësisht statusit në shoqëri, kontribuon sado pak për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë kudo në botë dhe natyrisht për trashëgiminë kulturore evropiane, pjesë të secilës ne jemi.

Faleminderit.