Ministry for Europe and Foreign Affairs

Kryeministër,
Të nderuar ambasadorë,

Ndihem mirë që në mbyllje të një viti kur të mblidheshe bashkë në një sallë erdhi e u kthye në diçka të pamundur, më jepet kjo mundësi për t’ju takuar e për t’ju parë në sy për t’ju shprehur në person falënderimet e mia më të sinqerta për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjatë këtij viti.
2021 ka qenë një vit shumë i mirë për diplomacinë shqiptare.

Së pari, ky është viti kur Shqipëria pas plot 65 vjetëve në OKB fitoi mundësinë e një mandati në Këshillin e Sigurimit. 65 vjet janë shumë në jetën e një njeriu, por më besoni, janë shumë edhe në historinë e një shteti.

Dhe besoj që fakti që e fituam këtë mandat si përfaqësues të një grupi tejet të vështirë për nga dinamikat e brendshme, siç është ai i Evropës Lindore, dhe morëm një mbështetje aq të madhe në votimin në Asamblenë e Përgjithshme, ishin dy prova konkrete të maturisë e zhvillimit që ka arritur sot diplomacia shqiptare.

Po aq sa është një vlerësim e një moment krenarie, ky mandat është edhe një moment përgjegjësie e sfide. Jo vetëm për të qenë në lartësinë e këtij momenti, por edhe për arritur aty disa rezultate konkrete e për të dhënë edhe ne një kontribut konkret në debatin global mbi sfidat e paqes, sigurisë e stabilitetit, në një moment plot sfida për mbarë botën.

Ne shkojmë në Këshillin e Sigurimit me një agjendë prioritetesh ambicioze që pasqyrojnë eksperiencën tonë historike, por edhe vlerat ku ne besojmë e mbi të cilat po ndërtojmë Shqipërinë moderne e evropiane, duke filluar nga gratë paqja e siguria, lufta kundër radikalizmit të dhunshëm, të drejtat e njeriut e mjedisi. Unë dua t’i falënderoj përmes jush të gjithë ato vende që na mbështetën me votë duke ju shtrirë njëkohësisht dorën e bashkëpunimit për të gjithë ato prioritete ku kemi interesa të përbashkëta e dëshirë për bashkëpunim.

Së dyti, 2021 ka qenë një vit me arritje të rëndësishme në procesin e integrimit edhe pse trajektorja që ka ndjekur ecuria e Shqipërisë dhe e Maqedonisë së Veriut në këtë proces gjatë këtij viti ka qenë po aq e pazakontë dhe e koklavitur sa vetë viti.

Lajmi i mirë është që sot, perspektiva evropiane e Shqipërisë gëzon mbështetjen unanime të Bashkimit Evropian dhe të gjithë vendeve anëtare. Edhe të atyre që kanë qenë ndër vite gjyqtarët më të rreptë të progresit tonë. Lajmi tjetër i mirë, është që ne e ndjejmë që më në fund Bashkimi Evropian ka filluar t’i kushtojë rajonit atë vëmendje strategjike që duhet thënë që ishte zbehur gjatë viteve të fundit.

Së treti, dhe kjo lidhet ngushtë me pikën e dytë, ky është një vit me zhvillime shumë të rëndësishme për rajonin tonë. Rajoni duket se ndodhet sot në një udhëkryq. Në njërën anë qëndron perspektiva jonë evropiane dhe euroatlantike. Në anën tjetër qëndron një rikthim tek prodhimi i historisë përtej mundësive tona për të konsumuar.

Në këtë situatë, Shqipëria ka luajtur e madje ka konsoliduar edhe më tej rolin e saj si një faktor stabiliteti në rajon. Shqiptarët kanë dhënë sërish prova që janë garancia më e fortë që ka rajoni në perspektivën e tij euroatlantike.

Ëndrra evropiane në rajon është shfaqur shpesh e largët dhe e paqartë. Duke bërë që tensionet e mosmarrëveshjet që për hatër të besimit tek kjo ëndërr ishin vënë mënjanë, por nuk ishin zhdukur, të tentojnë të dalin sërish në sipërfaqe duke rrezikuar stabilitetin e paqen, por edhe arritjet ekonomike, sociale, e demokratike që ka shënuar rajoni në 20 vitet e fundit.

Unë jam e lumtur kur shoh që ka sot, një rifokusim të të gjithë partnerëve tanë për të garantuar që kjo nuk do të ndodhë dhe Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të avancojë në procesin e integrimit e demokratizimit.

Por unë sot jam krenare kur shoh që vendet e rajonit kanë arritur një pjekuri të tillë sa të kuptojnë që në fund të ditës, çfarë ndodh në Ballkanin Perëndimor prek përpara së gjithash vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke nisur kështu përpjekje për ta takuar BE dhe partnerët tanë në mes të rrugës, përmes nismash si ajo e Ballkanit të Hapur, që pavarësisht keqkuptimeve dhe emocioneve që ka shkaktuar, s’është gjë tjetër por veç një përpjekje, e konceptuar si gjithëpërfshirëse, dhe si një përshpejtim i procesit të Berlinit me pronësi rajonale.

Se fundi, por jo për nga rëndësia, gjatë 2021 Shqipëria pati një mundësi të jashtëzakonshme për t’i treguar botës se çfarë përfaqëson, qoftë për sa i përket vlerave e traditave, qoftë për sa i përket marrjes së përgjegjësive që i takojnë si anëtare e NATO dhe e familjes demokratike të kombeve. Sot, në Shqipëri janë strehuar disa mijëra qytetarë afganë, ish aleatët tanë në Afganistan, por sot të detyruar të lënë vendin e tyre nga frika e vdekjes dhe e persekutimit nga zotërit e rinj të Afganistanit.

Ndihem mirë sepse mënyra sesi e kanë pritur qytetarët shqiptarë këtë vendim, e mënyra sesi kanë rendur të ofrojnë ndihmë e mbështetje, tregon më së miri që mbrojtja e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore apo e shqiptarëve të Kosovës gjatë gjenocidit të Serbisë së Miloshevicit, nuk ishin aksidente historike, por realiteti i asaj që përfaqëson ky komb.

Jam krenare për rolin që diplomacia shqiptare ka luajtur në këtë operacion të vështirë humanitar. Por jam krenare edhe për faktin që falë kësaj pune të mirë të bërë në 2021 kemi arritur të hedhim themelet e një ridimensionimi të politikës sonë të jashtme dhe të imazhit të vendit tonë në botë.

Shpresoj që vitin që vjen t’i lëmë pas shumë nga vështirësitë me të cilat jemi hasur gjatë këtij viti. Dhe që bashkëpunimi i shkëlqyer mes nesh jo vetëm të vazhdojë, por të intensifikohet edhe më tej për të çuar përpara së bashku agjendën e prioriteteve dhe projekteve tona të përbashkëta.