Ministry for Europe and Foreign Affairs

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Ju falenderoj për këtë mundësi për të prezantuar linjat kryesore të programit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Përfitoj nga rasti, po ashtu, të falenderoj Kryeministrin për besimin që më ka dhënë për të drejtuar këtë dikaster ku tanimë prej disa muajsh ka filluar puna për disa projekte e nisma të rëndësishme që unë besoj se do të çelin një etapë të re në diplomacinë shqiptare.

Falë besueshmërisë, parashikueshmërisë dhe solidaritetit që Shqipëria ka treguar në vijimësi në politikën e saj të jashtme, imazhi i vendit tonë ka pësuar një transformim rrënjësor. Shqipëria shihet sot si një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera mike në rajon, në Evropë dhe në botë. Ne vlerësohemi si një vend që nuk ju shmanget përgjegjësive të tij, dhe si një vend që ia ka dalë me shumë punë, por edhe shumë zotësi të ngrejë politikën e tij të jashtme në një nivel shumë më të lartë sesa ai që ju rezervohet në rrethana normale vendeve me përmasat dhe mundësitë e Shqipërisë.

Padyshim, që zanafilla e këtij transformimi është politika që Shqipëria ka ndjekur prej dekadash në rajon. Fakti është që Shqipëria është sot një vend me një rol të pazëvendësueshëm, të njohur ndërkombëtarisht në zhvillimet e Ballkanit Perëndimor.

Angazhimi ynë, është që të vazhdojmë ta konsolidojmë rolin e vendit tonë si një faktor kyç për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, por duke konsoliduar njëkohësisht edhe një qasje të re ndaj rajonit që është formësuar gjatë viteve të fundit.

Është një qasje e guximshme, është një qasje proaktive, e cila sheh zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit në rajon si një proces që duhet të ecë paralelisht me rrugën e integrimit evropian. Është një qasje që synon të forcojë marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të ndërtojë ura komunikimi dhe shkëmbimesh të gjithanshme dhe t’i çojë në një fazë të re e cilësisht më të lartë marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

Në thelb, ajo që synojmë është që të punojmë për të krijuar në rajonin tonë një hapësirë të përbashkët ekonomike dhe njerëzore, sipas modelit mbi të cilin u themelua Bashkimi Evropian, në përputhje me objektivat e Procesit të Berlinit, duke punuar për arritjen e 4 lirive, atë të njerëzve, mallrave, shërbimeve e kapitali përmes nismës Open Balkan, e cila në këtë kontekst shërben në fakt si një mekanizëm për të përshpejtuar këto procese.

Nuk ka asnjë arsye, dhe nuk ka në fakt asnjë kontradiktë, mes thellimit të integrimit brenda rajonit dhe objektivit tonë madhor e të përbashkët strategjik për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Përkundrazi, investimi për krijimin e një hapësire të tillë rajonale, do të shërbejë si një nxitje e mëtejshme për vetë procesin e integrimit i cila duhet theksuar që ka hyrë në një fazë vendimtare ku Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për të merituar miratimin e një date për Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe çeljen formale të negociatave. Një fakt ky i pranuar njëzëri nga të gjithë vendet anëtare dhe institucionet e Bashkimit Evropian. Në muajt në vijim ne do të ndërmarrim një fushatë aktive kontaktesh dhe lobimi për të garantuar që Shqipëria të marrë nga Bashkimi Evropian atë që meriton. Dhe angazhohemi po ashtu që brenda mandatit të tretë, të përshpejtojme ritmin e reformave modernizuese dhe evropianizuese, dhe tu japim qytetarëve shqiptarë një perspektivë të qartë të afatit brenda të cilit do te finalizohet ky proces që përfundon me Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

Po për tu rikthyer tek rajoni. Politika jonë e jashtme rajonale, sheh përtej hapësirës së Ballkanit Perëndimor dhe një nga prioritetet e punës tonë do të jetë forcimi i gjithanshëm i marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë në rajonin tonë dhe më gjerë. E kam fjalën për marrëdhëniet me Italinë, miken dhe mbështetësen e palëkundur që ka qenë në krah të Shqipërisë në çdo moment e ka mbështetur pakompromis integrimin tonë, e kam fjalën për Turqinë mike me të cilën na lidhin marrëdhënie vëllazërore, me Greqinë fqinje me të cilën marrëdhëniet janë duke hyrë në një fazë të re, vende të cilat kanë luajtur historikisht një rol të dorës së parë në rajonin tonë, vende me të cilat ne tashmë gëzojmë marrëdhënie të thella e të shumëanshme dhe që do të vazhdojnë të jenë prioritet i politikës sonë të jashtme.

Ndërkohë që, duke e zgjeruar edhe më tej sferën e marrëdhënieve tona bilaterale, do të punojmë në mënyrë intensive e proaktive edhe për të fuqizuar më tej marrëdhëniet dypalëshe me vende mike e partnere, të cilat kanë qenë mbështetëse të zhvillimeve demokratike e ekonomike të Shqipërisë dhe që ndajnë me ne të njëjtat interesa për një Ballkan Perëndimor të zhvilluar e eventualisht të integruar në Bashkimin Evropian, siç janë Gjermania, Austria, Zvicra, Sllovenia e Kroacia apo vendet e Vishegradit.

Ky vizion ambicioz për politikën tonë të jashtme, do të marrë, në fakt ka marrë tanimë, një stimul të fortë nga zgjedhja e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në fakt, vetë mënyra sesi u arrit ky objektiv, me mbështetjen e pakundërshtuar të grupit të Vendeve të Europës Lindore dhe me 175 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, është ilustrimi më i mirë i progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë Shqipëria në politikën e saj të jashtme.

Por kjo arritje e diplomacisë shqiptare plot 65 vjet pas anëtarësimit në OKB, nuk është vetëm një produkt i kësaj politike të jashtme serioze e të vlerësuar gjerësisht, por edhe një mundësi reale për të luajtur një rol të dorës së parë në çështjet globale.

Mandati në Këshillin e Sigurimit i jep Shqipërisë mundësinë të faktorizohet tek aleatët e partnerët, por edhe tek vende me të cilat deri më sot kemi pasur marrëdhënie jo shumë të zhvilluara apo kontakte minimale përmes një agjende ambicioze prioritetesh, që kanë në themel vlerat e barazisë gjinore, të drejtave të njeriut, besimin tek multilateralizmi dhe e drejta ndërkombëtare, luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe nevojën për mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm.

Kjo agjendë, na vendos në linjë me vendet partnere e me aleatët tanë, marrëdhëniet e bashkëpunimit me të cilët po hyjnë kësisoj në një fazë të re e cilësisht më të lartë. Sot që flasim ne jemi duke komunikuar e bashkëpununuar ngushtë me shumë nga partnerët tanë, si SHBA, Italia e Gjermania, Zvicra, Suedia, Holanda e Danimarka për të koordinuar përpjekjet e për të hartuar strategji të përbashkëta afatgjata në ndjekjen e këtyre prioriteteve.

Por mandati në Këshillin e Sigurimit është një mundësi që do ta shfrytëzojmë edhe për t’i dhënë politikës sonë të jashtme një shtrirje të re strategjike duke e zgjeruar rrjetin e marrëdhënieve tona dypalëshe në të gjithë pellgun e Mesdheut. Kjo është shtrirja e natyrshme në fakt për diplomacinë tonë, për t’i dhënë asaj më në fund dimensionin mesdhetar për të cilin është folur shumë, por për të cilin nuk janë ndërmarrë ende hapa konkrete. Afrika e Veriut, si një rajon me interes të lartë për SHBA, BE apo NATO, do të jetë një nga zonat prioritare të punës sonë në Këshillin e Sigurimit.

Krahas kësaj, jemi duke hedhur hapat e parë edhe drejt zhvillimit të kontakteve e ndërtimit të urave të bashkëpunimit në kontinentin afrikan, ku deri më sot diplomacia shqiptare ka qenë mjaft e kufizuar.

Natyrisht, ky proces diplomatik e politik, shoqërohet edhe nga një potencial i konsiderueshëm ekonomik. Diplomacia ekonomike do të njohë një ecuri e zhvillim të ri. Ne do të punojmë intensivisht për të promovuar ofertën ekonomike të Shqipërisë, për të tërhequr investime të huaja, për të rritur volumin e tregtisë e për të hedhur hapa drejt krijimit të aksesit në tregje të reja, por duke ju paraprirë e duke i mbështetur këto iniciativa përmes pasurimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor dy apo shumëpalësh.

Një aspekt i politikës së jashtme, për të cilin Shqipëria vlerësohet sot në mënyrë të posaçme nga të gjithë aleatët e partnerët është siguria. Prej dekadash Shqipëria ka luajtur një rol vërtet pozitiv e konstruktiv në arritjen dhe konsolidimin e paqes e stabilitetit në rajon. Por sot, ne vlerësohemi nga aleatët e partnerët si një eksportues neto sigurie jo vetëm në hapësirën tonë rajonale, por edhe më gjerë, si një vend anëtar i NATO që kontribuon në sigurinë kolektive përmes misioneve të aleancës, por edhe duke mbajtur në tërësi një peshë përgjegjësish që shkojnë në raport të zhdrejtë me përmasat e mundësitë e vendit. Strehimi i refugjatëve afganë, aleatëve tanë për 20 vjet, është jo thjesht një shfaqje solidariteti që i ka fituar Shqipërisë e shqiptarëve respektin e mbarë botës, por edhe një ilustrim i pakundërshtueshëm i vendosmërisë me të cilën ne i përmbushin detyrimet e përgjegjësitë tona.

Patjetër që rezultat i këtij përkushtimi, edhe si rezultat i këtij operacioni humanitar, edhe për shkak të rekordit të bashkëpunimit e marrjes së përgjegjësive në çdo rast, janë dhe marrëdhëniet tona me aleatin tonë të çmuar strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat edhe falë këtij vendimi njohin sot një thellim e intensifikim në të gjithë fushat. Kjo marrëdhënie, që është një nga gurët e themelit të politikës sonë të jashtme e politikës sonë të sigurisë, që i ka dhënë aq shumë zhvillimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, paqes e stabilitetit në Shqipëri e rajon, do të jetë prioritet absolut i punës sonë në mandatin e tretë.

Së fundmi po jo për nga rëndësia nuk është sekret, por dua ta theksoj gjithsesi. Në çdo analizë që bëhet në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, sa herë që vlerësohen hapat apo veprimet që duhet të ndërmarrë Shqipëria në arenën ndërkombëtare, padyshim që një nga konsideratat më të rëndësishme lidhet me impaktin që këto vendime kanë për Kosovën dhe vëllezërit tanë shqiptarë në Kosovë apo kudo në rajon.

Ne e mbështesim pa asnjë kompromis Kosovën në çdo forum, në çdo aktivitet, në çdo takim dypalësh e çdo diskutim. Kemi punuar e vazhdojmë të punojmë fuqimisht për të zgjeruar rrethin e njohjeve, për të zgjeruar përfaqësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kemi ngritur zërin për padrejtësinë që po i bëhet qytetarëve kosovarë duke ju mohuar lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Avancimi i Shqipërisë në procesin e integrimit, fuqizimi i marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsolidimi i pozicionit të Shqipërisë si një aktor me rëndësi të posaçme në rajon, mandati ynë në Këshillin e Sigurimit dhe zgjerimi i rrjetit tonë diplomatik veçanërisht në kontinentin afrikan ku sot ka një numër shumë të ulët njohjesh të pavarësisë së Kosovës, janë të gjithë elementë që do të na mundësojnë të punojmë akoma më fort dhe të bëjmë akoma më shumë për vëllezërit tanë kosovarë.

Faleminderit.