Ministry for Europe and Foreign Affairs

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm,

Të nderuar ambasadorë, shefa të misioneve të OSCE-së në vendet e Evropës juglindore

Zonja dhe zotërinj,

Mirëmëngjesi të gjithëve dhe ju uroj mirëseardhjen në Durrës, e cila është edhe porta jonë me Evropën Adriatike.

Si një vend me një prezencë të gjatë të OSBE-së, do të doja ta filloja duke përgëzuar punën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Ky bashkëpunim është fokusuar në zhvillimin e një sërë reformash të rëndësishme në vend, në fusha vendimtare si në atë të drejtësisë, sundimit të ligjit, mirëqeverisjes, reformave administrative dhe zgjedhore, në fushën e të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare, fusha të cilat janë e rëndësishme për konsolidimin demokratik të Shqipërisë, si dhe kontribuojnë në axhendën e reformave të BE-së në vend.

Por kjo nuk duhet të jetë një përpjekje e izoluar. Shqipëria i kushton rëndësi bashkëpunimit me operacionet e tjera në terren të OSBE-së në rajon, pasi ato luajnë një rol jetësor për demokracinë, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Prandaj, ne mbështesim që Misionet tuaja të jenë të pajisura me mandate të fuqishme dhe me burimet e nevojshme financiare për inkurajimin e strategjive rajonale, vendore dhe tematike në të gjitha aktivitetet.

Aktivitetet e Prezencave dhe Misioneve tuaja ndihmojnë në stabilizimin e rajonit, zvogëlimin e tensioneve në situata politike të ndjeshme, forcimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e demokracisë. Në këtë drejtim, Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e palëkundur ndaj parimeve themelore të OSBE-së, nëpërmjet dialogut gjithëpërfshirës, ​​në gjetjen e fushave ku së bashku mund të ndërmarrin veprime për të rritur sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për të gjithë.

Shqipëria është plotësisht e përkushtuar drejt integrimit evropian. Ne kemi plotësuar me sukses 5 prioritetet kyçe të vendosura nga BE dhe kemi marrë rekomandimin e pakushtëzuar të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim. Ky proces ka kaluar një sërë reformash të thella, ku Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka luajtur një rol të rëndësishëm në realizimin e tyre. Raporti i Komisionit, pranon se zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse dhe të plotë të drejtësisë ka vazhduar, duke rezultuar në përparim të mirë në përgjithësi. Ai gjithashtu pranon progresin që Shqipëria ka bërë në luftën kundër krimit të organizuar, progresin e mirë në luftën kundër korrupsionit dhe përparimin në reformën e administratës publike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Jam i kënaqur të ndaj të njëjtin mendimin me Sekretarin e OSBE-së, Greminger, me të cilin shkëmbyem dje mendimin që progresi i integrimit në BE duhet të rritet më tej nga bashkëpunimi me OSBE.

Sikurse edhe ai theksoi në fjalën e tij, ne po jetojmë në kohë të vështira. Sfidat evropiane të sigurisë, që ndikojnë në stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor, lidhen kryesisht me kërcënimet e sigurisë që vijnë nga pjesa lindore dhe jugore e Evropës. Është e qartë se në përballimin e këtyre sfidave serioze të sigurisë, ne duhet të forcojmë dhe thellojmë më tej bashkëpunimin tonë rajonal për t’i shërbyer më mirë sigurisë dhe stabilitetit. Ne jemi shumë të bindur në mënyrë se paqja dhe siguria në rajon përforcohen nëpërmjet bashkëpunimit dhe integrimit rajonal. Kjo mund të zbatohet përmes politikave të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, krimit të organizuar, e kështu me radhë. Përmes Misioneve të saj në rajon, OSBE-ja po luan dhe duhet të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, në ofrimin e ekspertizës, në shkëmbimin e praktikave dhe përvojave më të mira midis vendeve. Kemi rezultate shumë të mira nga bashkëpunimi ynë me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, si vendosja në Shqipëri e Qendrës Rajonale operacionale kundër Ekstremizmit, në kontrollin e integruar të kufirit, e kështu me radhë.

 

Zonja dhe zotërinj,

Respektimi dhe promovimi i të drejtave të pakicave është me rëndësi të madhe në këtë rajon, plot me konflikte të së kaluarës. Shqipëria ka miratuar Ligjin për Minoritetet dhe është e angazhuar për të përfunduar një kornizë të plotë ligjore bashkëkohore, në përputhje me Konventën Kuadër të Këshillit Evropian, por gjithashtu duke u bazuar edhe në praktikat më të mira ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të pakicave. Procesi i njohjes së pakicave, vetë-identifikimi, e drejta për arsim në gjuhën e tyre amtare, e drejta për të zgjedhur, për tu përfaqësuar dhe zhvilluar janë disa nga treguesit që mbështesin dhe promovojnë kuadrin e ri ligjor në Shqipëri. Këshilli i Evropës dhe Zyra e Përfaqësueses së Lartë për Minoritetet Kombëtare të OSBE-së janë dy institucione të angazhuara me ekspertizë ndërkombëtare në këtë proces, për të cilat shprehim mirënjohjen tonë.

Do të doja gjithashtu të theksoja axhendën e ndërlidhjes së Ballkanit Perëndimor, e cili ka provuar të jetë një faktor kyç në kapërcimin e pengesave dhe forcimin e masave për krijimin e besimit dhe sigurisë politike në rajon. Duke krijuar ndërlidhshmërinë mes vendeve të rajonit tonë, ne mund të kontribuojmë në elasticitetin dhe qëndrueshmërinë rajonale.

Megjithatë, bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm bashkëpunimin ndërqeveritar. Pajtimi dhe kapërcimi i trashëgimisë së vështirë të historisë sonë janë të mundshme nëse ka dialog dhe bashkëpunim midis shoqërive. Brenda këtij kuadri, duhet të ndjekim shembujt më të mirë evropianë për kapërcimin e të kaluarës së hidhur dhe të hedhim shikimin drejt një të ardhme më të mirë që ndërtohet me anë të bashkëpunimit rajonal.

Me qëllim që ta bëjmë rajonin më të sigurt, vetë organizata duhet të jetë më gjithëpërfshirëse. Ne dëshirojmë të theksojmë përfshirjen e Kosovës në politikat e OSBE-së. Pa kontributin e të gjithë faktorëve në rajon, paqja dhe siguria mund të bëhen të brishta dhe joefektive. Në këtë kuptim e mbështesim shumë bashkëpunimin mes grupeve të shoqërisë civile dhe organizatave të vendeve të rajonit tonë, ku është e pranishme Kosova, si dhe grupet që u përkasin të rinjve, grave dhe segmenteve të tjera të shoqërisë që ndikojnë pozitivisht në bashkëpunimin dhe ndërlidhjen. OSBE duhet të pranojë të dëgjojë Kosovën kur flasim për Kosovën.

Unë inkurajoj dhe mbështes fuqimisht operacionet në terren të OSBE-së për të ruajtur fokusin e tyre në programet e përbashkëta dhe iniciativat që bashkojnë rajonin tonë. Iniciativa midis Shqipërisë dhe Serbisë e cila ka të bëjë me lidhjen e të rinjve, është një shembull i shkëlqyer se si misionet e OSBE mund të zgjerojnë dimensionin e tyre përtej kufijve kombëtarë.

Fokusi është i nevojshëm në këto kohë sfidash, dhe veçanërisht në lidhje me punën e operacioneve në terren në rajone, si i yni.

Për ta bërë organizatën më efikase në adresimin e sfidave të sotme të sigurisë, operacionet në terren të OSBE-së duhet të sinkronizojnë punën e tyre me ato të organizatave të tjera, si BE-ja dhe KiE-ës, si dhe me institucionet e vendeve pritëse. Bashkëpunimi është kyç në këtë kontekst!

Së fundmi, është shumë e rëndësishme që puna e Misionit të OSBE-së në terren të sinkronizohet dhe të bëhet pjesë e objektivave dhe planifikimeve strategjike të vendit anëtar.

Duhet të punojmë së bashku brenda OSBE-së dhe me organizatat e tjera gjithashtu. Rajoni ynë duhet të vazhdojë të investojë në dialogun dhe bashkëpunimin e vërtetë dhe të vazhdojë të jetë i frymëzuar nga fryma që mbështet procesin e integrimit evropian. Ne duhet të mbrojmë të drejtat e njeriut duke inkurajuar më shumë dialog politik, bazuar në përgjegjësinë e përbashkët dhe solidaritetin e gjerë. Duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje diversitetit kulturor për të zvogëluar gabimet e rrezikshme të cilat mund të lulëzojnë fanatizmin, ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Do të doja ta përfundoja fjalën duke ju falënderuar për vëmendjen tuaj dhe duke ju uruar një ditë interesante plot diskutime dhe natyrisht një qëndrim të këndshëm në Shqipëri.

Faleminderit.