Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim në MEPJ me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit, ministri Cakaj u shpreh se me homologun hungarez ka zhvilluar një cikël takimesh të frytshme, të kurorëzuara me disa marrëveshje dypalëshe dhe me thellime të mëtejshme të bashkëpunimit strategjik.

Një vend të veçantë në fjalën e tij, ministri Cakaj i kushtoi rolit të madh që ka luajtur Hungaria si një nga mbështetëset më të fuqishme të hapjes së negociatave për Shqipërinë, veçanërisht mbështetjes politike si dhe kontributit të veçantë që Ministri ka pasur në takimin e fundit të Këshillit për mundësimin e hapjes së negociatave për Shqipërinë.

Ministri Cakaj falënderoi Hungarinë, por tha se ndihma e miqve të Shqipërisë duhet të shoqërohet me përpjekje, vullnet dhe veprime politike të brendshme që nuk pengojnë, por ndihmojnë në hapjen e negociatave.

Për ministrin Cakaj, pavarësisht shtyrjes, vendimi i Këshillit për Shqipërinë, ka një vlerë të veçantë pasi vlerëson pozitivisht raportin e Komisionit për hapjen e negociatave, trajton në mënyrë të njëjtë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe shmang gabimin strategjik për ndarjen dhe trajtimin e diferencuar të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas ministrit Cakaj, qëndrueshmëria e institucioneve demokratike të Shqipërisë ka testin e saj të parë në datën 30 qershor ku duhet të arrihet një proces elektoral demokratik.

Ai u shpreh se Shqipëria nuk duhet të bëjë hapa pas për interesa partiake, por duhet angazhim për interesin kombëtar.

Duke folur për zgjedhjet e 30 qershorit, ministri u shpreh se, “duhet të ketë përparësi agjenda evropiane e vendit përpara çfarëdo llogaritjeje politike”.

Nga ana e tij, ministri hungarez konfirmoi mbështetjen ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave.

“Vlerësojmë të gjithë atë çfarë ka bërë deri më tani Shqipëria në lidhje me ecjen para të procedurës së integrimit”. Ai i quajti qesharake dhe të pakuptimtë shtyrjen e vendimit dhe theksoi se

Hungaria vazhdimisht do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për t’u bashkuar me BE.