Ministry for Europe and Foreign Affairs

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Artemis Dralo, mori pjesë në Sesionin e 128-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që u mbajt më 18 maj 2018, në Elsinore, Danimarkë. Në këtë Sesion morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme ose përfaqësuesit e tyre të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Gjatë punimeve të Ministerialit u diskutua mbi raportin e pestë të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Thorbjørn Jagland, i cili fokusohet mbi situatën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës në 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.

Në fjalën e saj, Zëvendësministrja Dralo, nënvizoi rolin e rëndësishëm të KiE-së, si një platformë pan-evropiane për dialog, që ka kontribuar në zhvillimin demokratik dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në rajonin tonë dhe më gjerë. Ajo theksoi se sfidat me të cilat ballafaqohet vetë Organizata në këtë moment nuk duhet të ndikojnë në rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për më shumë se 830 milionë evropianë në të gjithë kontinentin tonë, përkundrazi, duke punuar së bashku drejt respektimit të angazhimeve të ndërmarra, do të kontribuojmë në adresimin e tyre në mbrotje të interesave të popujve dhe vendeve tona.

Gjithashtu, ajo iu referua edhe bashkëpunimit të Kosovës me Këshillin e Evropës. Sa më shpejt Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, aq më shumë do të kontribuojë në forcimin e paqes, sigurisë dhe zhvillimit në rajonin e Ballkanit.

Vendimet që u miratuan gjatë Sesionit të këtij Ministeriali do t’i shërbejnë procesit të reformës së ashtuquajtur “Nga Elsinore në Helsinki”. Në këtë kuadër, Zëvendësministrja u shpreh se Shqipëria është e gatshme të kontribuojë në këtë proces, për të cilin ne besojmë se do të jetë thelbësor në identifikimin e politikave afatgjata të Këshillit të Evropës.

Si një vend ballkanik, Shqipëria mirëpret angazhimin e vazhdueshëm të Këshillit të Evropës në rritjen e standardeve të saj dhe avancimin e mëtejshëm të axhendës së integrimit evropian në rajon.

Në përfundim të Ministerialit kryesia e radhës për 6 muajt e ardhshëm, i kaloi Kroacisë.