Ministry for Europe and Foreign Affairs

Në kuadër të lehtësimit të shërbimeve konsullore, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton të gjithë shtetasit shqiptarë që ndjekin procedurat e legalizimit të dokumenteve për përdorim në Itali, se në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane, është vendosur të hiqet certifikimi i përkthimit të dokumentit nga ana e Ambasadës Italiane duke filluar nga data 1 janar 2019.

Procedura e heqjes së certifikimit nga ana e tyre, hyn në fuqi më 1 janar 2019 dhe përbën lehtësim për shtetasit tanë që konsiston si në shkurtim të afateve kohore, ashtu edhe të kostove financiare, duke marrë parasysh se ky proces, pra edhe certifikimi i përkthimit të dokumentit, tashmë do të përmbyllet pranë Sektorit të Legalizimit në MEPJ. Duke filluar nga 1 janar 2019, Sektori i Legalizimeve, në kuadër të këtij dakordësimi, do të legalizojë dokumentin origjinal si dhe përkthimin e tij.

Deri tani qytetarëve shqiptarë u është kërkuar që pasi të apostilonin pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dokumentin për përdorim në Itali, ta përkthenin atë në një noter dhe më pas ta legalizonin pranë Ambasadës italiane para se ky dokument të bëhej i përdorshëm në Itali. Me marrëveshjen e re, pas përkthimit të dokumentit tek një noter, certifikimi i përkthimit nuk do të bëhet më nëpërmjet Ambasadës italiane por nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Nëpërmjet kësaj marrëveshje koha e marrjes së shërbimit shkurtohet me 4 ditë si dhe kursehen 2.830 lekë. Gjatë një viti legalizohen rreth 110.000 dokumente shqiptare për përdorim në Itali, që do të thotë se me procedurën e re, qytetarët shqiptarë do mund të kursejnë rreth 311.300.000 lekë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, falënderon Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe në veçanti Ambasadën italiane në Tiranë për bashkëpunimin dhe vullnetin e mirë për të lehtësuar sa më shumë procedurat për shtetasit shqiptarë.