Ministry for Europe and Foreign Affairs

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot në një takim Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller.

Vizita ishte një mundësi e mirë për të shkëmbyer mendime në nivel dypalësh, diskutime mbi zhvillimet në rajon dhe impaktin e tyre në aleancë, dinamikën e trajtimit të sigurisë në një plan më të gjerë euro-atlantik, veçanërisht pas Takimit të Ministrave të Jashtëm të Aleancës. Në kontekstin e fundit, palët diskutuan edhe mbi ngjarjet e fundit në Detin Azov, dhe përqasjen e Aleancës mbi të.

Ministri Bushati vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë në cilësinë e vendit aleat. “Ne e vlerësojmë këtë arritje dhe duke zbatuar angazhimet në praktikë dhe nga ana tjetër, duke u përpjekur për të projektuar dhe rezonuar më shumë stabilitet demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore”, theksoi ai.

Ministri Bushati theksoi projeksionin pozitiv që ka Shqipëria për shpenzimet në fushën e Mbrojtjes. ”Shqipëria ka një rritje në shpenzimet për buxhetin e Mbrojtjes, sikundër do të vijojë që të japë kontributin e saj nëpër misionet dhe operacionet që drejtohen nga NATO”, u shpreh Bushati.

Zyrtarët shkëmbyen pikëpamje rreth situatës së sigurisë në rajon. Ministri Bushati vlerësoi rolin e KFOR-it në Kosovë, duke e konsideruar një spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë. “Kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar më tej në mënyrë që rrezja e stabilitetit demokratik të NATO-s në rajonin tonë dhe më gjerë të jetë e pacënueshme”, tha ai.

Zv. Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Gotemoeller nënvizoi rolin strategjik që NATO i ka dhënë në vazhdimësi Ballkanit Perëndimor si dhe veçanërisht vlerësoi palën tonë në qëndrimin e mbajtur në rajon duke theksuar angazhimin tonë në avancimin e politikave të NATO-s në këtë zonë gjeografike.

Fjala e ministrit Bushati pas takimit me Zv. Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Ishte një kënaqësi për mua që të filloja këtë ditë me takimin shumë të frytshëm me Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, këtu në Tiranë. I shpreha mirënjohjen për këtë vizitë, vetëm pak ditë pas takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel.

Siç dihet, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, me Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme, vendet anëtare, përfshirë vendin tonë, kanë një bashkëpunim mjaft të mirë, jo vetëm në takimet në nivelin e Ministrave të Jashtëm apo të Mbrojtjes, apo të udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s, por edhe për çështje të caktuara dhe sidomos për ato zona, ku vende të caktuara kanë një vështrim më të specializuar, për shkak edhe të afërsisë gjeografike. Në këtë kontekst, ne sot kemi pasur një mundësi për të diskutuar në rradhë të parë në lidhje me angazhimet ë Shqipërisë në organizatë, kryesisht përsa i përket projeksionit pozitiv që ka Shqipëria për shpenzimet në fushën e mbrojtjes, bazuar mbi angazhimet e Samitit të Uellsit dhe sidomos mbi hartën e rrugës që në kuptimin politik u ra dakort në samitin e qershorit.

Shqipëria ka një rritje në shpenzimet për buxhetin e Mbrojtjes, sikundër do të duhet që të japë kontributin e saj nëpër misionet dhe operacionet që drejtohen nga NATO.

Së dyti, ishte një mundësi shumë e mirë për të këmbyer pikëpamje rreth situatës së sigurisë në Rajon.

Dihet që për Shqipërinë dhe shqiptarët, anëtarësimi në NATO është konsideruar një nga arritjet më të mëdha për ne, pas shembjes së regjimit komunist dhe e vlerësojmë për këtë arritje edhe duke zbatuar angazhimet në praktikë dhe nga ana tjetër, ne jemi duke u përpjekur për të projektuar dhe rezonuar më shumë stabilitet demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore.

Në këtë kontekst, e mirëpresim bashkëpunimin me Sekretarin e Përgjithshëm, Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme edhe për çështje të cilat konsiderohen të një natyre më sensitive dhe sot, kemi marrë në shqyrtim të gjitha sfidat me të cilat përballet rajoni ynë.

E fundit që dua të them në këtë pikë është vlerësimi ynë maksimal për rolin e KFORIT në Kosovë, sepse është spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë dhe në këtë kontekst, kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar më tej në mënyrë që rrezja e stabilitetit demokratik të NATO-s në rajonin tonë dhe më gjerë të jetë e pacënueshme.

Faleminderit dhe një herë tjetër për vizitën në Shqipëri.

Fjala e Zv. Sekretares së Përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller

Ministër Bushati, Ditmir.

Faleminderit për mirëseardhjen mjaft të ngrohtë sot në mëngjes. Është një kënaqësi që gjendem në Tiranë sot dhe ndihem shkëlqyer që shihemi kaq shpejt, pas Ministerialit të Ministrave të Jashtëm në selinë e NATO-s në Bruksel. Çështjet kryesore të këtij Ministeriali ishin shkelja nga Rusia e traktatit, gjithashtu edhe Ballkani Perëndimor.

Kemi përforcuar angazhimin tonë praktik të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor, sepse NATO është angazhuar në këtë rajon të rëndësishëm dhe njohuria e kuptimi i Shqipërisë ndaj dinamikave këtu në rajon ka qenë vërtetë shumë e në ndihmë për të çuar përpara punën e NATO-s në këtë arenë. NATO mbështet plotësisht dialogun e ndërmarrë nga BE-ja, midis Prishtinës dhe Beogradit, sepse është e vetmja mënyrë për të sjellë stabilitet dhe paqe të përhershme në Rajon. Ne mbështetemi tek Shqipëria që të vazhdojë të përdorë influencën e saj në këtë proces dhe inkurajojmë Beogradin dhe Prishtinën të tregojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje. Sot, ne diskutuam forcën e sigurisë së Kosovës dhe planin për ta transformuar atë në ushtri.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg  theksoi në bashkëbisedimin e fundit me zotin Haradinaj, që e konsideron këtë veprimtari në një kohë jo të përshtatshme dhe mund të ketë pasoja për integrimin Euro-Atlantik të Kosovës. Pra, ai theksoi se në qoftë se do të evoluonte mandati i forcave të sigurisë, atëherë NATO do të rishikonte nivelin e angazhimit me forcën e sigurisë në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, do të doja të theksoja që Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg foli gjithashtu me Presidentin serb Vuçiç për nevojën për të mos-shkallëzuar tensionet aktuale dhe për të punuar drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.

Vitin tjetër do të jetë përvjetori i 70-të i themelimit të NATO-s dhe do të kemi Ministerial të ministrave të Jashtëm në Uashington, në prill, dhe presim me padurim që t’ju urojmë mirëseardhjen në Uashington në këtë eveniment historik. Gjithashtu ne do të shënojmë edhe 10 vjet, qysh prej anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e NATO-s.

Në këtë dekadë keni treguar se pasja e Shqipërisë brenda NATOS na bën të gjithëve më të sigurt e të siguruar, kështu që Ministër, do të doja t’ju falënderoja për angazhimin e Shqipërisë në Aleancën tonë, përfshirë edhe kontributet në operacionet dhe misionet e NATO-s nga Afganistani në Kosovë. Kam qenë dëshmitare në punën që është bërë nga ekipet e lëvizshme shqiptare. Me praninë e grupeve në Letoni kam vizituar shkurtin e kaluar dhe pata një mundësi që të flisja me ushtarët tuaj atje. Janë vërtetë një ekip mbresëlënës dhe pata kënaqësinë ta kisha këtë mundësi. Kështu që pres me padurim që të punojmë së bashku.

Presim me padurim që t’ju mirëpresim në selinë e NATO-s sa më shpejt.

Faleminderit për nderin dhe mundësinë e këtij takimi sot në mëngjes.

Faleminderit!