Ministry for Europe and Foreign Affairs

Në Trieste të Italisë u zhvillua takimi i Ministrave të Jashtëm të Nismës së Evropës Qendrore (NEQ). Ky takim, që përkonte me 30-vjetorin e themelimit të Nismës, bëri një bilanc të aktivitetit të organizatës dhe hodhi ide për një rivitalizimin në të ardhmen, në përputhje me vizionin e themeluesve të saj për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin midis vendeve anëtare, të bashkuar përmes vlerave të përbashkëta në zhvillimin e demokracisë.

Në fjalën e tij, Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Etjen Xhafaj, e konsideroi NEQ-in një instrument rajonal vibrant në përshpejtimin e integrimit evropian përmes promovimit të dialogut politik, forcimit të sigurisë dhe të prosperitetit në rajonin e Evropës Qendrore. Në këtë kontekst, Shqipëria e ka përshëndetur strategjinë e Komisionit Evropian, që konfirmon perspektivën evropiane dhe ka mbështetur të gjitha mekanizmat rajonale që janë ndërmarrë në këtë drejtim, si Procesi i Berlinit apo Zona Ekonomike Rajonale (MAP REA).

Më tej, ai nënvizoi faktin se Shqipëria, që prej anëtarësimit të saj është integruar plotësisht në strukturat e organizatës, duke përfituar ndjeshëm nga burimet e saj përmes implementimit të projekteve të ndryshme. Nga ana tjetër, ne jemi të vendosur të mbështesim zgjerimin e kësaj nisme në të ardhmen dhe bashkëpunimin me vende të treta dhe organizata ndërkombëtare, si rritjen e transparencës së kësaj Nisme lidhur me bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit. Ne vlerësojmë lart “Planin e Veprimit të CEI-t për 2018-2020” si një platformë vitale drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe sigurisë.

Si përfundim, Zëvendësministri Xhafaj, duke falënderuar të gjitha vendet anëtare të Nismës për mbështetjen për hapjen e menjëhershme të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe duke përshëndetur rekomandimin e KE-së, u shpreh se hapja e negociatave me Shqipërinë është fillimi i një procesi të gjatë sfidues që do të ndihmojë në transformimin e mëtejshëm të vendit dhe do t’i afrojë më shumë qytetarët e saj me Evropën. Duke përshëndetur Deklaratën e takimit, ai kërkoi që vendet anëtare të NEQ-it të pranojnë progresin e bërë nga qeveria shqiptare në zbatimin e reformave me qëllim që të finalizohet hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për Presidencën italiane jo vetëm për organizimin dinjitoz të këtij takimi, por edhe për mbështetjen e palëkundur që ajo i ka dhënë dhe i jep vendeve aspirantë në rrugën drejt integrimit evropian.