Ministry for Europe and Foreign Affairs

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, ka marrë vendim për dhënien e mbështetjes financiare për Këshillin Kombëtar të shqiptarëve në Mal të Z, me seli qendrore në Ulqin dhe dy zyrat e tij koordinuese,  Malësi – Tuz dhe Plavë.

Këshilli Kombëtar i shqiptarëve luan një rol thelbësor në përfaqësimin e përgjithshëm dhe fuqizimin e rolit të veçantë të të gjithë shtetasve shqiptarë në Mal të Zi, duke adresuar një gamë të gjerë çështjesh të cilat fillojnë nga arsimi, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike, sfidat socio-ekonomike e deri tek ruajtja e trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Mal të Zi.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, menjëherë pas vendimit të Qeverisë shqiptare për mbështetjen financiare ndaj Këshillit Kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi, u shpreh se, “ky nuk është një veprim i izoluar apo individual”.  Sipas tij, “ky veprim shënon vetëm fillimin e programit të Qeverisë për të marrë përsipër financimin periodik dhe mbështetjen sistematike të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi!”.