Ministry for Europe and Foreign Affairs

Në datën 14 tetor 2020, u zhvilluan konsultimet e rregullta diplomatike midis Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, të cilat, për shkak të situatës së pandemisë së Covid-19, u zhvilluan në formatin online. Pala shqiptare kryesohej nga Drejtorja e Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve Politike dhe Strategjike, znj. Mimoza Halimi, ndërsa pala gjermane nga znj. Susanne Schutz, e Dërguara Speciale e Ministrisë së Jashtme gjermane për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe vendet e EFTA-s. Konsultimet u ndoqën dhe nga Ambasadat respektive në Berlin dhe Tiranë.

Në qendër të këtyre konsultimeve diplomatike ishin shkëmbimi i pikëpamjeve dhe diskutimet mbi ecurinë e deritanishme e procesit të integrimi evropian dhe roli i Presidencës gjermane të BE-së, në çuarjen përpara të tij. Në vijim u diskutua mbi intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh, fokusuar tek bashkëpunimi ekonomik, rritja e investimeve gjermane në Shqipëri, bashkëpunimi në fushën e arsimit, kulturës, transportit, rendit publik, etj. Në veçanti pala shqiptare kërkoi nxitjen e procesit të njohjes së lejeve të drejtimit të shtetasve shqiptarë në Gjermani, shtimin e bursave për studentët shqiptarë, si dhe përshpejtimin e dhënies së vizave për bashkim familjar me prioritet për familjet me fëmijë të vegjël.

Gjatë këtyre konsultimeve të dyja palët shkëmbyen mendime mbi situatën në rajonin tonë, në dritën e zhvillimeve më të fundit, sidomos mbi dialogun Prishtinë – Beograd, rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën si pjesë e qenësishme e dialogut dhe në kuadër të Procesit të Berlinit, situatën në Serbi, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinë.

Një tjetër çështje e rëndësishme që u trajtua gjatë këtyre konsultimeve ishte edhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, në veçanti sa i takon kryesisë së radhës së OSBE-së, si dhe kandidaturës sonë për në vend jo të përhershëm në KS të OKB-së. Pala gjermane shprehu vlerësimet e saj maksimale për kontributin që Shqipëria ka dhënë si Kryetare e radhës së OSBE-së në përpjekjet e kësaj organizate për të zgjidhur konfliktet aktuale në Bjellorusi, Ukrainë, Armeni-Azerbaixhan etj.

Në përfundim u falënderuan përfaqësuesit e lartë të MPJ gjermane për kontributin e çmuar të ofruar nga Gjermania sa i takon përballimit të pasojave të tërmetit dhe pandemisë në vendin tonë.