Ministry for Europe and Foreign Affairs

Sfidat e reja dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, ishin fokusi kryesor i Ministerialit virtual të Aleancës për Multilateralizmin që u zhvillua sot në margjinat e Segmentit të Nivelit të Lartë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Në këtë takim, Shqipëria u përfaqësua nga Zv. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agron Tare.

Aleanca për Multilateralizmin, një nismë e Gjermanisë dhe Francës është një Aleancë e vendeve që besojnë tek multilateralizimi dhe bashkëpunimi midis shteteve, duke u bërë një forum i rëndësishëm për promovimin e zgjidhjeve të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh.

Takimi i këtij viti u fokusua tek sfidat e reja lidhur me të drejtat e njeriut, si: mbrojtja e të drejtave të njeriut në botën dixhitale, ndryshimet klimaterike, përgatitja dhe përgjigjja ndaj krizave shëndetësore, etj.

Në fjalën e tij, Zv. Ministri, Tare theksoi se, “ndërsa rendi ndërkombëtar shumëpalësh po përballet me sfida serioze, besojmë dhe biem dakord që një shoqëri ndërkombëtare e bazuar në rregulla, është vendi më i mirë për të adresuar sfidat e kohës sonë si: të drejtat e njeriut në botën dixhitale, ndryshimi i klimës dhe reagimi ndaj krizave shëndetësore të shkaktuara nga pandemia Covid 19”.

Në lidhje me këtë situatë pandemike, zv. Ministri u shpreh se, interneti është një mjet thelbësor për shkëmbimin e informacionit, komunikimit dhe aktiviteteve të tjera të përditshme. Infodemia COVID-19 ka ngritur shqetësime për sa i përket fuqisë në rritje të platformave dixhitale. Me qëllim forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë, vendet dhe të gjithë aktorët duhet të shfrytëzojnë mundësitë për të zbatuar “të drejtat e njeriut on line”, u shpreh ai.

Për zv. Ministrin Tare, përgjigjet ndaj kësaj krize pandemike duhet të përqendrohen në të drejtat e njeriut, duke forcuar mekanizmat për të siguruar të drejtën për shëndetin, mbrojtje sociale, mbrojtjen e të drejtave të njeriut përballë, ndryshimeve klimaterike, etj.

Lidhur me adresimin e sfidave globale, Tare u shpreh se, Shqipëria mbështet përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar dhe e konsideron multilateralizmin si pjesë e zgjidhjes, me përfshirjen e shteteve, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe palëve të interesit, përfshirë sektorin privat dhe shoqërinë civile.