Ministry for Europe and Foreign Affairs

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino dhe Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, Armand Skapi, morën pjesë në takimin përmbyllës “Dyert e hapura për Diasporën”, organizuar nga IOM Albania.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Zv.Ministrja Fino u shpreh se projekti për përfshirjen e Diasporës në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë, ridimensionon rolin dhe rëndësinë e diasporës dhe e ftojnë atë të jetë kontribuuese aktive e mirëqenies dhe progresit të vendit.

“Diaspora e sotme nuk mund të lexohet në mënyrë të reduktuar si një burim i konsiderueshëm remitancash, por si një makineri e fuqishme që gjeneron eksperiencë dhe kulturë bashkëkohore, njohuri të përditësuara, ide dhe teknologji të fjalës së fundit, lidhje dhe rrjete kontakti në fushën e ekspertizës. Unë jam këtu sot për të shprehur mbështetjen dhe bashkëpunimin në vijimësi jo vetëm të MEPJ–së por të gjithë institucioneve shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për të gjetur mundësi dhe zbatuar projekte që i sjellin shqiptarët e diasporës gjithmonë e më shumë afër vendit të tyre”, tha Zëvendësministrja Fino.

Në panelin “Diaspora si kapital njerëzor për administratën publike”, Sekretari i Përgjithshëm, Armand Skapi vlerësoi bashkëpunimin e IOM-Albania me institucionet shqiptare, duke e cilësuar “Connect Albania”, si një projekt që angazhon anëtarët e Diasporës Shqiptare si Agjentë Zhvillimi.
“Ne synojmë të kapërcejmë modelin e vjetër mbi diasporën, e cila është parë tradicionalisht nga një këndvështrim i ngushtë i mbështetjes së Atdheut me ndihmë ekonomike, apo me mbështetje politike, përmes lobimeve nga vendi ku jetojnë, për mbështetjen e interesave kombëtare në çështje specifike. Sa më shumë pjesëtarët e diasporës shqiptare integrohen dhe bëjnë histori suksesi në vendet ku jetojnë, aq më shumë rriten mundësitë për kontributin cilësor të tyre në atdhe”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm në fjalën e tij.

MEPJ mbetet e angazhuar që me kapacitetet njerëzore të saj brenda dhe jashtë vendit, të mbështesë projekte të ndryshme në bashkëpunim me organizmat ndërkombëtare, të nxisë dhe promovojë objektiva, qëllime dhe synime për të krijuar dhe zbatuar të gjitha mekanizmat që ndihmojnë lidhjet e Diasporës me Shqipërinë.